Rend dhe Ligj

U morën 5 mln euro shtetasve italianë, goditet grupi shqiptar që mashtronte përmes shitjeve online (14 urdhër-arreste, 5 në kërkim)

Gazeta Si - Një operacion i përbashkët mes SPAK-ut dhe autoriteteve italiane në Shqipëri ka goditur një grup që merrej me mashtrimet me Call Center dhe shitjet online.

Mësohet se prokuroria e Pordenones ka lëshuar 14 masa sigurie, ka denoncuar 61 persona si dhe janë urdhëruar 14 kontrolle në Shqipëri. 

Grupi përdorte teknika të sofistikuara mashtrimi që kanë çuar në përfitimin e rreth 5 milionë eurove, ku të mashtruar kanë mbetur me qindra qytetarë italianë.

Prokurori i SPAK që ka hetuar këtë rast, Ened Nakuçi, tha se si pjesë e operacionit janë nxjerrë 14 masa sigurie.

“Janë anëtarë, të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me mashtrimin e shitjeve online”, u shpreh prokurori Nakuçi.

Urdhër-arrestet dhe emrat

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha se janë ekzekutuar 5 masa sigurie ‘arrest me burg’, 4 masa ‘arrest në shtëpi’, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim. Vocaj tha se në aksion janë përfshirë policia e Tiranës dhe e Fierit.

Në total janë kontrolluar 12 banesa, ku janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike, telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin-eve etj.

Arrestimet u kryen pas kontrolleve dhe sekuestrimeve të bëra në një call center në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë dhe 140 kallëzimeve të personave të mashtruar në Itali.

“Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit Hamit Dobi, Erion Kastrati, Aldo Pasku, Gjin Shelnishta, dhe Mojsi Zuna. Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasit Greta Gjoci, Olta Toci, Rezarta Ibrahimi dhe Silvana Veliu”, njoftoi policia.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit B. Ç., O. C., B. GJ., A. M., dhe F. B. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi  B. Ç., ka dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë më datë 23.07.2023 nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, ndërsa shtetasja A. M., më datë 27.10.2022, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas.

Skema e mashtrimit

Viktimat kontaktoheshin përmes telefonit dhe bindeshin të i investonin në shuma të vogla. Klientët i shikonin fitimet në platforma të falsifikuara.

Mashtruesit ishin të aftë në përdorim teknikash reale bindëse, duke i bërë qytetarët të investonin shuma deri në qindra mijëra euro.

Grupi kishte role të ndara, operatorët që krijonin klientët, më pas këshilluesit, që ndiqnin viktimat hap pas hapi. Paratë e viktimave janë kthyer në kriptovalutë, duke u bërë të pagjurmueshme.

Aksioni i quajtur “Dream Earning” është vijim i një operacioni të mëparshëm të kryer më 25 tetor të vitit të kaluar.

SPAK tha se pajisjet elektronike që u sekuestruan në këtë call center janë analizuar dhe arrestimet vijnë si rezultat i këtij hetimi. Nga ana e SPAK janë administruar 140 kallëzime nga personat e dëmtuar në Itali. Shuma e parave të personave të dëmtuar shkon në 4 milionë e 700 mijë euro.

Sipas prokurorit, skema ishte e qartë, në krye ishte një drejtues që merrte përqindje për investimet dhe bonus për mashtrimet. Ndërsa për operatorët që nuk mbyllnin kontrata ishin parashikuar sanksione dhe detyrim

Prokuroria e Pordenones ka kryer të paktën 42 mijë përgjime. Është zbuluar se grupi kriminal i pastronte paratë në vendet e BE-së. Bëhet fjalë për vende si Qipro, Lituania, Estonia, Holanda dhe Gjermania. Më pas i konvertonin në kriptomonedha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë