Media Galeri

In memoriam, një vit pas tërmetit…

Në jetët tona na është mbivendosur një tjetër tërmet, pandemia, e cila duke qenë se po zgjat dhe po na gërryen ngadalë, fotot e shkatërrimit të Durrësit, Thumanës, etj na duken si një rekuiem i një epoke që thjesht duhet kujtuar.

Por plagët janë aty, janë mbivendosur keqasi.

Ka ende familje që dhimbjen dhe kujtimet e tmerrit të atyre ditëve e përtypin bashkë me shiun dhe të ftohtit në çadrat prej cohe ku mbijetojnë prej një viti.

Ato ditë, edhe prej spektatatori ishin të dhimbshme.

Pamje apokaliptike që të sillnin ndërmend vetëm sekuenca të filmave fantastikoshkencor të Hollivudit; makina nën rrënoja, pallat shumëkatësh i thërmuar nën këmbë teksa toka dridhej dhe tërhiqte njerëz, njerëz që kishin sakrifikuar një jetë për të blerë një apartament, studente që vitet e bukura të rinisë ia kishte përkushtuar ëndrrës dhe pasionit të mjekësisë për të shpëtuar jetë njerëzish, gjyshër e gjyshe që zgjoheshin në mëngjes me motivin e vetëm për të puthur e përqafuar nipërit e mbesat.

Durrësi i një viti më parë nga ku raportoja për gazetën “Si” momentet e tmerrit dhe shpresës për të gjetur sa më shumë njerëz të gjallë nën rrënoja, teksa çdo sekondë ishte e paçmuar ndërsa toka shpesh të dridhej nën këmbë, ishin më të tmerrshmet të përjetuara dhe ndjera ndonjëherë.

Ishte një përjetim personal dhe kolektiv në të njëjtën kohë, në të njëjtin moment.

Pas një viti, nga fotot e arkivës, që nuk u pluhurosën kurrë, po  ofrojmë disa shkrepje të dhimbjes së madhe nga Durrësi in memoriam…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë