Kinema

In Memoriam: Artan Minarolli dhe koha e dy kinemave

Suadela Balliu - “Ishte koha kur nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” largoheshin çdo vit me qindra”, rrëfen Petrit Ruka përpara se të nisë ekranizimi i dy filmave, në të cilët ai është bashkautor me regjisorin  Artan Minarolli. “Patëm fat”, kujton ai kohën kur mes asaj amullie mundën të hynin në botën e madhe të kinematografisë si autorë, ndërsa shton se fjalët nuk janë gjithnjë të mjaftueshme për të shprehur sesa shumë e ndjen mungesën e kolegut të tij, të ndarë nga jeta tre vjet të shkuar.

Mbrëmja e së martës së 28 gushtit është një homazh për punën e regjisorit Minarolli dhe “Netët e Kinematografisë së viteve ’90”, kanë zgjedhur për të ekranizuar dy prej filmave të fillimit të karrierës së tij. Kishte realizuar filmin dokumentar “Për një centimetër”, në vitin 1991, me të cilin ishte vlerësuar me çmim të parë në Festivalin e Filmit, në Torino, por regjisori i ri e shihte të ardhmen drejt filmit artistik me metrazh të gjatë dhe synonte, si të gjithë kineastët, tempullin e kinematografisë shqiptare – Kinostudion “Shqipëria e Re” – që me ndërrimin e sistemeve kishte shfaqur shenjat e krisjeve të thella e po shkonte drejt shpërbërjes.

Së bashku me Petrit Rukën, i cili rrëfen se atë kohë kishte realizuar tre filma si skenarist, trokitën në dyert e Kinostudios, ku u takuan me aktorin dhe regjisorin, artistin e popullit,   Kristaq Dhamo. Ishte ky i fundit, kujton Ruka që “u vinte vulën e cilësisë artistike filmave”.  Ishte ende filozofia e vjetër e  punës, si ajo e themeluar katër dekada më herët, ku zakonisht pesha e një filmi u besohej dy regjisorëve. “Nuk mund të bëheshe regjisor e  të të besoheshin filmat në moshën 25 –vjeçare,  siç ndodh tani. Duhet t’i kishte kaluar të paktën të tridhjetepestat”, thotë Ruka, ndërsa rrëfen sesi të dy, së bashku me Artan Minarollin, nisën aventurën e  filmit të parë si skenaristë dhe regjisorë.

Minarolli ishte emëruar qysh në vitin 1986 si asistent regjisor në Kinostudio, por filmin e parë mundi ta realizojë vetëm në fillim të dekadës së ardhshme. Pas specializimit për regji  pranë shkollës Evropiane të Filmit në Danimarkë në vitin 1993 ishte gati të niste një karrierë më aktive në kinematografi.

Ishte viti 1994 kur nisën xhirimet e filmit “Njëqind përqind” . Megjithëse Kinostudioja Shqipëria e Re”  zyrtarisht kishte rënë, si efekt domino pas  sistemit të vjetër politik e ekonomik , duke u shndërruar në “Alba Film” , teknikat, mjetet, por edhe shkolla në të cilën ishin formuar breza të tërë kineastësh mbeteshin të vjetrat,  me dominimin e madh të shkollës sovjetike.

Minarolli në sheshxhirim. 

Brezi i kineastëve të rinj, si Minarolli e Ruka, do të duheshin të përballeshin me tranzicionin që kishte mbështjellë të gjithë shoqërinë. Përballeshim më në fund me lirinë; lirinë e të shprehurit, të eksperimentuarit, të të ofruarit një kinema që nuk kishte më pse të mbathte petkat e propagandës së realizimit socialist, në përpjekje për të ndërtuar njeriun e ri. Emegjithë propagandën ishte bërë kinema, kishin dalë yje e ishin rritur breza qytetarësh, të cilët mbeten nostalgjikë edhe sot – jo më shumë për ideologjinë që përçonte sesa për lojën autoriale, batutat dhe pasqyrimin e një jete të qetë e me ritme të ngadaltë, krejt në kontrast me frenetizmin e epokave moderne e post-moderne.

Nuk kishte më njeri të ri për të krijuar as farsë të jetës së lumtur në sistemin komunist, por  kishte kaos. Ndoshta ai brez nuk dinte ç’të bënte me aq liri; ishin formuar, gdhendur e detyruar ta përdornin kinemanë  në harmoni me politikat e mëdha, ishin mësuar me kohën kur gjithçka kalonte në sitë të imët, në çdo plan detaj, në çdo dialog, në çdo mesazh të hapur apo në nënshtresë.

Minarolli në sheshxhirim 

Filmi “Njëqind për qind” , me protagonist aktorin Mehdi Malkaj, i pranishëm në mbrëmjen homazh për regjisorin e ndjerë, i cili ka vendosur vulën e tij regjisoriale të mëvonshme në filma si “Nata pa hënë”  e vitit 2004, “Kronikë provinciale”  më 2009-ën e në po të njëjtin vit filmi “Alive! – Gjallë”, filma që e kishin kapërcyer paqartësinë dhe pasigurinë e tranzicionit të fillimviteve ’90 –është  një satirë mbi   procesin e  votimit gjatë kohës së diktaturës. Ide të bluara ndoshta prej vitesh, nga dy kineastët, të cilët më në fund, mund t’i shfaqnin lirisht.

Por përtej skenarëve, xhirohej ende me pajisjet e xhirimit magnetik “Orwo” , kujton Ruka, ndërsa vetëm një vit më vonë mundën të sillnin në Shqipëri pajisjet e xhirimit “Kodak”, me të cilën u realizua filmi “Plumbi prej plasteline”, ku interpretojnë aktorë si Tinka Kurti, Ndriçim Xhepa e  Mehdi Malkaj.  Teknika e re, me cilësi më të mirë, do të shpërblehej në festivalin e filmit në Shqipëri, ku kamera e operatorit Mihal Rama, mori çmimin si më e mira.

https://www.youtube.com/watch?v=GGRqJOXKi7k
Filmi "Plumbi prej plasteline" me regji dhe skenar nga Artan Minarolli dhe Petrit Ruka. 

Filmi prej 60 minutash “Plumbi prej plasteline” , i cili i përfundoi xhirimet në vitin 1995 është një rrëfenjë gati profetike e dy skenaristëve- regjisorë, të cilët përmes narracionit vizual të  një fëmije të ekspozuar nga agresiviteti i masmedias, tregojnë potencialin vrastar që ka mbi individin kjo e fundit. Arti i komercializuar dhe ideologjitë e reja që përçohen përmes mediumit më të fuqishëm e vrasin botën çdo ditë dhe mund të kthejnë këdo në një vrasës. Askush nuk është imun nga bombardimi i trurit, përmes imazheve që përmbajnë mesazhe të fshehura dhe të hapura për shkatërrimin e atij tharmi humanist të llojit njerëzor, duke na kthyer në robotë dhe skllevër modernë. Një film largpamës për Shqipërinë e atyre kohëve, ku ende nuk kishte trokitur “djalli nga kutia”  e televizorit.

Filmat e viteve ’90 kanë kaluar në heshtje, thotë drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi, e cila së bashku me “Tulla Nouvelle Tarrace” menduan t’i risillnin në vëmendjen e publikut. Ata që i kanë harruar fillimet e tranzicionit të gjatë shqiptar, ata që përlesheshin me ndryshimet, ata që rezistuan me frikën e së resë dhe ata që e përqafuan pa e njohur ende, ata që gëzuan për ekonominë e tregut dhe pluralizmin politik, ata që e përdorën lirinë për t’u veshur, kënduar, shkruar, krijuar “si e gjithë Europa” , ata që shfrytëzuan  mjegullën ligjore në hendekun mes dy sistemeve dhe  viktimat e sistemit të ri, ku gëloi trafiku i qenieve njerëzore, i drogave apo i korrupsionit, janë të mbërthyera nga prodhimet e atyre kineastëve që e nisën karrierën mes dy epokave të kinematografisë shqiptare apo që iu desh të përshtateshin në botën e madhe e konkurruese.

Skenaristi dhe regjisori Petrit Ruka. 

Një epokë dhe brez kineastësh që u karakterizuan po aq nga tranzicioni, sa edhe pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare në betejë për të gjetur veten e për ta shprehur artin përmes mjeteve të reja, në një botë të madhe ku  nuk do të kishte më vetëm filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, e cila la trashëgim rreth 200 të tillë, prej vitit 1957, kur u realizua edhe i pari film shqiptar. Në këtë liri të madhe e shumësi ofertash, që vinin tani jo më prej antenave të kallajit, sajuar për të ndjekur kanalet italiane apo jugosllave, u duhej të sillnin artin e tyre. Edhe “Alba Film” e ngritur paradoksalisht si trashëgimtare e kinematografisë shqiptare por edhe si antitezë e asaj që shihej nga shumë si “makineri e propagandës”, pushoi së ekzistuari në vitin 1996, duke i lënë kineastët të pluskonin, në tregun e lirë të produksioneve të pavarura, gjithnjë në betejë për gjetjen e sponorizuesve në prodhimet kinematografike.

https://www.youtube.com/watch?v=aS4_exHsAdU
Filmi "Njëqind për qind" meregji dhe skenar nga Artan Minarolli dhe Petrit Ruka.

Ishte njeri i mrekullueshëm, përtej profesionistit të përkushtuar në kinematografi, rrëfen Ruka, ndërsa ndan me të pranishmit copëza nga kujtimet e tij me regjisorin e ndjerë Minarolli, që e humbi betejën me jetën 31 dhjetorin e vitit 2015. “Nëse do të shkruaj një ditë kujtimet e mia”, përfundon Ruka, “për Tanin do të të shkruaj dhjetëra e dhjetëra faqe”.  Minarolli, i cili për një kohë shërbeu edhe si Drejtor i  Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u nda nga jeta në moshën 57 –vjeçare, kur me siguri kishte plot projekte kinematografike, pa  mundur ta shihnin dritën e realizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë