Futboll

“International Champions Cup”, shkëlqejnë Shabani dhe Shaqiri

Mbrëmja e së shtunës dhe mëngjesi i së dielës ka qenë shumë pozitiv për dy futbollistët me origjinë shqiptare, Meritan Shabani dhe Xherdan Shaqiri. Të dy futbollistët kanë shkëlqyer me ekipet e tyre, duke shënuar gola mjaft të bukur.  Meritan Shabani ishte ai që hapi serinë e golave në përballjen Bajern Mynih-Mançester Siti, ndërsa Shaqiri shënoi golin e katërt në sfidën Manchester United-Liverpul.

https://www.youtube.com/watch?v=ps-bwswnQhc

Talenti me origjinë shqiptare Meritan Shabani, që vetëm para pak javësh firmosi rinovimin e kontratës me Bajern Mynih ka shënuar një gol tipik prej qendër-sulmuesi duke u zhytur me kokë, pas një krosi në zonë. Shabani pritet të jetë pjesë e  ekipit të parë të Bajern gjatë këtij viti dhe pëlqehet shumë nga trajneri Kovaç për aftësitë e tij fizike, por edhe në kontrollin e topit. Ai është një produkt i akademisë së klubit bavarez dhe luan si mesfushorë organizator, por gjithashtu parapëlqen edhe në krahët e sulmit. Shabani për herë të parë është grumbulluar në ekipin e parë nga Karlo Ançeloti që kishte besim në aftësitë e tij. U deshën dy vite që Shabani të siguronte një kontratë profesioniste me klubin më të madh gjerman dhe tashmë është koha që të tregojë aftësitë e tij. Shabani do të bëhet kështu shqiptari i dytë që do të luaj në nivele të larta me Bajern Mynih, pas Xherdan Shaqirit, i cili fitoi dhe Ligën e Kampionëve me ekipin gjerman. Por Meritan Shabani nuk është i vetmi talent me origjinë shqiptare që del nga akademia e Bajern. Më herët nga kjo akademi kishte dalë edhe talenti shumë premtues, Ylli Salahi. Por anësori, tashmë 24-vjeçar nuk e ruajti dot vijueshmërinë dhe tashmë luan për klube të një niveli më të ulët në Gjermani.

https://twitter.com/i/status/1023507893298102272

Duket se ka qenë fundjava e shqiptarëve, pasi edhe futbollisti tjetër shqiptar Xherdan Shaqiri ka shkëlqyer në performancën e tij të parë me Liverpul. Sulmuesi shatat-shkurtër e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij me “të kuqtë” ashtu siç vetëm ai di të bëjë, duke shënuar gola spektakolarë. Pas një krosi të shkurtër nga brenda zonës, Shaqiri kërcen për të realizuar një super roveshat dhe e çon topin, aty ku për portierin ishte i pakapshëm. Me këtë gol Shaqiri i jep një mesazh të rëndësishëm trajnerit Klop se dëshiron një rol protagonist në Liverpulin e këtij viti që po kuotohet si pretendenti kryesor për të fituar Premier League. Sulmuesi që luan për përfaqësuesen e Zvicrës ka shkuar në “Anfield” me qëllimin për të qenë një rezervist i dyshes Mane-Salah, por nuk do të ishte çudi nëse në shumë ndeshje atë do e shikonim titullar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë