Biznes

Jahtet e huaja përfitojnë çmime të lira karburanti, ato më flamur shqiptar jo

Një një ditë në Sarandë, anijet e huaja që furnizohen në port marrin naftë më lirë sesa fermerët në një vit

Anijet turistike vendase që operojnë në bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror janë shprehur për gazetën “Si” se ndonëse cilësohen si subjekte turistike nuk përfitojnë nga “turizmi i naftës”, naftë me çmim më të lirë, pa akcizë. 

Ndërkohë, anijet dhe jahtet e huaja furnizohen në portet detare të Shqipërisë me karburant me çmim të bursës, 50 lek për litër.

 “Ne marrim 1.500 litra naftë njëherësh dhe nuk na ofrohet asnjë reduktim në çmim”, -tregon Valbona, përfaqësuesja e anijes turistike “Black Pearl Albania”.

Ajo tregon edhe se këto anije kanë bërë shumë herë kërkesa që të përfitojnë ulje të vlerës së naftës, por nuk është marrë kurrë parasysh.  

Valbona  tregon se kanë përfituar disa lehtësira për shkak të pandemisë, por asgjë më shumë.

Këto anije kënaqësie nuk përfitojnë as ulje të TVSH-së nga 20% në 6% si subjektet e tjera.

Anije per udhetime turistike brenda ne gjirin e Sarandes me flamur shqiptar

Dori, përfaqësuesi i anijes turistike “ Si Saranda” me  kapacitet më të madh në Sarandë thotë se  të paktën vendosja e biznesit të udhëtimeve turistike me anije me të njëjta kushte me subjektet turistike në tokë, do të ishte së pari një  barazi në konkurrencë, por dhe do ti ndihmonte këtë lloj industrie të re që po lulëzon, të ngrihej, të kishte më shumë kapital për shërbimet ndaj anijeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit dhe sigurisë.

“Është një sipërmarrje që i duhet Shqipërisë, e cila e ka ende  të pazhvilluar mirë lundrimin turistik” –thotë Dori.

Megjithatë, agjentët turistikë në këtë fushë ende nuk kanë formuluar bashkarisht si grupe interesi një kërkesë qeverisë.  Ata shpresojnë se do të mblidhen të paktën pas sezonit të verës i cili edhe pse ka nisur nuk është në nivelin e duhur. 

Nga ana tjetër, as peshkarexhat vendase megjithëse kanë kohë që  përfitojnë  naftë pa akcizë, nuk përfitojnë çmim të ulët sa jahtet luksoze të huaja.

Në vitin 2015, Kryeministri i vendit, Edi Rama njoftoi për nisjen e një operacioni në tregun e naftës që do të ndalonte abuzimet dhe do të ndihmonte ekonominë. Në fakt,  sipas ekspertëve të ekonomisë, shtetit shqiptar, kjo skemë i ka kushtuar milionë euro dëme. Dhe nuk ka marrë asgjë më shumë se sa ndotje dhe korrupsion.

Shpeshherë në media, në këndvështrime të ndryshme bëhet e ditur se jahtet luksozë që furnizohen në portin e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit i përkasin miliarderëve rusë e arabë që për dy orë ( sepse ndalohet të qëndrojnë më shumë) duhet të furnizohen me aq naftë sa në një vend tjetër do t’i kushtonte 200, 300, 500 mijë dollarë më shumë.

Eksperti dhe specialisti i terrenit, Ervin Resuli shton për gazetën “Si” se përveç fenomeneve të lartë përmendura, nafta që u jepet pothuajse falas anijeve të  huaja, kalon edhe masën e naftës që qeveria ka vendosur në dispozicion për fermerët.

Z.Resuli përmend edhe faktin se anijet dhe jahtet e huaja e marrin naftën me 50 lek për litër, ndërsa fermerët që përfitojnë nga subvencioni e marrin me 85 lek për litër. Ata që nuk përfituan nga skema qe janë rreth 40.000 fermer e marrin me 1.54 leke të reja litrin

Sipas përllogaritjes së tij,  10 milion euro  ÷ 1.3euro/ litri = 7.692.308 litra naftë subvencion për fermerët.

“Brenda 24 orëve në portin e Sarandës mund të furnizohen 17 jahte të mëdhenj që marrin minimalisht 500.000 litra  dhe mbi 20 të vegjël që marrin minimalisht 100.000 litra. Pra, në Portin e Sarandës janë tërhequr afërsisht 10.500.000 litra naftë, të zhveshura nga të gjitha detyrimet dhe taksat,”- u shpreh z.Resuli.

Pra, nafta për fermerët e gjithë vitit është gati njësoj me  naftën që furnizohen jahtet në 1 ditë vetëm në portin e Sarandës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë