Grupet A dhe B kanë mbyllur edhe ndeshjet e treta, duke përcaktuar katër skuadrat që kalojnë më tej. Ato janë Uruguai, Rusia, Spanja dhe Portugalia. Dy të fundit kanë kaluar mes emocionesh të forta, pasi gjithçka është komplikuar në minutat e fundit. Spanja ishte në humbje 1-2 ndaj Marokut dhe një gol i Aspas në shtesë, i anuluar fillimisht nga njëri nga asistentët dhe më pas i quajtur i vlefshëm nga VAR-i, i ka dhënë skuadrës së Hierros vendin e parë në Grupin B, me 5 pikë.
Me po kaq pikë e mbylli grupin edhe Portugalia, që u barazua në fund nga Irani dhe madje rrezikoi të humbiste. Edhe në këtë ndeshje ishte protagonist VAR-i, që akordoi një 11-metërsh në fundin e ndeshjes. Ansarifad nuk gaboi, ndryshe nga Kristiano Ronaldo, që humbi shansin nga pika e bardhë për të shënuar golin e dytë, pasi më parë kishte realizuar Kuarezma një gol mjaft të bukur.
Rusia, vendi organizator, u mund thellë nga Uruguai, 3-0, por u kualifikua, për herë të parë në historinë e saj, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjektik. Në fazën e 1/8 luan me Spanjën. Uruguai, me 3 fitore në ndeshjet në Grupin A, ndeshet me Portugalinë, ndërsa Egjipti, Arabia Saudite, Irani dhe Maroku kthehen në shtëpi.
Për t’u theksuar është fakti se ky mund të quhet pa frikë Botërori i VAR-it, pasi deri tani janë akorduar plot 20 penallti.
Grupi A
Uruguai-Rusi 3-0
Arabia Saudite-Egjipt 2-1
Grupi B
Spanjë-Marok 2-2
Iran-Portugali 1-1
Faza e 1/8, 30.06.2018
Uruguai-Portugali
01.07.2018
Spanjë-Rusi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.