Futboll

Infantino: Ky ishte botërori më i mirë të gjitha kohërave

“Rusi 2018” ishte parashikuar që të ishte një botëror jo i zakonshëm dhe i tillë ka rezultuar deri më tani. Shumë skuadra të mëdha nuk morën pjesë, shumë të tjera nuk kaluan grupet dhe disa nga favoritët kryesorë u eleminuan që në fazat fillestare. Kaq mjafton që “Rusi 2018” të klasifikohet ndër boëtrorët më spektakolarë që kemi parë. Por nëse do I shtonim që në finale kemi për herë të parë Krocianë, apo numrin e lartë të penalltive dhe të golave sigurisht që ky eveniment do të hidhte një kandidaturë shumë të fortë si më i miri i të gjitha kohërave.

Por, për t’i vënë vulën këtij diskutimi ka menduar vetë presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. Në konferencën e zakonshme përbyllëse të botërorit, Infantino ka mbajtur një fjalim të shkurtër dhe njëkohësisht i është përgjigjur interesimit të gazetarëve, ku ka deklaruar se "Rusi 2018" ishte Kupa më e mirë të gjitha kohërave.

“Unë kam thënë për disa vite se ky do të ishte Botërori më i mirë në histori dhe mund ta konfirmoj në këtë kohë. Kjo Kupë Bote në Rusi ka qenë më e mira. Kur kam ardhur në post, kam kërkuar që FIFA të kthejë futbollin e besueshëm dhe të drejtë dhe mendoj se ne e kemi arritur këtë. Kjo Kupë Bote do të ndryshojë edhe vetë Rusinë. Që tani e tutje, Rusia do të përmendet si një vend shumë futbolldashës. Kush e kishte menduar se Kroacia do të arrinte në finale të kësaj Kupe Bote?!”, ka thënë Infantino.

Në konferencën e tij, numri një i FIFA nuk mund të linte jashtë fjalës edhe gjithë investimin që ka bërë shteti rus për të ndërtuar infrasturukturën e përshtatshme. Italiani lavdëroi edhe mikëpritjen rusë gjatë këtij muaji: “Kontributi tjetër i Kupës së Botës është se tashmë se Rusia tregohet si një vend me njerëz të mirë, me shumë histori. Rusia nuk është ashtu si media e kishte paraqitur. Të gjitha paragjykimet që kishin ndaj këtij vendi janë zhdukur”.

Një nga idetë që po qarkullon prej vitesh është zgjerimi i formatit të kampionatit botëror me 48 ekipe kombëtare. Presidenti i FIFA-s  u shpreh se nga ana e saj FIFA është gati për këtë hap të madh, por fillimisht duhet folur me vendet organizatore nëse ato janë gati për këtë gjë. “Eshtë vendosur që Botërori të zgjerohet në 48 ekipe finaliste, pas një analize shumë të plotë. Numri i federatave është rritur dhe cilësia e përgjithshme e futbollit është më e madhe. Sidoqoftë, ende nuk është vendosur nëse Botërori me 48 ekipe do të materializohet në Katar, apo katër vite më vonë. Ne do të duhet të flasim me Katarin. Si FIFA jemi gati ta bëjmë realitet këtë gjë, në të vërtetë. Tani për tani, gjithçka është e mundur”, është shprehur presidenti i FIFA.

Në mbyllje të konferencës, presidenti i FIFA ka dhënë disa informacione për “Rusi 2018” në mbështeje të idesë së tij se ky ishte botërori më i mirë i të gjitha kohërave.

“Ka pasur vetëm një ndeshje me barazimin pa gola, më shumë se 1 milion vizitorë të huaj dhe më shumë se 1000 milionë njërëz që e kanë ndjekur ndeshjet nga televizori. Sipas pritshmërive finalja do të jetë 7 herë më shumë e ndjekur se finalja e “Superbowl”. Kontrollet e dopingut kanë dalë të pastra dhe VAR ishte një sukses.”, ka mbyllur fjalën e tij Xhani Infantino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë