Analize

I gjithë Ballkani në valën e tretë të pandemisë. Po Shqipëria?

Nga Xhuliana Toci - Vala e tretë e pandemisë duket se ka trokitur zyrtarisht në Ballkanin Perëndimor. Edhe pse në Shqipëri qeveria dhe ekspertët nuk kanë komentuar nëse po i afrohemi apo e lamë pas kulmin e valës së tretë,  autoritetet në të gjithë Ballkanin Perëndimor po shtrëngojnë masat kufizuese. Në ditët e para të muajit dhe për pjesën më të madhe të shkurtit, Shqipëria ka shënuar rreth një mijë raste ditore, por në javën e fundit autoritetet kanë raportuar një rënie të të infektuarve, e cila ka ardhur së bashku edhe me uljen e testimeve, gati 1000 më pak çdo ditë.

Edhe pse gjatë muajit shkurt, Serbia, Kosova, Bosnja Maqedonia e Veriut dhe Mali i  Zi kishin një numër  më të ulët të rasteve ditore, të dhënat tregojnë se vendet fqinje po përballen me një rritje të shpejtë të rasteve, për të cilën epidemiologët thonë se ka ardhur si pasojë e valës së tretë.  Për momentin si Shqipëria, ashtu dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë rreth 700 të infektuar për 100 mijë njerëz. Për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve, edhe si pasojë e përhapjes së variantit anglez, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi kanë vendosur masa të tjera kufizuese.

Ndërkohë që mori vaksinat e para të mërkurën e kaluar, mjekët në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, paralajmëruan se virusi ka shpërthyer në disa vatra ditët e fundit. Qeveria vendosi që vendi të hyjë në karantinë kombëtare gjatë fundjavës, pas një numri rekord të rasteve ditore që arritën deri në 1 mijë këtë javë. Mali i Zi nga ana tjetër ka mbyllur restorantet, qendrat tregtare dhe palestrat.

Kosova në valën e tretë

Situata paraqitet dramatike edhe në Kosovë, ku epidemiologët paralajmërojnë se me rritjen e numrit të rasteve të të infektuarve, vendi ka hyrë në valën e tretë.  Ata presin që kjo valë të mos jetë e përmasave të valës së dytë, duke bërë thirrje që qeveria të shtojë masat kufizuese dhe duke paralajmëruar se varianti anglez që u zbulua në Kosovë që në dhjetor është 70% me infektues. Vala e tretë e shpërthimit të pandemisë u paralajmërua ditë më parë edhe nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai ka thënë se Kosova është në një fazë të re të të infektuarve dhe të shtruarve në institucionet shëndetësore dhe se po bëjnë maksimumin të ofrojnë shërbime mjekësore në mënyrë që asnjë pacient mos të mbetet i pa trajtuar. Ai ka thënë se situata epidemiologjike në Kosovë ka qenë shumë e qëndrueshme gjatë muajit shkurt dhe se niveli i imunitetit kolektiv ka qenë në shkallë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll numrin e rasteve të reja.

“Fatkeqësisht papërgjeshmëria e plotë e politikës që rezultoi me shkeljet brutale të masave elementare anti-COVID gjatë fushatës zgjedhore, rezultoi me prishjen e kësaj situate epidemiologjike në Kosovë, duke u manifestuar me valën e tretë”, ka thënë ai.

Nga 200 ose 300 raste ditore gjatë muajit shkurt, Kosova është duke u përballur tani me shufra ditore prej 700-800 të infektuarish, ndërkohë që numri i të shtruarve dhe pacientëve në intubim është shumëfishuar.

Maqedonia në valën e tretë

Të mërkuën, Maqedonia e Veriut u bë vendi i fundit në rajon që njoftoi se gjendej zyrtarisht në valën e tretë të pandemisë. Ministria e Shëndetësisë maqedonase tha se shkaku i rritjes së rasteve ditore nga 400 në mbi 1 mijë brenda dy javësh ishte përhapja e varianteve të reja të Covid-19.

Shkup

“116 persona të cilët e kishin kaluar një herë koronavirusin, janë riinfektuar sërish këtë javë. Dy nga personat që ishin riinfektuar kanë ndërruar jetë”, njoftoi kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karxhovski, duke thënë se situata ishte përkeqësuar edhe për shkak të papërgjeshmërisë së qytetarëve që të cilët sipas tij harrojnë se imuniteti nuk është i përjetshëm.

“Nuk mund t`i themi askujt që nëse është infektuar njëherë nuk do të infektohet sërish me një variant të ri.  Përveç imunitetit natyrorë, të pa mbrojtur janë edhe ata që kanë marrë një dozë vaksine anti-kovid”, tha Karxhovski. “Vetë fakti se ka mbi 4 mijë variantë të koronavirusit e bën të pashmangshme valën e tretë", shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 1,293 raste dhe 24 viktima. Autoritetet në vendin fqinj kanë njoftuar po ashtu se po konsiderojnë mbylljen totale gjatë fundjavës ose të qyteteve të caktuara, si Ohri, ku varianti britanik po përhapet masivisht.

Mali i Zi shton masat

Autoritetet në Malin e Zi kanë nisur tre javë më parë vaksinimin me vaksinën ruse dhe kineze, por kjo nuk ka ndaluar rritjen e rasteve të reja. Pasi Komiteti Epidemiologjik i vendit fqinj paralajmëroi se Mali i Zi po hynte në valën e tretë dhe së së shpejti do të shihte kulmin e saj, qeveria vendosi të shtrëngojë disa masa, duke mbyllur kufijvë me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Mali i Zi do të hyjë në karantinë totale gjatë fundjavës, ndërkohë që ka mbyllur në pjesën më të madhe të vendit hotelet, qendrat tregtare, palestrat dhe parukeritë. Banorët nuk lejohen të udhëtojnë jashtë komunave të tyre, përveç për qëllime pune, studimi ose mjekësore. Bizneset dhe shërbimet jo-thelbësore mund të operojnë midis orës 07: 00-18: 00.

Greqia dhe Serbia në kulmin e valës së tretë

Greqia ka regjistruar të mërkurën, në proporcion me popullsinë e saj, katër herë më shumë raste me Covid-19 sesa Britania e Madhe. Edhe pse ndodhet nën masa të rrepta kufizimi, vendi fqinj ka njoftuar se do të arrijë këtë javë kulmin e valës së tretë dhe në 24 orët e fundit u shënuan gati 3500  të infektuar.

Beograd

Serbia nga ana tjetër, renditet në dhjetë vendet me ecurinë më të mirë të vaksinimit në botë, por sërish ky proces masiv nuk e ka shmangur dot karantinën. Qeveria serbe njoftoi hyrjen e vendit në karantinë 5-ditore duke filluar prej ditës së mërkurë deri të hënën e javës së ardhshme.

Vendimi është marrë ditën e martë pas propozimit të ekspertëve, që kishin kërkuar një mbyllje dyjavore pas shpërthimit të infektimeve të reja kryesisht në Nish dhe Beograd, ku shifrat i janë afruar pikut të fillimit të muajit dhjetor, kur raportoheshin mbi 7 mijë raste në ditë, me mbi 5200 raste të regjistruara vetëm ditën e martë.

Baret, restorantet, pishinat, palestrat, këndet sportive amatore, këndet e lojërave për fëmijë dhe qendrat tregtare ulin plotësisht qepenat deri ditën e hënë, ndërkohë që aktiviteti u lejohet farmacive, marketeve, furrave të bukës dhe me orare të reduktuara dyqaneve të ushqimit të shpejtë dhe shërbimi “Merre me vete”.

Po Shqipëria?

Në Shqipëri trendi duket se është i kundërt më atë të rajonit. Vendi ynë ka regjistruar një numër më të ulët rastesh sesa në fillim të muajit, madje më 17 mars për të herë të parë në shumë muaj u shënuan më shumë të shëruar sesa raste të reja. Megjithatë, është e paqartë nëse ky trend vjen si pasojë e uljes së testimeve, apo faktit se Shqipëria mund ta ketë kaluar kulmin e valës së tretë. Deri më tani asnjë nga autoritetet dhe epidemiologët nuk paralajmëruar se mund të ndodhemi apo e kemi kaluar valën e tretë pavarësisht rasteve rekord gjatë shkurtit. Ministria nuk "fajësoi" për rritjen e rasteve as variantet e reja, pasi Shqipëria ishte vendi i fundit në rajon që njoftoi se kishte zbuluar raste me variantin britanik. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu disa ditë më parë, dy muaj pasi u zbulua nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Greqia.

Në 26 shkurt për shembull, Shqipëria bënte 4 mijë testime dhe shënoi gati 1 mijë rasteve të reja, por me ardhjen e marsit, numri i testimeve filloi të ulej së bashku me atë të rasteve ditore. Vendet fqinje, përveç Serbisë kishin një numër shumë më të ulët të infektuarish.

 Java e fundit e shkurtit shënoi nivelin më të lartë të viktimave nga Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 7 ditët e fundit të muajit që lamë pas, (16-22 shkurt) kanë humbur jetën 114 persona. Deri më tani numri më i lartë i vdekjeve ishte regjistruar në javën e parë të dhjetorit me 112 viktima.

Mesatarja ditore e vdekjeve në javën e fundit të shkurtit ka qenë prej 16 personash që kanë humbur jetën. E premtja e fundit e këtij muaji ka qenë dita me humbjet më të mëdha të jetës, 19 të vdekur, mes tyre dhe një 16 vjeçar. Por marsi duket se shënoi një trend të ri dhe prej tre ditësh në vendin tonë shënohen rreth 500 raste të reja. Megjithatë, ashtu si një muaj më parë kur nuk e dinin përse u përballëm një rritje aq të lartë dhe të shpejtë rastesh , as tani nuk është e qartë nëse e kemi lënë pas kulmin e  valën e tretës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë