Rend dhe Ligj

Ishte shpallur në kërkim pasi kishte prodhuar 29 kg kanabis, arrestohet 27-vjeçari

Një 27-vjeçar i shpallur në kërkim nga policia për kultivim të lëndëve narkotike është arrestuar nga policia e Shkodrës.

N. H. u prangos pasi në kuadër të fazës së 13 të megaoperacionit “Alpe të pastra” u zbuluar se kishte kultivuar 280 bimë cannabisi dhe kishte prodhuar 29 kilogramë të kësaj lënde.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar 27-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më datë 18.08.2023, shërbimet e Policisë së Shkodrës, në kuadër të fazës së 13 të megaoperacionit policor “Alpe të pastra”, gjetën të kultivuara në afërsi të banesës së shtetasit N. H., 280 bimë narkotike cannabis sativa, si dhe 4 thasë të mbushur me rreth 29 kilogramë të kësaj lënde narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë