Nga Gazeta ‘Si’ – Ka përfunduar takimi i grupit të dialogut dhe parimisht palët kanë rënë dakord për votën e Diasporës.
Oerd Bylykbashi, nga Partia Demokratike, u shpreh pas takimit se ka dakordësi për votën e Diasporës, duke thënë se çdo shqiptar me një adresë jashtë vendit do të ketë mundësinë për të votuar.
“Nuk mund të ketë dy kategori shqiptarësh në emigracion, ata që janë në mënyrë të ligjshme dhe ata që janë në mënyrë të paligjshme. Kushdo që është jashtë Shqipërisë, por ka një dokumentacion minimal dhe një adresë, do të kenë të drejtën e votës. Të gjithë shqiptarët që kanë një adresë dhe mund të lidhen me KQZ do të kenë të drejtën e votës.
Unë gjykoj se kjo është një arritje e rëndësishme. Do të shohim detajet e fundit nga ekspertët”, tha Bylykbashi.
Më tej, ai u shpreh se pavarësisht dakordësisë për votën e diasporës, reforma zgjedhore është bllokuar nga PS, sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Detyrimi është për të arritur në rezultat. Keq ardhje që PS bllokoi sërish reformën zgjedhore sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Këtu nuk trajtohen as marrëveshja e majit 2020. Kjo çështje mbetet dhe do të vazhdojë të jetë në agjendën tonë të mëtejshme”, tha Bylykbashi.
Kriteri i adresës?
Bylykbashi: Adresa nuk është kriter regjistrimi, por mënyrë për të siguruar procesin.
I qëndrojmë idesë që duhet një postë ndërkombëtare e shpejtë dhe e besueshme, që të sigurojë që fletët të vijnë shpejt në KQZ pa manipulim. Është pranuar si koncept.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.