Futboll

Interi fuqizohet me Keita, Milani i përgjigjet me Bakajoko

Koha po kufizohet dhe tashmë janë të rralla goditjet në merkato për Serinë A. Interi dhe Milani janë ende në lëvizje dhe kanë konkretizuar goditjet e radhës, zikaltrit për sulmin, kurse kuqezinjtë për mesfushën. Keita Balde është tashmë një lojtar i Interit dhe Bakajoko një lojtar i Milanit.

Sulmuesi senegalez me nënshtetësi spanjolle, Keita Balde, ka lënë Monakonë për t’u kthyer në Itali, ku më parë ka veshur fanellën e Lacios. Është një zbulim i drejtorit sportiv të Lacios, Igli Tares. Lojtari ka kryer edhe vizitat mjekësore, ndërkohë që vjen tek Interi në formulën e huazimit, me të drejtën e blerjes në fund të sezonit. Klubi zikaltër do të shpenzojë për këtë transferim 5 milionë euro, plus 34 milionë euro pas një viti, nëse vendos për blerjen përfundimtare.

Keita Balde, sulmuesi i ri i Interit

Kontrata e re e lidh Keita Baldenë për 5 vite me Interin (1 huazim dhe 4 të tjerë më pas). Prezantimi zyrtar i sulmuesit do të bëhet pas datës 15 gusht, para ndeshjes me Sasuolon. Lojtari ka thënë edhe fjalët e tij të para si interist: "Jam shumë i lumtur dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Trajneri Spaleti ishte shumë i rëndësishëm për ardhjen time këtu. Besoj shumë se do të jetë një aventurë e bukur me Interin”, - ka thënë 23-vjeçari që kthehet në Itali pas një sezoni me Monakonë, që shpenzoi 30 milionë euro për ta marrë.

Milani forcon mesfushën me Bakajoko

Edhe klubi kuqezi ka bërë një lëvizje të rëndësishme për mesfushën. Në formë huazimi vjen nga Çelsi francezi Tiemoue Bakajoko, për të cilin Milani do të paguajë 5 milionë euro dhe 35 milionë euro, nëse vendos pas një sezoni që ta blejë kartonin e tij. Mesfushori me origjinë nga Bregu i Fildishtë ka kryer vizitat mjekësore dhe është gati për trajnerin Gatuzo. Lojtari është në pronësi të Çelsit që e bleu verën e kaluar nga Monako. Bakajoko pritet të marrë fanellën me numrin 14, si te Monako dhe Çelsi, pasi te Milani kjo fanellë është e lirë.

Milani i uron mirëseradhjen mesfushorit Bakajoko

Nëse Milani vendos një vit më pas ta blejë përfundimisht, do të ketë marrë mesfushorin e së ardhmes, pasi Bakajoko do të jetë 24 vjeç dhe do të ketë përvojën e 3 kampionateve të ndryshme. Por më parë duhet të bindë me fanellën kuqezi këtë sezon. Fiziku i tij është për t’u admiruar dhe Leonardo ka këmbëngulur që francezi të vijë te Milani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë