Njerez

“Jam alergjike ndaj ujit…”

Nga Rachel Warwick - E doja shumë ujin kur isha e vogël. Shkoja në pishinë çdo javë dhe mund të rrija aty me orë të tëra. Por kur isha rreth 12 vjeç, vura re një ndryshim. Pasi isha në pishinë, ndjeja kruarje. Fillimisht, ishte diçka që nuk i vura shumë rëndësi por u përkeqësua në adoleshencë deri në pikën ku kisha gjithë kohës një skuqje, kruarje dhe djegie. Këtu mendova se duhet të shoh dikë.

Kur shkova te mjeku, ata më thanë të ndërroja sapunin dhe e nuk ishte asgjë. Por ndjesia e djegies u përkeqësua. Unë shkova tek një mjek tjetër që dinte për këtë shqetësim dhe më tha se kam “urtikarie akuagenike”, një alergji nga uji. Është tepër e rrallë dhe vetëm 100 raste janë të regjistruara në mjekësi.

Mjeku më këshilloi të kufizoja dushet e mia në një në javë. Kur bëj dush, ndiej një ndjesi shpimi gjilpërash nën lëkurë pas disa minutash. Pastaj përparon në një ndjesi kruajtjeje, sikur ka diçka që më pickon në pjesën e brendshme të lëkurës. Fillon të më djegë dhe më duket sikur lëkura ime po më fryhet.

Në varësi të kontaktit që kam pasur, mund të duhen deri në dy orë që lëkura të qetësohet përsëri. Më thanë gjithashtu se duhet të shmangja shiun. Duhej të filloja të vishja pallto për të mbrojtur lëkurën time kur isha jashtë, veçanërisht nëse parashikimi i motit ishte i keq dhe nëse fillon të bjerë shi ndërsa unë jam jashtë, unë duhet të shkoja në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur.

Edhe të qash është problem për mua. Nëse qaj, kjo e bën lëkurën time të nxehtë, më kruhet dhe më fryhet kështu dukem sikur të kisha bërë shumë botoks. Sytë më fryhen dhe duket sikur janë kruar me letër zmerile.

Nuk ka shërim për urtikarinë akuagjene dhe ndërsa mund të menaxhohet, nuk mund të thuhet se çfarë do të funksionojë për çdo individ me këtë gjendje. Unë bëj atë që mundem, pi shumë qumësht për të shmangur kontaktin me ujë, burri im bën çdo punë që ka të bëjë me ujin dhe kam provuar të ndryshoj temperaturën e ujit por përsëri nuk ndryshon asgjë.

Një kompani televizive gjermane, e cila kishte dëgjuar për gjendjen time, pagoi që unë të fluturoja për në Berlin në një qendër alergjie. Disa nga ilaçet që ata përdorin kanë funksionuar për njerëzit e tjerë me këtë gjendje, por nuk janë në dispozicion këtu(Britani). Shpresoja se mund të ndihmonte, por doli të ishte një udhëtim i humbur. U përpoqa të bëja pyetje, por ishte e pamundur të merrja përgjigje. Sapo kamerat të fikeshin, do të më duhej të paguaja për trajtimin tim, me një kosto prej rreth 1000 paund në muaj. Nuk kishte asnjë mënyrë që të mund ta përballoja atë.

Fatmirësisht, situata ime nuk është e rrezikshme për jetën. Për të tjerët, është. Unë njoh njerëz që u është dashur të shkojnë në urgjencë disa herë në vit sepse nuk mund të marrin frymë. Është totalisht një ndjesi e shëmtuar, rraskapitëse.

Unë do të doja që njerëzit të ishin pak më të dashur me këtë problem. Mua më kanë qeshur njerëzit kur ju kam thënë problemin që kam.

Ata thonë gjëra të tilla si: "Por ne jemi të përbërë nga uji, si mund të jesh alergjike ndaj tij?" Nuk kam ende përgjigjen për këtë. Unë thjesht e di se jam.

Unë jam anëtarësuar në një grup në internet ku jemi të gjithë ne që vuajmë nga e njëjta gjë dhe gjithashtu drejtoj një grup sensibilizues në Facebook. Ka rreth 1000 anëtarë, kështu që ndërsa gjendja është ende tepër e rrallë, është ndoshta më e zakonshme sesa e kuptojnë mjekët.

Unë ende notoj herë pas here por i vuaj pasojat. Kur jam me pushime, kur është nxehtë, filloj të djersitem, gjë që më bën të kruhem, atëherë shoh pishinën dhe dua të hyj dhe e di se nëse futem në ujë, do të mbulohem nga njolla të kuqe dhe kjo gjë është e tmerrshme.

Do të më pëlqente vërtet nëse do të bëhej më shumë hulumtim, në mënyrë që të kemi më në fund diçka që mund të ndihmojë. Edhe sikur të jenë thjesht sprova, do të isha më se e lumtur të merrja pjesë. Do të më pëlqente të notoja pa dhimbje përsëri një ditë.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë