Ngjarje

Tragjedi në Bullgari/ Autobusi përplaset dhe merr flakë, 46 viktima nga Maqedonia e Veriut. Shumica me origjinë shqiptare (Video)

Të paktën 46 persona kanë humbur jetën gjatë natës në Bullgari nga përplasja e një autobusi që transportonte kryesisht qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Por mes viktimave, dyshohet se ka edhe shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe qytetarë serb.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bullgare, Stanimir Stanev, në një prononcim për "Deutsche Welle", ka deklaruar se në autobusin e përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm po udhëtonin 52 pasagjerë dhe thuajse të gjithë kanë qenë me origjinë shqiptare, ndërsa dy shoferët ishin me origjinë maqedonase.

“Sipas informacioneve të para 52 pasagjerë ishin duke udhëtuar me autobusë, përfshirë dy shoferë me kombësi maqedonase dhe 50 pasagjerë me kombësi shqiptare”, ka thënë ai. Ndërkohë, mediat lokale raportojnë se mes viktimave janë edhe 12 fëmijë.

Autobusi është i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, e cila ka transportuar turistë për ekskursion në Stamboll, shkruan "Zhurnal".

Viktimat kryesisht janë fëmijë dhe të rinj të moshës 20-30 vjeç, nga Shkupi, Strumica, Manastiri dhe Velezhi.

Aksidenti ndodhi "në autostradën 40 km në jug të Sofjes", tha komisioneri Nilolay Nikolov, kreu i shërbimit emergjent të fatkeqësive, duke shtuar se "shtatë pasagjerë u shpëtuan".

7 personat e plagosur, 2 gra dhe 5 burra janë në spital në Sofje dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë pësuar djegie në fytyrë dhe në rrugët e frymëmarrjes. Sipas mediave bullgare, ata mundën të mbijetonin pasi u hodhën nga dritaret e autobusit.

Autobusi, një nga tre që po udhëtonin në kolonë, ku udhëtonin 51 pasagjerë dhe 2 shoferë, ka hyrë përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo pak pas orës 21:00, në mesnatë ka ndaluar në një pikë karburanti dhe rreth orës 2.00 ka ndodhur aksidenti tragjik. Autobusi ka thyer rreth 50 metra mbrojtëse metalike të rrugës dhe më pas ka shpërthyer në flakë.

Shkaqet e aksidentit të rëndë nuk dihen ende, ndërsa sipas ekspertëve shkaqet mund të jenë tre: një problem teknik, një problem shëndetësor që mund të ketë pësuar shoferi që ishte në timon ose përgjumja e tij.

Ministri i Brendshëm në detyrë i Bullgarisë, Bojko Rashkov e përshkroi aksidentin si ngjarjen më të tmerrshme që kishte parë ndonjëherë. "Pamjet janë të tmerrshme, jo të gjithë mund t'i durojnë. Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë në jetën time", tha ai.

“Jam në kontakt me kryeministrin Stefan Janev, i cili tashmë ka vizituar njerëzit. Pata mundësinë të bisedoja me një nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur në autobus kur u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia arritën. Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre – 12 – janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia”, tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë