Politike

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair mbërrin në jug të Shqipërisë për të pushuar

Nga Gazeta 'Si'- Ish-kryeministri britanik, Tony Blair mbërriti në Shqipëri(13 gusht).

Helikopteri Cougar, i ministrisë së Mbrojtjes, kishte udhëtuar nga Italia drejt Himarës, ku Blair dhe bashkëshortja e tij u pritën nga një eskortë shoqërimi. Blair është i ftuar nga kryeministri Edi Rama, i cili prej ditësh po vijon pushimet në vilën qeveritare.

I tërhequr nga politika aktive, drejton institutin "Tony Blair Institute for Global Change”. Ai jep këshilla për udhëheqësit e shumë shteteve. Vetë Rama e pati pajtuar atë si këshilltar prej kohësh për qeverinë e tij, përmes “Tony Blair Associates”- një bashkëpunim që filloi në vitin 2013 dhe u deklarua i mbyllur në vitin 2016. Por këshillat e tij ndaj Ramës duket se vijonë ende janë pa ndonjë faturë financiare, ku qeveria pretendon se janë falas.

Organizata jo-fitimprurëse “Tony Blair Institute for Global Change” e krijoi në vitin 2016 dhe punon aktualisht me 20 vende të botës, kryesisht me shtete të Afrikës.

Roli i Blair në këshillin e shumë liderëve të vendeve të botës ka ngjallur kërshëri së fundmi nga mediat britanike. The Guardian në një artikull së fundmi shkruan se Instituti i Tony Blair ka vazhduar të këshillojë dhe të marrë para nga qeveria e Arabisë Saudite që nga vrasja e Jamal Khashoggi, siç është bërë dhe publike.

Sunday Times raportoi se organizata e ish-kryeministrit është e përfshirë në një partneritet shumëmilionësh që ndihmon në një përpjekje modernizimi në vend të udhëhequr nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman. Princi, i cili është udhëheqësi de fakto i shtetit të Gjirit, u akuzua për urdhërimin e vrasjes së gazetarit disident të Uashington Post, Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll në vitin 2018. Ai ka mohuar çdo përfshirje dhe ka fajësuar agjentë mashtrues.

Zëdhënësi i Blair konfirmoi se instituti kishte vazhduar përfshirjen e tij në Vizionin 2030 të Arabisë Saudite, një program i gjerë reformash ekonomike i krijuar për të nxitur turizmin dhe për të reduktuar varësinë nga nafta, pas vdekjes së Khashoggi.

Sipas një deklarate, "shqetësimet" fillimisht u shfaqen së brendshmi, ndërsa instituti shqyrtoi se si të vazhdonte me partneritetin, i cili filloi në vitin 2017, pas vrasjes së gazetarit.

Por në fund të fundit, Blair ishte i mendimit se angazhimi i vazhdueshëm ishte "i justifikuar" pavarësisht "krimit të tmerrshëm" dhe asnjë personel apo anëtar i bordit nuk e kundërshtoi vendimin, tha zëdhënësi.

“Angazhimi i ri i SHBA-së dhe vendeve perëndimore me Arabinë Saudite dhe Princin e Kurorës Mohammed bin Salman ilustron pse ky vendim ishte i saktë”, thuhet në një deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë