Futboll

Idriz Batha dhe racizmi grek

Prej më shumë se 5 vite ai është një nga futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar, duke luajtur titullar, madje në sezonin e fundit ishte kapiten i Partizanit. Për Idriz Bathën, dukej se kishte ardhur momenti që të bënte hapin e madh në karrierë, duke firmosur për një klub jashtë vendit, sigurisht në një kampionat të rëndësishëm. Por ndodh që marrëveshjet të prishen edhe për arsye absurde, siç ka ngjarë në ratsin e fundit mes tij dhe klubit grek Ael Larissa.

Dhe deri para një ditë, dukej se gjithçka po shkonte në mënyrë perfekte për mesfushorin, që kishte arritur marrëveshjen me klubin grek të Ael Larisa. Ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në karrierën e Bathës, pasi do të luante në një prej ligave më të forta të Ballkanit, por edhe në një ekip konkurues që pretendonte ringritjen. Por në momentin e fundit diçka nuk ka shkuar siç duhet dhe transferimi ka dështuar.

Foto e Bathës e publikuar në rrjetet sociale disa kohë më parë

Mund të duket e pabesueshme, por arsyeja e dështimit të transferimit të Idriz Bathës në Greqi, ka qenë “shqiponja”. Nuk bëhet fjalë për shqiponjën si shpend, por simbolin që është në flamurin shqiptar, të cilën tashmë të gjithë (futbollistë, këngëtarë, politikanë, aktorë…etj) janë mësuar ta bëjnë me të dyja duart. Pikërisht një foto me “shqiponjën” me duar nga ana e Bathës e realizuar para disa kohësh, ka bërë që transferimi i tij në Greqi të mos realizohet.

Në fillim, vetëm dy ditë më parë, klubi i Larisës njoftonte në portalin e tij online, se kishte arritur marrveshjen me Bathën. Madje në njoftimin e klubit grek, nuk mungonin lëvdatat për Bathën, teksa cilësohej si një lojtarë që do të rriste ndjeshëm cilësinë e mesit të fushës së kësaj skuadre.

Por ende pa u bërë prezantimi zyrtar dhe depozitimi i dokumentacionit në federatë, Ael Larisa, ka njoftuar agjentin e Idriz Bathës se marrëveshja anulohet. Në një mesazh që drejtori sportiv i këtij klubi i ka dërguar agjentit të mesfushorit, ka cilësuar si arsyen kryesore për prishjen e marrëveshjes, faktin që në një video më herët, lojtari kishte bërë shqiponjën me duar.

Mesazhi i drejtorit të AEL 

“Së pari, ju më keni dërguar një mesazh të keq dhe për këtë arsye unë po ju përgjigjem. I vetmi që ka bërë gabime, të cilat çuan në dështimin e këtij transferimi jeni ju, pasi ju na keni thënë se lojtari ka disa oferta, për shembull nga Astra në Rumani. Më pas ju kërkuat një rrogë prej 8 mijë euro në sezon, duke na thënë se klubin aktual ai paguhej me 6 mijë euro, ndërsa ne mësuam se ai merrte vetëm 4 mijë euro.  Përtej këtyre, arsyeja kryesore e dështimit të këtij transferimi është sepse në kemi parë në internet foto të lojtarit, ku ai bën shqiponjën me dy duart, simbolin e Shqipërisë së Madhe. Kjo është një gjë shumë e keqe, pasi ne kemi shumë lojtarë serb në skuadër dhe Shqipëria e Madhe përfshin shumë rajone të Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë dhe fansat mund të zhgënjehen shumë nga kjo gjë. Ta shpjegova këtë gjë edhe në telefon dhe po ta them edhe këtu. Nuk do doja që ky mesazh të behej publik, pasi ende ruaj respekt për ju.  Vassilis Vanis, drejtor sportiv Ael Larisa.”, shkruhej në mesazhin që drejtori sportiv i klubit grek që i ka dërguar agjentit të Idriz Bathës.

Në çdo vend tjetër kjo arsye për anulimin e marrëveshjes do të dukej shumë e çuditshme, por klubi grek siç duket se nuk e ka dashur më në gjirin e tij lojtarin shqiptar, duke shfaqur shenja rracizmi. Sakaq ish-kapiteni i Partizanit, në reagimin e tij ka thënë se më mirë që shkoi kështu, pasi nuk do mund të tregonte potencialin e tij në një ambient të tillë. Tashmë Batha do duhet të kërkojë një tjetër skuadër për të vijuar karrierën e tij.

Njoftimi në faqen zyrtare të AEL për transferimin e Sahitit

Mirëpo gjithë kjo histori nuk e ka penguar, Ael Larissa që të firmos me futbollistin tjetër shqiptar, Suad Sahiti. Talenti kosovar që në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e kontigjentit të Skënderbeut, do të kalojë në Greqi, por sërish 30% e  kartonit të tij mbetet pronë e klubit korçar. Sahiti ka firmosur për tre vite në Greqi dhe kjo do të jetë eksperianca e tij e numër katër, pasi me herët ka luajtur për Rabotnicki në Maqedoni, Hajvalia në Kosovë dhe së fundmi me Skënderbeun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë