Histori

Historia kriminale e Pablo Eskobarit. Nga kokaina dhe vrasjet, deri te njeriu që e tradhëtoi!

Nikolas Escobar, nipi i Zotit të drogës, rrëfen të pathënat e xhaxhait të tij. Kush ishte pasuria e tij e madhe dhe kush e “shiti” te policia para se të ekzekutohej

Ai nuk ishte vetëm mbreti, sepse duke mbetur kështu, kudo në kujtesën e përjetshme - imazhe kolektive, murale, lutje, intimitet i familjes - ishte edhe “El Patrón”. Shefi. 

Unik, i padiskutueshëm. Don Pablo Eskobar, një njeri me ambicie hiperbolike, hierark i së Keqes, Zot i drogës, nxitës dhe autor i një numri të pafund vdekjesh, shkaktar dhe dirigjent i një lufte civile në Kolumbi, dëshironte të kishte më shumë sesa kishte. 

Pavarësisht nga gjithçka. Për kolumbianin, një nga më të pasurit në historinë e botës gjatë shekujve, "Hacienda los Nápoles" do të mbetet ikonike dhe ilustruese, e cila përshkruhet në detaje nga Nikolas Eskobar, djali i Robertos (vëllai i padronit). 

Nikolas është nipi i madh i Don Pablos, ndërsa edhe në Amerikën e Jugut, termi “Don”, siç ndodh në Italinë e Jugut, nuk është vetëm një parashtesë e rezervuar për priftërinjtë, por edhe për të mençurit, të moshuarit, të respektuarit dhe udhëheqësit e mafies.

Pako me kokainë me portretin e Zotit të drogës, Pablo Eskobar

Ski në ujë, helikopter dhe kopsht zoologjik privat

"Hacienda los Nápoles", një rezidencë verore e ndërtuar në vitin 1979, qëndronte afër Puerto Triunfos, 130 kilometra larg nga vendlindjes, Medellín. 

Eskobar, i cili shpenzoi 70 milionë dollarë për të blerë tokën brenda një ferme me mbi 350 kilometra katrorë, dëshironte të kishte një aeroport dhe një heliport, pishina dhe liqene artificiale, në të cilat ai vetë dhe miqtë e tij do të praktikojnë ski në ujë. Ai bleu nga çdo kontinent luanë, deve, strucë, gjirafa, hipopotamë dhe bizonë.

Nipi i tij Nikolas, 50-vjeç, mbajtës i sekreteve të historisë së xhaxhait të tij, ka shumë për të thënë: “Kujtimet e mia më të mira për xha Pablon, lidhen pikërisht me atë kopsht zoologjik. Një realitet madhështor, me të gjitha ato specie të rralla, shpesh ekzotike, të pamundura për ne fëmijët për t’i parë. Ishte një park mrekullish, një vend publik i hapur për këdo pa dallim”. 

"Hacienda los Nápoles" organizonte ndeshje futbolli me kampionë profesionistë dhe festa, ku shpesh shndërroheshin në orgji përpara tij, mjeshtrit të madh të ceremonive.  Eskobar e donte publikun, adhuronte fotografitë, të dashurat dhe prostitutat, veçanërisht kur ishte shumë i ri. Në riinterpretimin e padronit përmes nipit të tij, Nikolas, pasuria është thelbësore për dy koordinata.

Nikolas Escobar, përpara njërës prej makinave të xhaxhait të tij, Pablo Eskobar: në dritare dhe në karroceri, duken shenjat e plumbave që Pabo iu shpëtoi pas një atentati

Përvoja në "degën" e Kampanias

"Emrin e mori nga qyteti italian, Napoli. Xhaxhai kishte ngritur një degë të rëndësishme të trafikut të drogës. Paratë e bëra nga shitja e lëndëve narkotike në Kampania (rajoni i njohur në jug të Italisë), u investuan në krijimin e "Hacienda"-s. 

Koordinata e dytë na kthen në fillim, domethënë në trashëgiminë e përjetshme të një karriere kriminale, duke mbajtur nga njëra anë më të keqen e natyrës njerëzore dhe nga ana tjetër, të nderuar nga populli për atë strategji të bosëve për të dhënë atë që nuk jepet nga shteti, për të ofruar mundësi, për të lehtësuar shpengimin shoqëror, duke përfituar nga indigjenca dhe injoranca për të krijuar konsensus. 

Megjithatë, Nikolas betohet për interesin e vërtetë të xhaxhait të tij: "Në muajin tetor, fillonte projekti i mbledhjes së informacionit nga të gjithë fëmijët, të cilët jetonin në një zonë prej rreth tridhjetë kilometrash rreth "Hacienda"-s. Nuk kishte një fëmijë të vetëm që në 24 dhjetor nuk merrte dhurata për të festuar Krishtlindjen. Dhe kjo, sepse Pablo Eskobar lindi shumë i varfër...”, - thotë nipi.

Madje këtu ndërhyn të përgënjeshtrojë gazetarët kolumbianë dhe amerikanë për origjinën e mjerueshme të padronit, përkundrazi, që i përket një familje të klasës së mesme dhe me një fëmijëri pa vështirësi.

Në lagje, dy muze kushtuar shefit

Në Kolumbi, nipi kujdeset për dy muze kushtuar xhaxhait të tij, njëri në Medellín dhe tjetri në Guatapé, një qytet me pesë mijë banorë në departamentin Antioquia, kryeqyteti i të cilit është vetë Medellín. 

Në qytet, “El patron” financoi krijimin e një lagjeje popullore, e cila, natyrisht, quhet "barrio Pablo Escobar". Një vend i rrethuar nga një atmosferë mitologjike: "Ka 6,250 shtëpi për të qenë të saktë. Të shkosh në lagje, të ecësh nëpër rrugët e saj, të jesh me njerëzit e saj ... mirë, kjo më jep të dridhura dhe ato janë drithërima emocionesh. Në përgjithësi, e njëjta gjë ndodh kur dal në rrugët e Medellinit ... Medellíni i xhaxhait tim".

Një foto e forcave speciale në fortesën e Pablo Eskobar, i cili u vra më 2 dhjetor 1993 në Medelín

Bukuria dhe drama e Medellìnit

Medellíni pra, një qytet i gjatë i paqeverisshëm në një komb po aq të vështirë për t’u zbutur dhe me bukuri të pakufizuar. Mbi të gjitha, sipas legjendës, në hartimin e Kolumbisë, Zoti e tejkaloi veten e tij dhe ishte në një farë mënyre një epilog i pashmangshëm, duke dashur të qetësonte zilinë e popujve të tjerë, duke lindur një gjini të ligë dhe problematike, si një hakmarrje ("Duhet të shohim të ardhmen përpara, krahasuar me atë epokë të përgjakshme, sot Kolumbia është një vend i mirë-organizuar"). 

Padyshim që këto linja nuk mund të përmbajnë vuajtjet dhe gjakun e një toke dhe fëmijëve të saj dhe as më shumë nuk ndjekin gjenezën dhe zhvillimin e karteleve të drogës. 

“Është thënë në shumë raste që me vdekjen e Pablo Eskobar, trafiku i drogës do të pushonte, por ai ishte i pari që përsëriti se trafikimi nuk do të ndalet kurrë për sa kohë që ka përdorues të drogës. Unë besoj se procesi duhet të përmbyset: ne nuk duhet të luftojmë trafikantët e drogës por, përkundrazi, të edukojmë dhe arsimojmë njerëzit që janë burimi i drejtpërdrejtë i konsumit, të rinjtë dhe fëmijët që nuk marrin mjetet arsimore nga qeveria për të shmangur rënien në humnerën e drogës, e cila përbën një fatkeqësi të pamatë për shoqërinë. Të drogohesh, është shumë e thjeshtë, gjetja e drogës është shumë e thjeshtë: e vështirë është të dalësh nga bota e drogës”, - vëren Nikolas.

Edhe pse ishte trafikanti më i madh i drogës, Eskobar adhuronte dhe financonte futbollin në Medelin të Kolumbisë

Seriali Netflix dhe Mamma Hermilda

Narcos, seriali televiziv i “Netflix”, i frymëzuar nga libri “Killing Pablo”, nga gazetari-hulumtues amerikan, Mark Boëden, i një cilësisë të mirë, ishte sipas gjykimit të disa ekspertëve, "tepër pro-amerikan", bazuar në kontrastin e thjeshtë midis hetuesve amerikanë, të thirrur për të luftuar trafikantët kolumbianë, djemtë e mirë që shpëtojnë planetin nga njerëzit e këqinj. 

Përtej përmbajtjes, babai i Nikolasit, u kishte kërkuar prodhuesve një mega-kompensim, duke përsëritur se ai zotëron të drejtat për produktet që mbajnë fjalët "Pablo Escobar". Në çdo familje, rivalitetet dhe përplasjet, të helmojnë si gjarpri.

Djali i padronit, nëse do të thuhet kështu, argumentoi se ishte Roberto, një trafikant droge, ai që tradhtoi Don Pablon, i cili u rrethua, ashtu siç ishte, obez dhe pa ushtarë në krah, i lodhur dhe pa gjumë, në vitin 1993. 

Për këtë çështje, Nikolas nuk përgjigjet. Ose më saktë ai përgjigjet me një frazë lapidare: "... La mama de Pablo lo entregó a la justicia para que lo mataran".  “(Nëna e Pablos e dorëzoi atë para drejtësisë për ta vrarë!”). 

Me pak fjalë, sipas anëtarëve të tjerë të familjes, paska qenë nëna e dashur e padronit, mësuesja e shkollës fillore, Hermilda Gaviria, një grua e përshkruar si e zgjuar dhe ambicioze, që ka shitur Eskobarin.

Pikërisht shefi, pak kohë para se të ekzekutohej nga forcat speciale kolumbiano-amerikane, i ka dorëzuar Nikolasit pjesë antike të thesarit të tij: vitin e kaluar ai, nipi, zbuloi në një nga pallatet që i përkisnin Pablos, 18 milionë dollarë të fshehura pas një muri...

Hermilda Eskobar, nëna e bosit të vrarë në Medelin

Ditarët, sekretet dhe akuzat kundër qeverisë

Ka zëra për ditarë plot me emra të fshehtë, për arsenale të blera nga fuqitë e huaja, për thes të tjerë parash, në atë oaz të pashtershëm të trafikimit të drogës që fillon nga plantacionet e fshatarëve. Ose ndoshta jo. 

"Fermerët e vënë tokën e tyre në dispozicion për të prodhuar kokainë dhe janë ata që përfundojnë duke u përballur me luftën e drejtuar kundër policisë... Janë ata që përfundojnë duke humbur jetën e tyre për të mbrojtur atë që është burimi i tyre i vetëm i ushqimit. Qeveria nuk ofron mundësinë e modifikimit të të korrave, duke mbjellë ndoshta lloje të tjera të produkteve dhe as nuk lejon që kryefamiljarët të kenë mundësinë e korrjes dhe shitjes së produkteve të rritura për të nxjerrë një burim tjetër të të ardhurave".

Fuqia e ndarë nga kolumbianët dhe meksikanët

Po kush është sot në krye të trafikut? Nikolas? "Nëse flasim për forcë në trafikun e drogës, 99,99% e trafikut botëror të drogës, menaxhohet nga kolumbianët dhe meksikanët. Më parë, kishte dy kartele të mëdha, ai i Medellínit dhe ai i Kalit. Pas vdekjes së Pablo Eskobarit dhe Chepe Santacruz, vendin e zuri mallkimi dhe e them nga këndvështrimi që unë duhet të jetoja: kur ata vdiqën, qyteti i Medellínit duhej t'u dorëzohej armiqve tanë më të mëdhenj... Që nga ajo kohë, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe sot ka qindra grupe të vogla, madje as të dukshme nga autoritetet, - tregon nipi i Eskobarit. - Ata administrojnë trafikun, jo siç bënin kartelet e vjetra, sipas një organizate të vërtetë, solide, të artikuluar. Asgjë nga këto: tani ata e menaxhojnë tregtinë e drogës sikur të ishte një dyqan”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë