Sport

Juria s’di të zgjedhë mes Hamilton dhe Mesit, i shpall të dy fitues

Për herë të parë në 20 edicionet e “Laureus”, për çmimin e parë ka pasur barazi mes Ljuis Hamiltonit dhe Lionel Mesit, kampionit të Formula 1 dhe yllit argjentinas të Barcelonës. Ne eventin e organizuar në Berlin ata janë shpallur fitues të edicionit të 20-të të “Laureus World Sportsman of the Year”.

Hamilton dhe Mesi janë shpallur të dy “Sportistët e vitit” dhe kjo ndodh për herë të parë në historinë e çmimit prestigjioz, ku juria nuk mundi të zgjidhte një fitues të vetëm. Ceremonia është prezantuar nga aktori Hugh Grant dhe legjendat e sportit në të kaluarën dhe në të tashmen. Çmimin “Sportistja e vitit” e ka fituar gjimnastja amerikane Simone Biles, e cila vlerësohet për herë të tretë në këto 4 vitet e fundit.

Sophia Floersch, pilotia gjermane e rikthyer pas aksidentit të tmerrshëm. Gazeta Si, 18 shkurt 2020

Çmim ka fituar edhe një pilote femër. Çmimin “Rikthimi i vitit” e ka gjermania Sophia Floersch, e cila është vlerësuar për kurajën e fortë dhe vullnetin që ka treguar për të kaluar momentet më të vështira. Me shpejtësinë 276 kilometra në orë, pilotja e Formula 3 humbi kontrollin e makinës në pistën e Makaos dhe u përplas me barrierat mbrojtëse, duke pësuar fraktura në shtyllën kurrizore. Ajo iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati 11 orë. Iu deshën muaj për t’u rehabilituar dhe në nëntor të 2019-ës 18-vjeçarja u kthye të garonte pikërisht në Makao.

Për sa i takon fituesve në nivel skuadrash, “Skuadra më e mirë e vitit” është shpallur kombëtarja e Afrikës së Jugut në regbi, duke dalë para Liverpulit të Jurgen Klop dhe kombëtares së Amerikës në futboll për femra. Në kategorinë e sportistëve me aftësi të kufizuar është shpallur fituese Oksana Masters, e cila ka lindur me një problem në këmbë për shkak të ndikimit të lëndëve radioaktive të Çernobilit. Ajo është adoptuar nga një baba amerikan dhe është vlerësuar për 2019-ën e jashtëzakonshme, ku fitoi 5 medalje ari dhe 1 argjendi në kampionatin botëror të skive alpinë.

Oksana Masters, fituese e çmimit "Sportisti më i mirë me aftësi të kufizuara". Gazeta Si, 18 shkurt 2020

Lista e plotë e fituesve:
Sportisti i vitit – Lewis Hamilton dhe Lionel Mesi
Sportistja e vitit - Simone Biles
Skuadra e vitit - Kombëtarja afrikano-jugore e regbisë
Zbulimi i vitit - Egan Bernal
Rikthimi i vitit - Sophia Flörsch
Sportisti i vitet me aftësi të kufizuara - Oksana Masters

Çmimet “Laureus” organizohen nga fondacioni “Laureus Sport for Good”, i krijuar në vitin 2000 dhe i frymëzuar nga Nelson Mandela, me objektivin e promovimit të sportit si instrument për të edukuar të rinjtë dhe për të ingranuar edhe ata me aftësi të kufizuara. Nga viti 2000 ky fondacion ndërkombëtar ka zhvilluar projekte në 40 vende të ndryshme. Më shumë se 1 milionë fëmijë ia kanë dalë të shkëputen nga varfëria dhe dhuna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë