Vendet anëtare të Bashkimit Europian pritet të shtyjnë të martën vendimin mbi hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për në shtator, pasi pothuajse të gjitha kryeqytetet europiane duket se kanë bërë të ditur se janë gati të japin “dritën jeshile” për Shkupin, ndërsa verdikti për Tiranën mbetet deri më tani “jo”.
Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët dhe diplomatët e BE-së, të cilët theksojnë për Euractiv se nuk mund të marrin një vendim të menjëhershëm, pasi Gjermania nuk e ka diskutuar ende këtë çështje në parlament. Gazeta e njohur zbulon se aleati i patundur i Shqipërisë është deri më tani qeveria e Italisë fqinje, e cila ka këmbëngulur vazhdimisht që vendi ynë mos të shkëputet nga Shkupi.
“Një diplomat thotë se në mesin e shumicës së vendeve që mbështesin zgjerimin (deri në 15 qeveri), vetëm Italia këmbëngul që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë mos të shkëputet nga ai i Maqedonisë së Veriut”, shkruan “EUROACTIV”.
“Ndërkohë, po krijohet një konsensus për ecjen përpara të Maqedoninë e Veriut, Shqipëria po lufton për të marrë dritën jeshile nga 28 vendet anëtare”, thanë burimet.
Sipas gazetës, shkëputja e Shkupit nga Tirana duket tanimë opsioni më i mundshëm, pasi disa nga skeptikët më të mëdhenj rreth zgjerimit janë gati të japin bekimin e tyre vetëm për Maqedoninë e Veriut.
“Një diplomat i BE-së deklaroi se kishte përshtypjen se Brukseli nuk do të refuzonte hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, pasi kjo çështje u diskutua nga ambasadorët e BE-së javën e kaluar”, shkruan media e njohur europiane.
“Diskutimi i ambasadorëve ishte i gjatë dhe i vështirë, por Shqipërisë iu refuzua drita jeshile nga qeveria holandeze”,tha një diplomat tjetër.
Vetëm Franca po shqyrton ende pozicionin e saj. Një diplomat francez tha se Parisi po "reflekton nëse do të mbajë të njëjtin pozicion si Holanda për Maqedoninë e Veriut”.
“Në rastin e Shqipërisë, hapja e procesit është i parakohshëm", deklaroi ai.
Një tjetër diplomat shpjegoi se Parisi dhe Komisioni Europian janë pro nisjes së bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, por se fillimisht duhet të vendosin nëse do të shkëputin procesin e anëtarësimit të të dyja vendeve. Një zyrtar i BE-së insistoi që Komisioni nuk do të bënte një propozim të tillë dhe së topi është tanimë në portën e Këshillit të BE-së.
Në një intervistë ekskluzive me EURACTIV javën e kaluar, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pranoi se "problemi më i madh" ishte shkëputja nga Shqipërinë.
"Shqipëria është tani në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe situata po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi tjetër përveçse të kërkojmë shkëputjen? "tha ai.
Pyetja tjetër e rëndësishme është koha kur shtetet anëtare do të marrin vendimin. Ambasadorët e BE pritet të punojnë edhe sot mbi formulimin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së.
Shumica e vendeve, Komisioni dhe Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm janë në favor të hapjes sa më shpejt të bisedimeve. Megjithatë, Franca, Holanda dhe Danimarka argumentuan se kishin nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar progres-raportin e Komisionit Europian përpara se të merrnin një vendim.
Zyrtarët e BE-së shpjeguan se vendimi do të merrej "sa më shpejt që të jetë e mundur," dhe jo më vonë se shtatori ". Ndërkohë, grupi që mbështet zgjerimin ka shtuar trysninë gjatë ditëve të fundit, duke i bërë presion Parisit, Berlinit dhe Amsterdamit.
Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta bënë publike mbështetjen e tyre për Tiranën dhe Shkupin më 11 qershor, kur hartuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar hapjen e negociatave.
“EURACTIV” bën po ashtu të ditur Suedia, Greqia dhe Britania e Madhe, të cilët nuk e nënshkruan këtë draft, i dolën po ashtu në mbrojtje perspektivës europiane të Shkupit dhe Tiranës gjatë diskutimeve të javës së kaluar midis ambasadorëve të BE-së.
Në veçanti, Suedia tha se shtetet anëtare duhet të mbajnë premtimin e bërë vitin e kaluar. Zgjerimi dhe bisedimet e pranimit ka të ngjarë të diskutohen nga udhëheqësit e BE gjatë gjithë kësaj jave. Franca ka deklaruar paraprakisht se preferonte të priste rezultatet samiti që do të mbahet në Luksemburg të martën. Por Holanda tha gjatë diskutimeve përgatitore se BE duhet të ketë prioritet kredibilitetin e vetë procesit, duke deklaruar se Shqipëria nuk ka arritur rezultate të kënaqshme.
Financial Times: Reforma në Drejtësi, shpresa e fundit e Shqipërisë
Për gazetën prestigjioze “Financial Times”, Shqipëria i është nënshtruar një reforme të thellë të sistemit gjyqësor dhe meriton të shpërblehet me këtë. Gazeta britanike i ka dedikuar një artikull hapjes së të negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke e vënë theksin tek Reforma në Drejtësi dhe hapat që vendi ynë ka ndërmarrë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
“Salla e Gjykatës së Lartë është mbushur me stivat e dosjeve të mbetura pa shqyrtuar dhe duket sikur koha ka ndaluar për këtë hallkë të gjyqësorit. Puna në gjykatë ka ndaluar plotësisht, pasi vetëm dy nga 17 gjyqtarët mbeten në detyrë pas procedurës së rreptë të vettingut, që u zhvillua për të hetuar akuzat lidhur me korruptimin e gjyqësorit. Ky pastrim bëhet edhe për të kënaqur një nga partnerët më të rëndësishëm dhe më të vështirë të Shqipërisë: BE-në”, shkruan “Financial Times”. Megjithatë as ky spastrim i sistemit të drejtësisë, që ka shkaktuar grumbullimin pirg të 30,000 çështjeve gjyqësore të Gjykatës së Lartë, lënë pa shqyrtuar, dhe as bashkëpunimi me trupat e sigurisë kufitare të BE-së nuk kanë mjaftuar që Shqipëria të marrë deri tani ftesën e shumëpritur për të filluar bisedimet zyrtare për anëtarësimin në bllok. Komisioni Europian, organi ekzekutiv i BE-së në Bruksel rekomandoi që blloku të fillojë negociatat këtë vit. Por shtete anëtare, të cilat do të kenë fjalën e fundit, janë ende të lëkundura si për Shqipërinë ashtu edhe për fqinjin e saj, Maqedoninë e Veriut, ndërsa pritet takimi kyç i kësaj jave”, thekson gazeta.
“Asnjë vend tjetër në botë nuk ka zhvilluar një reformë drejtësie kaq të thellë,” deklaroi Luigi Soreca, Ambasadori i BE-së në Shqipëri për Financial Times.
Gazeta britanike vë në dukje se pas zgjerimit më madhor të BE-së në vitin 2004, kur iu bashkuan 10 anëtarë të rinj, përfshirë shtetet nga ish-Blloku Sovjetik, anëtarësimi konsiderohet si një mënyrë e BE-së për të rritur ndikimin dhe për të shpërndarë vlerat e saj, përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe shtetin ligjor.
“Por pakënaqësia me standardet e qeverisjes në shumë nga shtetet anëtare, ka sjellë një lodhje nga zgjerimi në BE. Tirana duhet të bindë shtetet si Franca, Gjermania dhe Holanda që të nisin bisedimet në vjeshtë”, shkruan “Financial Times” .Shtetet që janë dakord për fillimin e negociatave me Shqipërinë thonë që vendi po bën më shumë se sa kanë bërë vende që janë anëtarësuar kohët e fundit, duke zhvilluar reforma rrënjësore dhe prandaj duhet shpërblyer. Nën presion të madh nga Uashingtoni dhe Brukseli, parlamenti shqiptar votoi në mënyrë unanime ligjin për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, nisur nga tre kritere : integritetin e tyre, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale, duke vlerësuar edhe çështjet e mëparshme të gjykuara prej tyre. Nga 150 persona që janë vlerësuar, gati 60% janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen. Ka akoma qindra që duhen vlerësuar”, thekson gazeta.
“Mund të shohësh Hungarinë, Rumaninë, Sllovakinë, Poloninë, ose shtete të tjera të cilat janë anëtarësuar së fundmi, sektori më problematik në të gjitha shtetet mbetet sistemi gjyqësor. Në retrospektivë, do të kishte qenë më mirë që këto shtete të kishin zbatuar një proces të ngjashëm,”tha një komision zyrtar i nivelit të lartë në Bruksel për Financial Times.
Sipas medias së njohur britanike, Shqipëria po bën edhe shumë reforma të tjera për të bindur BE-në që është gati të fillojë bisedimet për anëtarësim, përfshirë këtu edhe bashkëpunimit me FRONTEX, “Pranë fshatit juglindor të Kapshticës, në kufi me Greqinë, komandanti i policisë Emiljano Resulaj po bashkëpunon me 50 oficerë të BE-së nga forca kufitare FRONTEX për të shuar shqetësimet e tyre mbi trafikun e drogës dhe emigrimin e paligjshëm Në kufi, udhëtarët presin në radhë që tu kontrollohen dokumentet”, thotë “Financial Times”.
Gazeta vë në dukje edhe raportin e Komisionit Europian, i cili vlerësoi se Shqipëria ka bërë një përparim domethënës në luftën kundër prodhimit të kanabisit.
“Pavarësisht disa prej problemeve që ka sistemi, kjo është gjëja më e mirë që ka ndodhur në Shqipëri në 20 vite; ky është sinjali i shpresës,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit Shqiptar për Shkencat Politike, i cili monitoron procesin e vettingut.
Megjithatë në shkrim thuhet se opozita ka dalë në rrugë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, ndërkohë dhe se kjo situatë nuk është aspak bindëse për disa vende të BE-së, për të dhënë dakordësinë për çeljen e negociatave.
“Gjendja e brendshme politike tregon një anë aspak tërheqëse për BE-në. Që nga shkurti, partitë opozitare kanë bojkotuar parlamentin dhe kanë zhvilluar protesta të dhunshme, duke akuzuar Partinë Socialiste në pushtet për vjedhje votash dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Një nga ish-ministrat e drejtësisë së qeverisë Rama, do të gjykohet së shpejti për akuzat lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike. Nga ana tjetër, Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, është thirrur në prokurori për tu pyetur mbi akuzat që rëndojnë mbi të për pastrim parash, të cilat ai i konsideroi akuza politike”, shkruan gazeta britanike. “Javën e kaluar, Presidenti Ilir Meta deklaroi se do t’i shtynte zgjedhjet e përcaktuara për në fund të këtij muaji, por nuk caktoi një datë të re. Rama i kërkoi parlamentit të shkarkojë Presidentin Meta, por mungesa e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese e pengon mundësinë për shkarkimin e presidentit”, shton ajo.
“Financial Times” shkruan se disa shtete anëtare që janë pro zgjerimit po mundohen ta mbajnë çështjen e Shqipërisë të lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ata shpresojnë që Tirana do përfitojë nga dashamirësia për Shkupin.
“Një mesazh negativ nga Brukseli mund të dëmtojë reformat për të cilat u deshën vite të tëra pune,” tha Krasniqi. “Ne duhet të kemi një perspektivë, të dimë që ka shpresë për ne. Nuk bëhet fjalë për tu anëtarësuar, por për të nisur negociatat.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.