Njerez

I nxehti, zjarret, kaosi i fluturimeve dhe mbipopullimi. Si u prishën pushimet verore të këtij viti

Fatkeqësitë mjedisore, plazhet e pista, temperaturat në rritje, përmbytjet, rritja e çmimeve dhe mbipopullimi, të gjitha duket se kanë bashkëpunuar për të shkatërruar pushimet e mijërave apo miliona njerëzve këtë vit.

Në pjesën më të madhe, shqetësimi i turistëve nuk ka qenë asgjë në krahasim me ndikimin tragjik që disa nga këto situata kanë pasur në komunitetet anembanë botës.

Por, për shumë njerëz, pushimet verore janë një moment shumë i nevojshëm që i largon nga streset e të përditshmes.

Sigurisht, një numër i madh njerëzish me fat shijuan pushime pa probleme në mbarë botën. CNN ka bërë një përmbledhje të disa prej vështirësive më të mëdha që janë përballur pushuesit gjatë muajve të fundit.

‘Nxehtësia e pamëshirshme’

Jo të gjithë dëshirojnë pushime të ngrohta dhe me diell, por edhe personat që e duan diellin me siguri nuk kanë qenë shumë të lumtur nga temperaturat e larta të kësaj vere, me korrikun e 2023 që u shpall si muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Nuk u ndal me kaq. Kjo verë më vonë u shpall më e nxehta prej vitesh, duke thyer rekordet e mëparshme me një diferencë të konsiderueshme.

Evropa jugore u përvëlua pasi disa valë të nxehta çuan temperaturat në nivelet më të larta të të gjitha kohërave, duke i bërë pushimet të lodhshme dhe madje edhe të rrezikshme për turistët dhe vendasit.

Në Itali, pati shpesh herë paralajmërime me alarm të kuq që u lëshuan së bashku me udhëzimet për turistët dhe vendasit për të qëndruar të hidratuar dhe në hije. Në Athinë, autoritetet mbyllën vendet kryesore turistike duke përfshirë Akropolin gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Ndërkohë moti ekstrem vazhdonte...

Breshëri deri në 10 centimetra goditi rajonin Veneto të Italisë veriore ndërkohë që Phoenix në SHBA duroi një rekord 31 ditë rresht me temperatura 43 gradë Celsius.

Parqet kombëtare të Amerikës panë temperatura ekstreme gjithashtu ku më vonë pastaj disa prej tyre u mbyllën për shkak të përmbytjeve që shkaktuan stuhitë dhe ciklonet.

Një botë në zjarr

Në mënyrë të pashmangshme, nxehtësia ekstreme çoi në zjarre ekstreme, me turistët dhe destinacionet kryesore që vuajtën nga disa prej shpërthimeve më të këqija.

Në korrik, flakët shpërthyen në Portugali, Spanjë, Turqi dhe Greqi, ku zjarret bllokuan Korfuzin, Evia dhe periferi të Athinës.

Ishulli i njohur turistik i Rodosit u prek më rëndë pasi një zjarr filloi në qendër të ishullit më 18 korrik dhe u përhap shpejt në brigjet lindore dhe jugore, duke kërcënuar vendpushimet e plazhit.

Me afrimin e flakëve, shumë turistë dhe banorë u evakuuan për strehim të improvizuar në sallat sportive, shkollat ose ndërtesat publike në pjesë të tjera të ishullit.

Gati 20,000 njerëz u evakuuan nga toka dhe deti, disa në pamundësi për të marrë pasaporta dhe sende të tjera personale. Linjat ajrore dhe kompanitë turistike anuluan fluturimet dhe pushimet ndërsa avionët bosh u dërguan për të riatdhesuar turistët e bllokuar. Greqia më vonë ofroi pushime falas në pranverë ose vjeshtë 2024 për të prekurit.

Në gusht, Tenerife, një nga ishujt Kanarie normalisht të butë të Spanjës, pësoi zjarre me më shumë se 12,000 njerëz të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Zjarret shpërthyen në rajonet e Siçilisë, Kalabrisë, Abruzzo-s dhe Pulias duke shkaktuar evakuime nga shtëpitë dhe hotelet. Algjeria, në Afrikën e Veriut, gjithashtu vuajti.

Ndërkohë, Kanadaja ka përjetuar atë që ekspertët thonë se ishte sezoni më i keq i zjarreve në histori me më shumë se 1000 zjarre që nga prilli. Mijëra njerëz u evakuuan nëpër Territoret Veriperëndimore.

Zjarri më shkatërrues i verës goditi Lahaina, qytetin historik të popullarizuar nga turistët në ishullin Hawai, më 8 gusht, duke lënë të paktën 115 të vdekur. Guvernatori i Hawait, Josh Green, e quajti atë fatkeqësinë më të keqe natyrore në historinë e shtetit.

Shumë nga monumentet historike dhe kulturore të Lahaina u shkatërruan nga zjarri, duke përfshirë Muzeun e Shtëpisë Baldwin, një shtëpi e epokës 1830 që besohet të jetë më e vjetra në Maui.

Më pas stuhitë pushtuan vendet

Pas zjarreve erdhën stuhitë, duke bërë sërish kërdi në udhëtime, duke shkaktuar gjithashtu shkatërrim të gjerë.

Uragani Hilary goditi në bregun perëndimor të SHBA në gusht duke sjellë reshje dhe përmbytje shkatërruese. Qyteti i shkretëtirës Palm Springs kishte më shumë reshje në një orë sesa zakonisht në një vit. Në fund të verës, Idalia goditi Florida-n dhe shtete të tjera jugore.

Pjesë të Azisë Juglindore u goditën nga një numër tajfunesh të fortë. Tajfunet Doksuri, Khanun dhe Lan erdhën me reshje rekord dhe erëra të forta uragane, duke shkaktuar vdekje, përmbytje të rënda, rrëshqitje të dheut dhe ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike.

Tajfuni Khanun goditi gjithashtu Korenë e Jugut me forcë vdekjeprurëse.

Kaosi në fluturime ishte gjithashtu jashtë çdo parashikimi

Ndërsa infrastruktura e aviacionit e SHBA-së ishte në përgjithësi në rregull, në Evropë pati ngjarje të shumta me greva nga kontrollorët e trafikut ajror, pilotët ose ekuipazhi i kabinës që çuan në anulimin e mijëra fluturimeve.

Në fund të gushtit, një defekt i kontrollit të trafikut ajror çoi në vonesa dhe anulime në të gjithë Britaninë për ditë të tëra.

Britania është goditur gjithashtu nga një seri e vazhdueshme grevash hekurudhore në vitin 2023, ndërsa pritjet në terminalet ndërkombëtare të trageteve si Dover janë bërë më të gjata për shkak të kohës shtesë të nevojshme për kontrollin e pasaportave.

Mbipopullimi dhe çmimet e larta ishin një tjetër ‘ankesë’ që kishin turistët

Megjithë rreziqet dhe pengesat në të gjithë globin, turistët ende po udhëtonin pafund, ndoshta si një rikthim pas Covid. Në fakt, në disa vende kishte aq shumë vizitorë sa autoritetet ndjenë nevojën për të kufizuar numrin e tyre.

Në Francë, vende të tilla si Mont Saint Michel, kanë qenë kaq të mbingarkuar saqë kishte fushata për të dërguar turistë diku tjetër ose për të përhapur vizita gjatë gjithë vitit.

Amsterdami nisi një "fushatë të pazakonshme të qëndrimit larg" në një përpjekje për të frenuar vizitat nga të rinjtë rebelë britanikë dhe, së bashku me Venedikun, konsideruan kufizime në anijet turistike. Në malin e shenjtë të Japonisë Fuji, turmat ishin aq të mëdha sa turistët duhej të rreshtoheshin për të arritur majën.

Ndërkohë, Venecia ka njoftuar një tarifë të re hyrje prej 5 eurosh për turistët ditorë për të ulur numrin e tyre. Dhe zyrtarët grekë thonë se numri i vizitorëve të përditshëm në Akropol do të kufizohet nga shtatori për të ruajtur monumentin.

Në ishullin spanjoll të Mallorca-s, një grup protestues lokal kanë thënë se qëndrojnë pas paralajmërimeve të rreme për kandil deti, rënie të gurëve, duke thënë se po i përdor ato për të kufizuar mbipopullimin.

Turmat e turistëve kanë qenë një objektiv i lehtë për bizneset në Itali, ku vizitorët janë përballur me tarifa jo normale për shërbime si prerja në gjysmë e një sanduiçi. Ndërkohë shumë vendas thonë se vendi i tyre është shumë i shtrenjtë për pushime.

Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë