Trend

“I dashur ditar, tani kam… snapchat”

Para disa kohësh mbajtja e një ditari ishte një “nevojë” dhe pothuajse çdo vajzë e kishte një të tillë, dikush për të shprehur ndjenjat, dikush për të treguar se si e kishte kaluar ditën e të tjerë sepse e kishin shok\shoqe të ngushtë. Çfarë ndodhi me shokun\shoqen e ngushtë të të rinjve?

Teknologjia “futi hundët” dhe këtu edhe tani fletët e ditarit janë zëvendësuar me një aplikacion të rinjsh, snapchat-in.

“Unë mbaja dikur ditar por snapchati mi lehtësoi shumë gjërat pasi mund të mbaja kujtime nëçdo kohë, kudo”, tregon Ana, një 25-vjeçare që jo me dëshirën e saj, ndërroi ditarin me snapchatin.

Ajo tregon se në snapchat mund të bëjë video dhe t’i ruaje tek memories, një dritare që snapi mundëson për të ruajtur kujtime të ndryshme me orë dhe datë të cilat mund t’i shohësh kurdo. E njëjta gjë funksionon dhe me fotografitë dhe “kur ke një aplikacion që mund ta përdorësh kur të duash si dhe të kujton çdo vit fotografitë që ke bërë, për çfarë duhet një ditar?”

Të rinj të tjerë në rrugët e Tiranës me të cilët Gazetasi.al bisedoi, tregojnë se snapchat u ka krijuar lehtësira në memorizimin e gjërave që u ndodhin gjatë ditës.

“Të bësh një video kur je e lumtur apo do të tregosh se je në një vend të bukur me shoqërinë është më e lehtë dhe më e shpejtë”, tregon Arjana N., e cila thotë se e ka provuar dhe të mbajë një ditar por që ndodhte shumë herë që ndërkohë që priste darkën (sepse ekziston një mit se ditari shkruhet në darkë) harronte disa detaje që tani i ka të gjitha në snapchat.

Ndërkohë që jetojmë në kohën e teknologjisë, a ka të rinj të patunduar dhe vazhdojnë të hedhin fjalë në fletët e ditarit?

Megi I. është një e re 20-vjeçare e cila ka një ditar dhe shkruan në të ndjesitë, përjetimet dhe mendimet që i përshkojnë gjatë ditës.

“Kam mbajtur ditar që në moshë të vogël dhe tashmë më është bërë i pandarë nga vetja. Më pëlqen kur u rikthehem prapa në kohë dhe shikoj se si jam ndjerë dhe çfarë kam menduar në një moment specifik të jetës”, thotë ajo e cila tregon se ka një lidhje shumë të madhe me të shkruarin dhe mendon se blloqet i rezistojnë gjithmonë kohës.

“Ditari është një mënyrë e mirë jo vetëm për të të stimuluar mendimet”, për të të ndihmuar me mënyrën e të shkruarit por të kthehet në një mik, një vetvete e dytë.

Pavarësisht kësaj lidhjeje, po, 20-vjecarja është bërë pjesë e teknologjisë dhe në snapchatin e saj ka shumë memories të momenteve të caktuara, ndoshta dhe gjëra që nuk i ka shkruar në ditar.

Një tregues indirekt që tregon nëse njerëzit blejnë ditarë ose jo janë edhe kancelaritë.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al  bëri në disa prej tyre, na treguan se tashmë të rinjtë që blejnë ditarë klasikë nga ata me “çelës dhe dry” janë shumë të paktë, vetëm fëmijët e vegjël të moshës 10-vjeçare nxiten që t’i blejnë më shumë nga kurioziteti.

“Kancelari Drita”, në Rrugën e Elbasanit tregoi për gazetasi.al se sot janë shumë të paktë të rinjtë që shkojnë për të blerë ndonjë ditar klasik.

Të rinjtë që blejnë aty maksimumi marrin ndonjë bllok për shkollë dhe për ushtrime, larg ditarëve klasikë që tashmë nuk po i rezistojnë më kohës.

Kjo gjë ishte vënë re edhe tek një kancelari tjetër, në fillim të rrugës së Barrikadave në qendër e cila rrëfeu për gazetën SI se “kanë ikur me kohë të rinjtë që blejnë ditarë.”

“Ka qenë një periudhë nga viti 2009 kur merrja për furnizim më shumë se 50 blloqe në muaj nga ata që shërbenin tamam  si ditar, që kishin datën, orën, kishin dhe fytyra që shprehnin gjendjen emocionale të njeriut që njerëzit ta rrethonin në varësi të gjendjes emocionale.

Tashmë nuk ka më të rinj që kërkojnë nga ato lloj blloqesh, ka kohë që dhe ne nuk marrim më për furnizim të tillë sepse nuk kërkohen më”, tha Drita, një nga shitëset që ishte tek kasa.

Ditarit tradicional i morën vendin në kohën moderne dhe tani të rinjtë e shohin si diçka që i përket të kaluarës, të vjetrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë