Politike

PS-së i bie edhe Kajmaku, Prokuroria: Fshehu dënimin. PD: Të shkarkohet!

Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimin për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, i akuzuar nga PD-ja për dënim dhe pjesë e ligjit të Dekriminalizimit. Gazeta Si ka mësuar se prokuroria ka dërguar materialin për kryebashkiakun e Vorës në adresë të PD-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke konkluduar se ai është subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Kajmaku në shkresë mësohet se ka fshehur dënimin në Greqi dhe për këtë nuk e deklaruar. Prokuroria në materialin e saj përcakton se është vërtetuar se Kajmaku nuk ka deklaruar arrestimin në Greqi, si dhe hetimin atje. Ai sipas ligjit e ka pasur detyrim ta bëjë dhe nuk e ka bërë në formularin e Dekriminalizimit. Ndërkaq sipas burimeve pranë Prokurorisë materiali është dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe se tashmë është ky institucion që duhet të vendosë në lidhje me këtë ccështje që ka qenë tejet e debatueshme mes PD-së dhe qeverisë.

Bardhi: U konfirmua Kajmaku është Jorgo Toto, të shkarkohet!

Partia Demokratike i rikthehet çështjes së dekriminalizimit, duke kërkuar që të kryeministri Edi Rama të shkarkojë kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi gjatë një deklarate për median theksoi se Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje selisë blu, e mbi bazën e saj vërteton se mbi bazën e shenjave të gishtërinjve, përputhen me të Agim Kajmakut me atë të Jorgo Totos, shtetasi të dënuar në Greqi për falsifikim të karmonedhave. “Në vendimin e prokurorisë i mbërritur vetëm pak minuta më parë në PD rezulton se zyra qendrore e Interpol Tirana datë 24.9. 2019 ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga Interpol Athina rezulton se nga gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut me ato në databasen në Greqi ka përputhshmëri me ato të Jorgo Toto. Prokuroria ka sqaruar se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto është i njëjti person”, deklaroi Bardhi, i cili citoi shkresën e dërguar me firmën e kryeprokurores Arta Marku.

Faksimile e letrës së kryeprokurores Arta Marku drejtuar Bardhit të PD-së

Më tej numri dy i PD-së theksoi se Prokuroria saktëson se “nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim. Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke, ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër, rezulton se Agim Kajmaku ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datën 30 Mars 2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në Agim Kajmaku, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”. Për zyrtarin e lartë të PD-së, Prokuroria ka dalë në përfundimin se Agim Kajmaku duhet të skualifikohet menjëherë nga funksioni publik.

Gazment Bardhi duke folur sot për median. Gazeta Si, 28 tetor 2019

“Çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. PD e ka të qartë se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka të lidhur me krimin. Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës. Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator 2019”, theksoi Bardhi.

Faksimile e shkresës së prokurorisë


Opozita kishte nxjerrë pasaportat se Kajmaku ishte personi që ishte dënuar me emrin Jorgo Toto dhe se për këtë dispononte edhe ndryshimet jo vetëm personale por edhe të atësisë dhe mëmësisë. Fillimisht Kajmaku e mohoi që të jetë dënuar, e më pas doli një tjetër vendim ku në vitin 2019, ai figuronte i zhveshur nga vepra penale që ishte dënuar vite më parë. PD ka akuzuar për Prokurorinë për mos veprim për akuzat ndaj Kajmakut dhe se me këtë shkresë, sipas Bardhit, kryebashkiaku i Vorës është pjesë e ligjit të Dekriminalizimit.

Faksmile e dokumentit të prokurorisë e publikuar nga PD. Gazeta Si, 28 tetor 2019


PD ka denoncuar tre kryebashkiakë të Shkodrës, Vorës dhe Vaut të Dejës. Valdrin Pjetri figuronte i dënuar në Itali dhe për këtë ai u detyrua të jepte dorëheqjen, duke mos pranuar marrjen e mandatit të fituar në zgjedhjet e 30 qershorit. Edhe Mark Babani i Vaut të Dejës rezulton për PD-në i dënuar në Itali dhe ka ndërruar disa emra. Por këto akuza janë hedhur poshtë nga Babani. Prokuroria edhe për rastin e Babanit ka nisur hetimet dhe PD-ja është në pritje të përgjigjeve zyrtare të këtij hetimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë