Ngjarje

Dyshimet për aksidentin tragjik në Bullgari, shpejtësia e lartë dhe gabimet e shoferit

Pistat kryesore të tragjedisë në Bullgari ku humbën jetën 46 turistë nga Maqedonia e Veriut, shumica me origjinë shqiptare, janë tejkalimi i kufirit të shpejtësisë dhe shpërqendrimi i shoferit.

Mediat bullgare bëjnë me dije se dyshohet se fillimisht autobusi ka goditur parmakun anë rrugës, duke e shkatërruar për 50 metra, më pas ai është përplasur me bordurën e asfaltit, ku dyshohet se mund të jetë një ndër shkaqet dhe pse akoma nuk mund të konfirmohet, nëse zjarri ka shpërthyer para apo pas përplasjes.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Rajonale të zonës së Pernikut, Vasko Pirgov, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes, ka thënë se mjeti është ndalur në një pikë karburanti, e cila është vetëm 20 minuta larg vendit ku ndodhi aksidenti.

Pirgov, thotë shoferi me siguri po lëvizte me shpejtësi mbi 100 km/h dhe gabimi i tij ishte se po lëvizte në korsinë e djathtë.

“Fillimisht autobusi goditi gomën e parë djathtas në një shenjë që fluturoi 45 metra përpara. Rruga ishte e përsosur dhe autobusi nuk ka rrëshqitur, thjesht shoferi nuk ka reaguar siç duhet. Me shumë mundësi ka pasur fërkim metal-metal që krijoi shkëndijat duke sjellë më pas edhe zjarrin”, theksoi ai.

Sipas policisë, zjarri filloi nga pjesa e përparme e autobusit, ndërsa në gomat rezervë mësohet se kishte tuba vaji, të cilat kanë shkaktuar përhapjen e zjarrit. Kjo u zbulua nga fakti se rruga ishte e mbushur me vaj.

Drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar, Borislav Sarafov, ka deklaruar se shkak për këtë ngjarje mund të jetë bërë një gabim njerëzor ose një problem teknik i automjetit, një tjetër version është dhe fakti se shoferin mund ta ketë zënë gjumi.

Nga ana tjetër kryetari i Institutit për Siguri Rrugore dhe ish-drejtues i Policisë Rrugore, Bogdan Milçev, është shprehur për mediat, se shkak mund të jetë dhe një atak në zemër apo ndonjë problem tjetër që mund t'i ketë ndodhur shoferit duke bërë që ai të humbasë kontrollin e automjetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë