Ngjarje

Ishin ulur në fund dhe thyen xhamat, si i mbijetuan zjarrit 7 nga pasagjerët e autobusit në Bullgari

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani është shprehur se të mbijetuarit kanë thënë se ka pasur një goditje anësore të autobusit dhe më pas kanë shpërthyer menjëherë nga flakët që e kanë përfshirë për disa sekonda të gjithë mjetin.

Duke folur për tragjedinë që i mori jetën 46 turistëve nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, Osmani tha se 7 personat që kanë mbijetuar, kanë qenë të ulur në fund dhe kanë pasur mundësinë që të thyejnë xhamat.

Të tjerët që kanë qenë të ulur përpara janë përfshirë menjëherë nga flakët. Mes viktimave ka edhe fëmijë të moshës 5-vjeçare.

“Ne kemi përshtypjet e para nga ajo që biseduam me të mbijetuarit. Më e drejtë do jetë të presim hetimet profesionale. Njerëzit na thanë që pas një goditje anësore të autobusit me bankinat, kanë shpërthyer flakët, të cilat nga pjesa e përparme e autobusit dhe për disa sekonda kanë kapur tërë autobusin. Ata që kanë qenë ulur në fund të autobusit kanë pasur disa sekonda mundësi për të dalë dhe këta janë ata 7 të mbijetuarit nga të cilët janë dy familje në fakt, një vajzë 16 vjeçare, kurse të tjerët nuk kanë mundur t’i mbijetojnë. Për fat të keq ka edhe shumë fëmijë. Ka nga ata që ishin vetëm 5 vjeç”, tha ai.

Ministri i Jashtëm ka thënë se kryesisht në autobus kishte shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, por edhe të komuniteteve të tjera. Osmani u shpreh se ka nisur puna mes të dy prokurorive për të zbuluar shkaqet e tragjedisë.

“Shtetas të Maqedonisë së Veriut, mirëpo shqiptarë kryesisht. Por edhe ka pasur edhe të komuniteteve të tjera. Ka qenë për shkak se dje ishte festa e alfabetit dje dhe nuk punohet. Ishte fundjavë e zgjatur dhe njerëzit shfrytëzuan këtë mundësi për të dalë. Kryesisht njerëz të rinj, kryesisht çifte të reja, të cilët ishin për turizëm në Stamboll dhe për fat të keq përfunduan në tragjedi. Ministria e Brendshme ka rënë në kontakt me ta, por është herët është për të dhënë konkludime. Po presim që ekspertë të mjekësisë ligjore nga Shkupi të dërgohen në Sofje. Fillimisht duhet të identifikohen trupat e pajetë që t’i marrin familjarët. Familjarët janë mbledhur rreth spitalit në Sofje, kërkojnë informacione shtesë”, - vijoi Omani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë