Analize

Italia në kërkim të dëshpëruar për më shumë vaksina

Nuk është për t'u habitur fakti që Italia ishte kombi i parë i Bashkimit Europian që tha se do të rifillonte vaksinimi me AstraZeneca, vetëm pak çaste pasi rregullatori i Bashkimit Europian dha dritën jeshile për sigurinë e saj.

Vendi fqinj është përballur me më shumë vdekje se çdo vend tjetër në BE dhe ekonomia e saj është më e brishtë se shumica e vendeve të tjera anëtare. Kryeministri Mario Draghi sapo ka marrë detyrën, por nëse nuk përshpejton fushatën e vaksinimit, së shpejti do të përballet me vullnetin e mirë politik dhe popullor që e solli në pushtet.

Vendimi i Agjencisë Europiane të Barnave erdhi disa orë pasi Draghi shpalli një ditë zie kombëtare për viktimat e Italisë nga Covid-19. Ai ndodhej në Bergamo, qyteti në dalje të Milanos që një vit më parë u bë një nga fushëbetejat më vdekjeprurëse të pandemisë. Por tani që janë në dispozicion vaksinat, kryeministri nuk ka se si të justifikojë përkeqësimin e pandemisë dhe humbjen e jetëve.

Italia e Veriut ishte vendi i parë jashtë Kinës ku u “vërsul” pandemia, dhe vazhdon të mbetet rajoni më i goditur në botë. Një vit më vonë, kostoja njerëzore vazhdon të rritet. Italia është vendi më i vogël që ka regjistruar më shumë se 100,000 vdekje nga Covid-19. Këtë muaj vendi fqinj hyri në një bllokim të ri, por numri i të infektuarve vazhdon të rritet.

Ashtu si pjesa tjetër e BE, Italia është shumë java mbrapa planit për të vaksinuar 70% të popullsisë së deri në verë. Krahasuar me Mbretërinë e Bashkuar, ku 38.5% e njerëzve kanë marrë të paktën një dozë, në Itali kjo shifër është 8.4%. Në vendin fqinj, çdo javë vonesë në vaksinimin e popullsisë është e barabartë me 2 miliardë euro kosto në ekonomi.
Ç'është më e rëndësishmja, Italia ishte në një gjendje të rënduar financiare edhe para se të goditej pandemia.

Ajo ishte i vetmi vend i G7-ës që nuk kishte parë kthimin e rritjes ekonomike në nivelet e para vitit 2007, dhe të ardhurat e saj për frymë janë të njëjtat me ato të vitit 1998. Për më tepër, shtylla kurrizore e ekonomisë italiane është biznesi i vogël dhe i mesëm, i cili është veçanërisht i prekshëm nga pandemia. Në Francë për shembull, ekonomia përbëhet nga firma të mëdha, shumëkombëshe ndërsa në Itali bizneset mbështeten shumë në borxhin e bankave pasi 40% e aktiveve të ndërmarrjeve italiane financohen nga hua afatshkurtra. Kjo kufizon investimet dhe i bën punëdhënësit e Italisë më të prekshëm nga goditjet makroekonomike.

Ekspertët vlerësojnë se firmat e vogla dhe të mesme kanë humbur deri në 65 miliardë euro të vlerës së kapitalit gjatë pandemisë. Kompanitë në sektorët më të goditur, si logjistika dhe transporti, mund të kenë humbur deri në 15% të vlerës së tyre të kapitalit gjatë vitit të kaluar.

Draghi, ish president i Bankës Qendrore Europiane, i cili mori detyrën një muaj më parë, e kupton nevojën urgjente për shtimin e ritmit të vaksinimit. Ai ka caktuar një komisioner vaksinimi dhe një komitet teknik shkencor për ta këshilluar.

Këtë muaj, Italia ishte vendi i parë i BE-së që përdori rregulloret e reja të bllokut për bllokimin e eksporteve të vaksinave nëse kompanitë farmaceutike nuk kishin përmbushur detyrimet ndaj BE-së. Policia italiane bllokoi eksportin në Australi të 250,000 dozave të AstraZeneca të prodhuara në Itali.

Vendimi i Italisë për të pezulluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca përpara vendimit të EMA mbi rreziqet e mpiksjes së gjakut nuk ishte i lehtë dhe kishte të bënte më shumë me ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Fondi i rimëkëmbjes se BE-së nga pandemia u sigurua me mbështetjen gjermane dhe franceze pavarësisht kundërshtimit të Holandës dhe Austrisë dhe Draghi e di se sa thelbësore është një mbështetje e tillë ekonomike për Italinë. Kjo është kriza e dytë ekonomike e Italisë në një dekadë dhe dëmi shoqëror është i pallogaritshëm.

Një shpërndarje e shpejtë e vaksinave është jetike edhe në mënyrë që Draghi të mbajë pushtetin As ai dhe as BE nuk dëshiron një përsëritje të verës së vitit 2019, kur lideri i Lidhjes Matteo Salvini mbledhi mbështetjen e mjaftueshme popullore për të ngritur një qeveri të ekstremit të djathtë në zemër të Europës. /Bloomberg/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë