Politike

Agim Kajmaku merr pafajësinë 16 vite më vonë. PD: U konfirmuan akuzat tona

Gjykata e Janinës ka shpallur të pafajshëm 16 vite më vonë Agim Kajmakun. Vendimi është marrë që më 12 shtator të këtij viti dhe gjykatësja Kristina Andoni i dha pafajësinë kryebashkiakut të Vorës për akuzën e falsifikimit të parave.

Në arsyetimin e dhënë në këtë vendim, gjykata greke thotë se vetë Kajmaku, që në atë kohë njihej me emrin Jorgo Toto ka qenë viktimë e falsifikimit. Në procesin gjyqësor edhe prokuroria është tërhequr dhe në dosjen e gjykatës greke, organi i akuzës thotë se njëri prej dëshmitarëve dhe viktimë e parave të falsifikuara kishte deklaruar se ai vetë nuk besonte se Kajmaku ja kishte dhënë me qëllim shumën e parave të falsifikuara.

Avokati i Kajmakut ka justifikuar edhe shpalljen në kërkim të klientit të tij pas 2003. Ai tha se për shkak se Kajmaku nuk e dinte mirë gjuhën greke, nuk e kishte kuptuar se duhej të paraqitej brenda pak muajsh sërish para Gjykatës së Janinës.

Pavarësisht pafajësisë, Partia Demokratike thotë se vendimi në fjalë provon të gjitha denoncimet e bëra nga opozita se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto dhe se ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit. PD thotë se megjithë mbylljen e hesapeve me drejtësinë greke, Kajmakut i mbeten hapur hesapet me drejtësinë shqiptare.

Agim Kajmaku, kryebashkiaku i ri i Vorës. Gazeta Si, 17 shtator 2019

“Seancat gjyqësore për Jorgo Toton e Bashkisë së Vorës, të zhvilluara në Janinë për 4 ditë, u japin fund zvarritjeve të prokurorisë për zbulimin e identitetit të kandidatit të Edi Ramës. Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi duke mbyllur çështjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi. Vendimi konfirmon se Agim Kajmakut, alias Jorgo Toto, nuk i lejohej nga ligji i dekriminalizimit të kandidonte për kryetar bashkie. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto ka gënjyer në Formularin e Dekriminalzimit, duke kryer veprën penale të fallsifikimit të dokumenteve”, thotë PD.

Një tjetër shkelje, opozita thotë se është edhe fshehja e arrestimit në Greqi me emrin Jorgo Toto. “Për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjeherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”, mbyllet reagimi i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë