Njerez

Indeksi Global i Zhvillimit të Shoqërisë, Shqipëria përkeqësohet

Shqipëria është renditur këtë vit e 54 nga 149 vende të botës në Indeksin Global të Progresit Social duke humbur një vend nga viti i kaluar.

Indeksi Global i Progresit Social është i vetmi mekanizëm gjithpërfshirës për matjen e zhvillimit të një shoqërie, duke u fokusuar tek sigurimi dhe cilësia e ujit dhe higjenës, ushqimi dhe kujdesi shëndetësor, strehimi, integrimi në shoqëri, arsimimi, etj.
Progresi shoqëror përkufizohet si kapaciteti i një shoqërie për të përmbushur nevojat bazike e mirëqenien e individëve të shoqërisë së saj.

Edhe në raport me veten, Shqipëria ka bërë hapa prapa në këtë raport, duke qenë se ka humbur pikë në indeksin e përgjithshëm

Shqipëria në renditje lë mbrapa Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, kurse Serbia ka zënë vendin tonë të një viti më parë.

Referuar kritereve, Shqipëria pikët më të ulta i ka marrë për mospërmbushje të “Aksesit në Arsimin e Avancuar” (29.77 pikë nga 100), Liria Personale dhe Zgjedhja (43.58 pikë ga 100), Gjithpërfshirja (46,41 pikë nga 100), Shëndeti dhe Mirëqenia (71.90 pikë nga 100), Siguria Personale (72.13 pikë nga 100). Indeksi i Progresit Social të Shqipërisë ka rezultuar (71.57/100).

Shqipëria renditet për themelet e mirëqenies e 39-ta në botë. Në atë të shanseve e 79-ta, duke regjistruar edhe performancën tonë më të keqe. Në këtë drejtim, Shqipëria ka humbur 6 pozicione krahasuar me një vit më parë.

Indeksi i Progresit Social nuk është i lidhur drejpërdrejt me faktorët ekonomikë, por shërben si një plotësues i masave ekonomike si PBB për të kuptuar gjendjen e vërtetë të një shoqërie.

Këtë vit, për herë të parë, Ky institucion është në gjendje të krahasojë të dhënat e progresit gjashtë vjeçar, duke lejuar shqyrtimin e tendencave globale, rajonale dhe kombëtare.

Indeksi Global i Progresit Social sugjeron se në përgjithësi, bota po përmirësohet. Që nga viti 2014, rezultati mesatar botëror u rrit nga 61.80 në 64.47, dhe ka pasur përmirësim në tetë nga 12 komponentët e përparimit shoqëror.

Përkundër këtij përparimi të përgjithshëm, të drejtat personale, janë përkeqësuar që nga viti 2014, ndërsa bota ka ngecur në Sigurinë Personale dhe Qasjen në Njohuri Thelbësore.
Norvegjia renditet e para në botë për progresin shoqëror me 90.95 pikë nga 100. Norvegjia është përmirësuar me 2.38 pikë që nga 2014, më shumë se fqinjët e saj nordik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë