Politike

Kajmaku i shkruan Arta Markut: S’e dija që isha në hetim, dola i pafajshëm

Kryebashkiaku Agim Kajmaku i ëshë drejtuar me anë të një letre kryeprokurores Arta Marku, si dhe njëherësh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me atë çfarë po akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme se ka qenë në dijeni të dënimit, por se e ka fshehur, duke mos e deklaruar një gjë të tillë.
Kryebashkiaku i Vorës pretendon se nuk ka patur dijeni se ka qenë nën hetim në Greqi.

Letra e Kajmakut drejtuar kryeprokurores Marku

Ai thotë se në ngarkim të tij, ekzistonte një çështje penale e cila është regjistruar në vitin 2003, ku akuzohej për “vënie në qarkullim të monedhave të falsifikuara” në qytetin e Artës në Greqi.
"Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkimin tim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam pasur dijeni më parë. Sa i takon çështjes së mospasqyrimit në "Formularin e vetëdeklarimit" të fakteve lidhur me ndonjë masë sigurimi ose urdhër kërkimi ndaj personit tim, sqaroj se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së plotë të dijenisë time lidhur për fakt të tilla sikundër del edhe nga përmbajtja e shkurtimit të vendimit, duke qenë se i gjithë procesi hetimor është zhvilluar në mungesën time" sqaron Kajmaku.

Letra e firmosur nga Agim Kajmaku


Letra e tij vjen pasi Prokuroria e Tiranës i konfirmoi opozitës që Agim Kajmaku është Jorgo Toto, i cili ka pasur një proces të hapur gjyqësor në Greqi për falsifikim dokumentesh.
“Pavarësisht vendimit të pafajësisë së sipërpërshkruar, unë kam kërkuar dhe jam në pritje të të dhënave me shkrim nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Janinë, Greqi për rrethanat e marrjes së ndonjë mase sigurimi apo ndonjë urdhri ndërkombëtar kërkimi me emrin tim për këtë rast dhe në momentin që do t’i administroj, do t’ua vë në dispozicion së bashku me vendimin e plotë të zbardhur të pafajësisë nr. 236, datë 12.09.2019 si edhe do t’i pasqyroj ato edhe në dokumentin përkatës sipas ligjit”, thuhet në letrën që Kajmaku i drejton kryeprokurores në detyrë Arta Marku, e nënshkruar gjatë ditës së sotme.
Ai ka përcjellë edhe vendimin e gjykatës greke, me të cilën pretendon se është i pafajshëm. Por Prokuroria i ka dërguar materialin edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku tashmë do të jetë ky institucion që do të vendosë për një çështje të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë