Politike

Dekriminalizimi, Rama do të burgosë kandidatët gënjeshtar

Me reformën zgjedhore pritet të realizohen edhe ndryshime të ligjit të Dekriminalizimit. Pavarësisht miratimit të ligjit që synonte të priste kokat e të inkriminuarve i ndërmarrë tre vite më parë, zgjedhjet lokale të 30 qershorit nxorën edhe mangësitë ligjore të këtij procesi.
Pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun e Shkodrës, Valdrin Pjetri me të shkuar të errët dhe se figuronte i dënuar në Itali. Fillimisht mazhoranca socialiste do të rrëzonte këto pretendime, por se më vonë Pjetri do të deklaronte tërheqjen nga marrja e mandatit të fituar si kryebashkiak pa asnjë rival dhe se kjo do të shkaktonte jo pak turbullira brenda mazhorancës dhe politikës shqiptare.

Valdrin Pjetri duke votuar më 30 qershor, ku nuk pati asnjë kandidat përballë. Gazeta Si, 25 Tetor 2019

Demokratët nuk do të ndaleshin me kaq do të nxirrnin më pas edhe emrat e Agim Kajmakut, kryebashkiakut të Vorës, që sipas tyre ishte i dënuar në Greqi për falsifikim kartëmonedhash euro, nën emrin Jorgo Toto. Pas tij do të dilte emri i kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Mark Babani, edhe ky sipas PD-së figuron i dënuar në Itali për vjedhje dhe ka mbajtur disa emra të ndryshëm. Dy të akuzuarit e fundit vijnë nga bota e biznesit, por pavarësisht akuzave dhe nisjes së hetimeve nga Prokuroria, ende nuk ka rezultat. Shkodra, Vora dhe Vau i Dejës njiheshin si bastione të PD-së dhe pikërisht beteja e demokratëve ishte më e përqendruar. Kandidimi i personave të inkriminuar apo me të kaluar të errët ka ngritur dyshime në lidhje me procesin dhe mënyrën e verifikimit të ligjit të “Dekriminalizimit”, aq sa edhe sot Shkodra nuk ka një kryetar të sajin legjitim.

Kryesocialisti Edi Rama, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati dhe kryebashkiaku Mark Babani, gjatë fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, Gazeta Si, 25 tetor 2019

Në mënyrë që mos t'i plasë më “bomba” si ajo e Shkodrës, kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë e ndryshimit të ligjit të Dekriminalizimit, duke bërë propozime konkrete për një skemë të re që mund të parandalojë krijimin e ndonjë krizë të re politike. Ai po synon që të ndryshojë procedurën e regjistrimit të kandidatëve për deputetë apo dhe kryetar bashkie, gjë që sjell dhe një ndryshim të Kodit Zgjedhor apo dhe të ligjit të Dekriminalizimit.


“Kush kapet me gënjeshtër në formularin dekriminalizimin do të shkojnë në burg. Nuk e gjen dot se çfarë ka para 10 vjetësh. Ne do ta bëjmë tani ndryshe. Të mos regjistrohen më kandidatura, një ditë para se të fillojë fushata, por një muaj para se të nisë fushata dhe të verifikohet nga Prokuroria dhe Policia, dhe nëse dalin të dënuar do të futen në burg", tha Rama në një intervistë televizive në televizionin Klan. Kërcënimi me burg se nëse mashtron duket se mund të detyrojë kandidatët që të mos u fshehën pas certifikatave të “pafajësisë” që nxirren edhe pasi mund të jetë dënuar apo një dënim mund të jetë kryer përpara 20 viteve. Formulari i deklarimit mund të pësojë ndryshime, por se për t’u realizuar një nismë e tillë duhet të paktën që ketë edhe konsensusin e PD-së, si një nga partitë që inicioi procesin dhe që krenohet se ka larguar të inkriminuar brenda radhës së PS-së.

Penalizimet nga Dekriminalizimi
Në zgjedhjet e 30 qershorit, KQZ-ja verifikoi dokumentacionin e kandidimit dhe formularët e vetëdeklarimit për rreth 103 kandidatë për kryetar bashkie dhe për të paktën 9994 kandidatë të këshillave bashkiakë. Në përfundim të procesit të verifikimit u regjistruan si kandidatë 97 kandidatë për kryetar bashkie dhe 9872 kandidatët për këshillat bashkiake. KQZ, sipas raportit të paraqitur në Parlament, vendosi se ishin në kushtet e mos zgjidhshmërisë një kandidat të mbështetur nga zgjedhësit për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe 15 kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiakë.

Në përfundim të procesit të verifikimit, KQZ i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për verifikim të thelluar, 6 raste me funksion këshilltar në këshillat bashkiak, për shkak se në formularët e vetëdeklarimit ishin dhënë indicie për dënime/dëbime jashtë territorit të Shqipërisë. Pas shpalljes se rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme 2 kryetar bashkie, për verifikim të thelluar, pas denoncimeve për dëbime/dënime jashtë shtetit. Njërit prej tyre i ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme për shkak të dorëheqjes.

Këshilltarë të dorëhequr apo të larguar gjatë katër viteve. Gazeta Si, 25 tetor 2019


Sipas Institutit të Studimeve Politike, Ligji i Dekriminalizimit u dakordësua në dhjetor 2014, por u aplikua pasivisht gjatë muajve të parë të vitit 2016, – rreth 6 muaj nga përfundimi i zgjedhjeve lokale 2015. Sipas ligjit të gjithë kryetarët e bashkive dhe këshilltarët lokalë do të duhej të dorëzonin formularët e vetë-deklarimit. Individët, të cilët refuzonin dorëzimin e formularëve dhe publikimin e tyre sipas ligjit penalizoheshin me ndërprerje të mandatit. Të gjithë kryetarët e bashkive i plotësuan formularët e dekriminalizimit, por një numër i madh këshilltarësh lokalë nuk i dorëzuan. Procesi vijonte më pas me zëvendësimet e individëve që nuk zbatuan ligjin duke dorëzuar formularët, sipas listave shumëemërore të partive. Edhe gjatë këtij procesi, individët që refuzonin dorëzimin e formularëve të vetë-deklarimit gjithashtu humbnin mundësinë për marrjen e mandatit nga KQZ. Procesi i zëvendësimeve u zgjerua më pas edhe me kalimin e disa këshilltarëve në parlament (pas zgjedhjeve parlamentare 2017), apo në raste të veçanta, me vdekje natyrale të ndonjë këshilltari apo emërim në detyra të papajtueshme me funksionin e këshilltarit. Për vitin 2018, në zbatim të ligjit të sipërcituar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar gjithsej, 76 verifikime për funksionarë publikë deputetë, kandidatë për deputetë, anëtar këshillash bashkiak dhe kandidat për anëtarë këshilli bashkiak, duke miratuar 27 vendime.


Nga të dhënat e nxjerra nga KQZ për database të këshilltarëve lokalë 2015-2019, rezulton se më shumë se 209 këshilltarë patën ndërprerje mandati (pa llogaritur individët që e ndërprenë mandatin për shkak se u zgjodhën deputetë), nga të cilët vetëm 26 e humbën mandatin për shkak të kushteve të papajtueshme me ligjin e Dekriminalizimit. Nga pjesa tjetër e këshilltarëve që dhanë dorëheqje, 183, shumica janë subjekte që refuzuan plotësimin e formulave të dekriminalizimit, duke supozuar se kanë pasur të dhëna kritike që mund të vinin në situatë të papajtueshme me ligjin.

Për statistikë, në numrin total të këshilltarëve që dhanë dorëheqje gjatë 2015-2019 rreth 70% e tyre ose 149 këshilltarë janë meshkuj dhe rreth 30% ose 62 janë këshilltare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë