Taksa

Nafta për jahtet që furnizohen në Shqipëri do të taksohet me 65 lekë/litër

Ministria e Financave ka propozuar një projektligj që synon vendosjen e taksës 65 lekë për litër nafte për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, të cilat furnizohen me karburant në zonat e lira doganore dhe magazinat doganore.

Taksa 65 lekë përfshin akcizën 37 lekë, taksën e qarkullimi 27 lekë dhe karbonin 1.5 lekë. Pasi depozitohet në zonë të lirë, karburanti shkon për import në Republikën e Shqipërisë për të cilin paguhet  taksa  doganore, akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, TVSH dhe rieksport, ku një pjesë të konsiderueshme e zë furnizimi i mjeteve lundruese për qëllime argëtimi, për të cilin niveli i taksimit është zero, rreth 18 mijë ton në vit.

Sipas relacionit të projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, që sqaron ndryshimet, këto mjete lundruese, si p.sh jahtet e huaja furnizohen pa taksa,  pasi konsiderohen si furnizime qe ndodhin jashtë territorit të RSH., për pasojë dhe çmimi me të cilin, jahtet e blejnë karburantin është shumë i ulët.

Aplikimi i taksës prej 65 lekë/litër është e ulët se ajo e karburantit që importohet në kushte normale, për të cilin taksat në total janë rreth  90 lekë/litër taksa (TD+A+TQ+TK+TVSH).

Herë pas here, por më së shumti gjatë sezonit veror, bregdeti shqiptar vizitohet nga jahte luksoze të cilat furnizohen me naftë 50 lekë për litër në vendin tonë. Kjo veprimtari nxiti debate dhe akuza kundrejt qeverisë.

Ky aplikim është në analogji dhe me direktivën e Këshillit Europian 2003/96/EC e 27 Tetorit 2003 “Ristrukturimi i kuadrit të Komunitetit për taksimin e produkteve të energjisë dhe të energjisë elektrike”. Kjo, pasi sipas kësaj direktive janë të përjashtuara nga akciza lëndët djegëse për furnizimin e mjeteve lundruese përveç ‘mjeteve lundruese private të argëtimit’ edhe kur ky furnizim kryhet brenda ujërave të Komunitetit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë