Ngjarje

Aksidenti tragjik me autobus, prokuroria bullgare: U gjetën 44 viktima, jo 46! Bie pista e karburantit rezervë

Në autobusin e djegur në aksidentin tragjik në Bullgari, u gjetën 44 viktima dhe jo 46, ndërkohë që 8 turistë kanë shpëtuar nga flakët.

Zëvendës-kryeprokurori i Bullgarisë, Borisllav Sarafov, ka pranuar se janë 8 persona që kanë shpëtuar dhe jo 7, kurse në spital janë duke u kuruar vetëm 7 të lënduar.

“Janë gjetur 44 trupa të djegur. Sipas të mbijetuarve ka pasur 8 të shpëtuar, kurse në spital janë duke u kuruar vetëm 7 të lënduar”, tha ai.

Sarafov shtoi se kontrolli kufitar ka regjistruar 52 pasagjerë në autobus, mes të cilëve edhe turistë: “Ka konstatim se njëri nga pasagjerët ka hipur në një tjetër nga katër autobusët e kësaj kompanie turistike. Kjo ende nuk është vërtetuar dhe aktualisht është një mister për autoritetet”.

Kryehetuesi Sarafov, e interpreton këtë dukuri si mundësi që njëri nga pasagjerët e autobusit të ketë kaluar në njërin nga tre autobusët e tjerë që ishin në kolonë në autostradë me atë të djegur. “Për momentin është një enigmë për ne, por do të jetë objekt hetimi”, tha Sarafov.

Pistat e hetimit: Karburanti rezervë, spekulim

Një problem teknik i autobusit ose një gabim njerëzor, këto janë 2 versionet që japin autoritetet ligjzbatuese bullgare lidhur me shkakun e aksidentit tragjik të ndodhur në Bullgari të martën, ku pjesa më e madhe e viktimave ishin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

Pas dyshimeve të ngritura nga mediat lokale, se shkak i djegies së autobusit mund të kenë qenë depozitat e tejmbushura të naftës, zv.prokurori i Përgjithshëm i Bullgarisë ka hedhur poshtë këtë version.

Borisllav Sarafov është shprehur se në momentin e shpërthimit të zjarrit pasagjerët kanë qenë gjallë.

Sarafov tha se personat që kanë vdekur në aksidentin tragjik në Bullgari, kanë humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi brenda mjetit dhe jo si pasojë e goditjes dhe as shpërthimit të ndonjë depozite nafte apo mjeteve piroteknike siç u përfol n shtyp. “Gjurmë tymi u gjetën në mushkëritë e tyre, që do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit”.

Sipas tij, bidonët me naftë për të cilat po flitet në opinion, mund të thuhet se kanë qenë të zbrazëta dhe me siguri nuk janë arsyeja e tragjedisë.

“Po përhapen informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburantit, benzinës dhe dizelit dhe se këto kanë qenë arsyet e zjarrit. Ai version është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazë. Tre bidonë u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji. Nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Rrjedhimisht, zjarri nuk është shkaktuar nga ata”, - pohoi Sarafov. Prokuroria bullgare, për momentin dyshon për një gabim të mundshëm njerëzor i shkaktuar nga sinjalizimi rrugor.

I të njëjtit mendim kanë qenë edhe autoritetet e prokurorisë së Maqedonisë Veriut, që kanë bashkërenduar hetimet me palën bullgare.

“Në vendngjarje kam parë tuba, por nuk janë djegur. Spekulohet se incidenti është shkaktuar nga ndezja e tubave të naftës rezervë”, shtoi kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski për ‘BTV’-në.

Si ndodhi tragjedia

Rreth gjysmë ore para aksidentit të tragjik, pasagjerët dhe shoferët e autobusit janë ndalur në pikën e karburantit, ku kanë pasur pushim prej 15 minutash dhe për këtë arsye hidhen poshtë teoritë se shoferi i autobusit ka qenë në gjumë.

Me të mbërritur në vendin fatal në autostradë, dyshohet se shoferi ka dalë nga korsia dhe është përplasur në anën e djathtë të parmakëve. Pastaj goma e përparme ka shpërthyer dhe autobusi ka marrë drejtim në të majtë.

Ka goditur parmakun e mesëm dhe ka lëvizur edhe disa metra në mesin e autostradës, pastaj ka ndaluar dhe në pjesën e përparme të autobusit ka shpërthyer zjarr që është përhapur me shpejtësi dhe të madhe që përfshiu të gjithë autobusin

Nga aksidenti tragjik në Bullgari, humbën jetën 44shtetas të Maqedonisë së Veriut, shumica me origjinë shqiptare, ndërkohë që 8 pasagjerë kanë arritur të mbijetojnë falë ndihmës së Lulzim Sulejmanit nga Lugina e Preshevës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë