Art dhe Kulture

Holanda fiton Eurovisionin, Shqipëria ‘braktiset’ nga fqinjët

"Nëse vendi im, Holanda nuk fiton, dua që Eurovisionin ta fitojë Shqipëria. Ata kurrë nuk më zhgënjejnë". Kështu shkruante disa javë më parë një komentuese në Youtube, ndërsa një blogger i huaj vlerësonte performancën e Jonida Maliqit me këngën “Ktheju tokës”. Por, ashtu siç e kishin parashikuar bastvënësit që e kuotonin të parin Duncan Laurence dhe këngën e tij “Arcade”, Holanda u shpall fituese e Eurovision 2019. Këngëtari 24 vjeçar e çoi trofeun në Holandë pas 44 vitesh, ku trofeu i fundit mbahet mend prej 1975-s.

I lindur në Holandë, Laurence – emri i vërtetë i të cilit është Duncan de Moor – është diplomuar nga Akademia e Rrokut, në Tilburb. Ai gjithashtu ka konkurruar në “The Voice”  të Holandës, duke u kualifikuar deri në gjysmë finale. “Jam rritur në një qytet ku muzika ishte e huaj. Muzika nuk ishte pjesë në sistemin e shkollës. Por kjo nuk më mbajti larg saj, në një farë mënyre u tërhoqa nga rrugët e saj magjike për të shprehur veten dhe për të rrëfyer historinë time. Kishim një teatër të vogël dhe një shkollë të vjetër muzike. Luaja piano çdo ditë, shkruaja këngët dhe poemat vetë dhe e mbaj mend si të ishte sot, kur e kuptova se do të bëhesha muzikant”, është shprehur këngëtari holandez, i cili në edicionin e 54-t të Eurovision, në Tel Aviv  u përfaqësua me një baladë të fuqishme, titulluar “Arcade”.

Duncan Laurence, fitues i Eurovision 2019

“Jam frymëzuar nga historia e një njeriu të dashur, që vdiq në moshë të re”, shpjegon Laurence, “Arcade është një hisotri rreth kërkimit për dashurinë e jetës Është shpresa që ndonjëherë, është e paarritshme”. Megjithëse këndon “Të të duash është lojë e humbur”, për Duncan loja në Izrael ishte fituese, duke triumfuar mes 26 vendeve konkurruese.

Por ishin votat e publikut ato që përmbysën rezultatin, duke i zbritur dy pretendentët, Suedinë dhe Maqedoninë e Veriut, shumë të vlerësuar nga juria.  Laurence u shpall fitues me 492 pikë, duke marrë plot treqind pikë nga votuesit. Në vend të dytë u rendit Italia, me 465 pikë përfaqësuar nga këngëtari Mahmood me “Soldi” , duke e ngritur Italinë tre vende  më lart nga viti i kaluar , ku Ermal Meta dhe Fabrizio Moro u renditën të pestët. Në vend të tretë u rendit Rusia, përfaqësuar nga këngëtari Sergei Lazarev, me këngën “Scream”.

 

Edhe këtë vit, ajo që u vu re ishte votimi i jurive profesioniste, ku më shumë se muzika dominoi politika e fqinjësisë së mirë, por  jo për Shqipërinë. Ndryshe nga më parë, që prej përfaqësimit të parë të vendit më 2004-n,  fqinjët tanë si Maqedonia e Veriut dhe Greqia thuajse na shpërfillën. Dymbëdhjetë pikët, Maqedonia e Veriut i dha për Italinë, ndërsa fqinjët tanë jugorë që tradicionalisht votojnë Qipron me pikët maksimale, por duke na i rezervuar 10 pikë, kësaj herë menduan t’i jepnin Shqipërisë dhe këngës “Ktheju tokës” vetëm tre pikë. E njëjta tablo edhe në veriperëndim, me Malin e Zi, që 12 pikë ia dha Serbisë, ndërsa kjo e fundit votoi maksimalisht këngëtaren Tamara Todevska dhe zero pikë për Shqipërinë.  

Ekipi holandez i emocionuar pas fitores në Tel Aviv.

As nga fqinjët më të dashur të matanë detit nuk pat vlerësim për performancën e Jonida Maliqit. Juria e profesionistëve italianë vlerësuan maksimalisht Danimarkën dhe me minimumin e pikëve Shqipërinë.  Nga ana tjetër edhe Shqipëria kishte rezervuar vetëm pesë pikë për “Soldi” të Mahmood, ndërsa 12 pikët i shkuan Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë Italia u votua nga fqinjët e saj si Malta, San Marino, Belgjika, Kroacia, por edhe Gjermania.  Por kënga “Proud” e konkurrentes nga Maqedonia u vlerësua edhe nga juri të vendeve jo fqinje si Britania, Moldavia, Austria e Zvicra. Shqipëria arriti të mblidhte nga votimet e jurisë vetëm 43 pikë, ndërsa publiku e votoi me 47 të tjerë, duke arritur një rezultat total prej 90 pikësh, që e renditi  të 18-tën mes 26 konkurrentëve, shtatë vende më poshtë nga performanca e vitit të kaluar me “Mall” të Eugent Bushpepës.

Kompozitorja Eriona Rushiti dhe këngëtëarja Jonida Maliqi, në passkenën e natës finale.

“Jemi  shumë, shumë të entuziazmuar!   Atmosfera është shumë e bukur këtu,  nuk ndihet farë konkurrimi, gara.  Të  gjithë kërcejnë dhe  mezi po presin votimin. Ne kemi dhënë maksimumin, çdo gjë është e pritshme, por ajo që ka rëndësi është se kemi shijuar çdo moment”, do të thoshte për Gazetën “Si”, kompozitorja e këngës Eriona Rushiti teksa të gjithë konkurrentët bëheshin gati  për votimin.

Megjithatë Jonida Maliqi  u vlerësua nga fansat e Eurovision si vokali më i mirë femëror dhe si ekzekutimi më i mirë live i këngës “Ktheju tokës”, një mesazh që trajton një fenomen të ri për shqiptarët, por të lashtë për njerëzimin, duke përkuar me historinë e  popullit izraelit, të cilët e krijuan shtetin e Izraelit më 1948, pas shekujsh mërgim.

Madonna dhe Quevo në Tel Aviv, për natën finale të Eurovision 2019

E ftuara speciale e natës finale të Eurovision, ikona e popit botëror Madonna e cila u kritikua më herët pse kishte pranuar të performonte në Izrael për shkak të konfliktit me Palestinën, bëri një thirrje të hapur për paqe në rajon. Teksa i ftuari i saj Quavo këndoi vargjet “Jo të gjithë po shkojnë drejt së ardhmes/ Jo të gjithë po mësojnë nga e shkuara”, një çift balerinësh – një i veshur me kostum ku dukej flamuri palestinez dhe tjetri me flamurin izraelit – u përqafuan ndërsa ngjiteshin në një pallë shkallë në kulmimin e performancës.

Të ftuarit specialë në natën finale të Eurovision, mes tyre edhe shqiptarja Eleni Foureira

Të tjerë të ftuar ishin këngëtari Conchita, Måns Zelmerlöw, Verka Serduchka dhe shqiptarja  Eleni Foureira, e cila vitin e kaluar u rendit në vend të dytë.Fituesi i këtij edicioni ishte nuhatur dhe kuotuar nga bastvënësit që herët, por edhe pse në tre vite nuk kanë arritur të godasin në shenjë, me Holandën ia dolën, ndërsa ende nuk shihet ndonjë prej shteteve që nuk e kanë fituar asnjëherë si pretendent i fuqishëm për trofeun e festivalit europian të këngës, që edhe një herë tjetër tregoi sesa të koklavitura janë marrëdhëniet në kontinentin e vjetër, edhe kur bëhet fjalë për muzikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë