Njerez

Histori/ Pasqyrimi i perceptimeve dhe qëndrimeve të specialistëve për stilin hipervigjilent të prindërimit

Specialistë nga fusha e psikologjisë klinike, sociologjisë, logopedisë, terapisë zhvillimore për fëmijët dhe drejtuese ekzekutive të qendrave dhe institucioneve parashkollore kanë treguar histori personale, histori që kanë hasur gjatë punës, perceptimet dhe qëndrimet e tyre për stilin hipervigjilent të prindërimit.

“Është shumë e nevojshme ngritja e vetëdijes përsa i përket hipervigjilencës pasi kjo temë nuk është se diskutohet shpesh. Ka shumë nëna që duan t’i mbajnë nën ombrellën e tyre. Në përditshmëri e shikojmë këtë dukuri tek prindërit, por jo vetëm, edhe tek gjyshërit”.

“Hipervigjilenca ndikohet shumë nga rrethi në të cilën jetojmë dhe veprojmë. Ndikohet nga mënyra e edukatës dhe e kulturës që përfaqësojmë. Nga praktika profesionale që kam bërë jashtë shtetit, ka një qasje që 90 minuta fëmija duhet të dalë jashtë dhe të marr ajër të pastër, gjë që nuk mund ta realizosh faktikisht në Kosovë dhe Shqipëri, sepse tek ne, nëse bie shi është rrezik, nëse bie borë është rrezik, nuk e kemi qasjen e njëjtë që t’i lëmë fëmijët të ballafaqohen me ambientin. Pra janë shumë faktorë që ndikojnë, nuk është vetëm mosha. Tani nëse flasim edhe për Kosovën dhe për Shqipërinë, normalisht që ndikon edhe mosha. Prindërimi në moshë të hershme ka edhe anë pozitive dhe negative. Ekziston një vullnet, dëshirë dhe një qasje që prindër të rinj marrin nga të tjerët, mbase i ndihmon edhe teknologjia që lexojnë edhe më shumë, sepse nuk është në ditët e sotme një informacion që nuk mund ta gjesh. Mirëpo, në anën tjetër, jo çdokush që bëhet prind në moshë të hershme është përgatitur për të marrë përgjegjësi dhe obligime që i kërkon një fëmijë”.

“As mua vetë nuk më kishte shkuar në mëndje që hipervigjilenca e një prindi mund të bëjë problem për zhvillimin e fëmijës, sepse në përgjithësi nuk e shohim me këtë sy, e shikojmë me syrin e mirë gjithmonë, që përkujdeset ndaj fëmijës. Po mendoja pak për veten, sepse edhe unë jam vetë fëmija i parë dhe në përgjithësi ne fëmijët e parë e vuajmë këtë hipervigjilencën e prindit. Po reflektoja nga vetja në shumë aspekte që unë e kam parë hipervigjilencën sidomos tek mamaja. Për të mbrojtur fëmijën, prindi e fut në një fllusk fëmijën, kanë frikë se mos ti vritesh jashtë, se ti mos vritesh nga topi, se dikush mund të të ngacmojë etj., ndërkohë prindi nuk e kupton se fëmijën e ka bërë deri diku të pazotin”.

“Nga eksperienca ime në kopësht kam takuar target grup prindërish të mëdhenj në moshë dhe që ishin më të vërtetë hipervigjilentë dhe dukeshin qartë që nga mënyra se si e linin në kopësht, nga reagimet… Ishte një prind që unë nuk e kisha takuar, pasi unë ndodhesha me pushime në fakt dhe fëmija kishte një javë që kishte vazhduar kopshtin. Kur u riktheva më thotë edukatorja që është shumë i frikësuar, futet në një qoshe dhe nuk do të bashkëveprojë. Kjo është mëse normale që kur një fëmijë fillon kopshtin ato ditët e para nuk socializohet, ngaqë nuk njeh as ambientin dhe e lejojmë edhe prindin të qëndrojë pak me të që t’i krijojë një siguri në ambientin ku ndodhet. Nëna në fjalë, kishte kërkuar që të rrinte gjatë gjithë kohës aty me të. Kur asaj i duhej të largohej ajo qante dhe fëmija bënte të njëjtën gjë kur shikonte edhe nënën e tij dhe ajo i transmetonte kështu atë pjesën e ankthit që përjetonte tek fëmija i saj dhe kjo gjë vazhdoi për më shumë se një muaj. Dhe ishte prindi që merrte në telefon më pas çdo 5 minuta: “më thuaj tani!”; “çfarë po bën ai, po qan? Është i frikësuar?”. Dhe më është dashur një punë me nënën, për ta bërë të kuptojë që fëmija ndihet kështu nga ti si pasojë e mënyrës se si ti i shpreh emocionet e tua. Ajo u shpreh se e bënte kudo këtë gjë, nuk e linte as në park, dhe kur shkonte në parkun e lojërave nuk e linte asnjë minutë vetëm. Ajo ishte shumë e vetëdijshme për këtë problem që kishte dhe kërkonte ndihmë që të mos merakosej kaq shumë për të. Unë e referova që duhet të kërkojë një ndihmë tek një profesionist dhe ajo e zgjodhi vetë specialistin. E kam ndjekur rrjedhshmërinë e këtij rasti, ajo pas një viti kishte përmirësim të dukshëm. Ishte babai që e sillte më shpesh fëmijën, nuk telefononte më shpesh”.

“Stilet e prindërimit janë të ndryshme, por meqë jemi duke folur për prindër që janë hipervigjilentë mund të themi se kjo i dëmton fëmijët në rritje dhe zhvillim, sepse i deformon, i bën tejet alert përball çdo gjëje që i rrethon, pra ata nuk arrijnë të kenë fëmijëri dhe ta gëzojnë atë, sepse gjithnjë do të jenë të tërhequr nga vëmendja e prindit. Kjo i pengon për t’u rritur dhe formuar”.

“Doja të ndaja një përvojë personale meqë jam vetë nënë dhe tani që merrem edhe me fëmijët mund të bëjë atë dallimin dhe mënyrën se si realisht i kam trajtuar gjërat. Në fakt, kam filluar të përdor shumë herët internetin që në vitin ’99 ku isha pjesë e Kombeve të Bashkuara, por në fakt jam nëna e vetme që e kam mbijetuar atë sfidën që të mos i lejoj fëmijët të përdorin teknologji. Djali im ka filluar të përdor telefon smart që në moshën 15 vjeçare dhe në fakt isha personi më i kritikuar në gjithë vendin. Jam injoruar dhe “persekutuar” në forma të ndryshme duke thënë: “Si ka mundësi që nuk i lejon përdorim të teknologjisë?”. Ndoshta edhe unë isha më shumë seç duhet vigjilente, por si e rritur e dija që çdo gjë që përdorej me masë, normalisht që është e rregullt, por kur teprohet dhe pastaj kur ti humb kontrollin, punon në orare të zgjatura dhe nuk di se çfarë ndodh…Dhe i them gjithmonë fëmijëve të mi, kjo është puna ime që të bëj dallimin midis asaj që themi dhe bëjmë, sepse në fakt fëmijët bëjnë çfarë bëjmë ne, na imitojnë ne, nuk bëjnë çfarë themi ne. Kjo është ajo që i mungon qasjes së prindit, që të jemi sa më produktiv që të jemi ne ata që i udhëzojmë. Unë vazhdoj t’iu them fëmijëve të mi, është në rregull që të gabosh, por mos i përsërit gabimet dhe mos gabo në atë masë që të devijosh nga e drejta”.

“Avantazh i hipervigjilencës për mendimin tim, është që ne mund të marrim një informacion për fëmijën, nëse ai është duke u bulluar në mjedisin jashtë, pra nëse kemi një vigjilencë të shtuar ndaj fëmijëve tanë, ne mund ta kuptojmë këtë gjë. Normalja dhe anormalja është e ndarë me një fije aq të padukshme sa ti nuk kupton dot që je në normalitet apo në anormalitet. Dhe pikërisht kjo është ajo pjesa që duhet të mendojmë sa është masa për të qenë vigjilentë dhe të kuptuarit të të mesmes së artë është si thembra e Akilit, pra është një mrekulli që prindi të arrijë të kuptojë masën. Ndërsa në këndvështrimin tjetër, hipervigjilenca i bën fëmijët jo të realizuar, jo vetvetja, kanë ato problemet e tyre në qasjen ndaj fëmijëve të tjerë. Ndërsa për prindërit hipervigjilenca shkon deri në ankth, depresion dhe përfundon në paranojë pastaj dhe kjo futet në probleme të shëndetit mendor që duhet trajtuar. Iu ikën gjumi, janë gjithë kohës të shqetësuar, kanë një lloj aritmie, kanë mungesë të frymëmarrjes duke qenë tërë kohës në ankth e panik. Në periudhën e karantinës patëm atë Linjën e Gjelbër, ku patëm shumë prindër që kërkonin ndihmë psikologjike pikërisht për këtë arsye, sepse pyesnin çfarë do iu ndodhte fëmijëve tanë, do na sëmuren, do na vdesin, si do e përballojmë gjithë këtë situatë”.

 “Shpesh herë për specialistët duke patur atë vigjilencën klinike, është shumë e rëndësishme për ne të kuptojmë se një fëmijë është duke vuajtur, një fëmijë është duke u bulluar, një fëmijë është duke u keqtrajtuar, dhe ne gjithmonë duke qenë vigjilentë në mënyrën se si i drejtojmë pyetjet, se si ata arrijnë të kenë kontakte me sy, se si komunikojnë me profesionistët ose me të rriturit ose edhe me njëri-tjetrin, ne kuptojmë se si këto fëmijë trajtohen dhe mund të ndihmojmë shumë në këtë pjesë. Gjithashtu, një nga trajnerët më të njohura të prindërimit në botë që është Elein Peiler Clau, ajo merret me trajnimin prindëror lidhur me hipervigjilencën. Dhe ajo thotë që: “Unë kam patur shumë prindër të cilët vinin me një ankth të shtuar, të tmerruar, se çfarë po ndodhte me fëmijët e tyre, që donin që fëmijët e tyre t’i kishin pas vetes se ndiheshin të sigurt dhe mua më është dashur që t’iu shpjegoj që pjesa më e vështirë e prindërimit është që t’i lëshosh fëmijët dhe t’i lejosh ata që të mësojnë nga gabimet e tyre”. Prindërit këtë e kanë shumë të vështirë, sepse nuk i lejojnë të gabojnë, sepse nëse ata gabojnë do të ndodh gjëma dhe kushedi se çfarë…përkundrazi të gabosh është njerëzore, sigurisht duke i qëndruar pranë fëmijës duke i shpjeguar çdo gjë që ndodh. Dhe kjo nuk e bën prindin të mirë apo të keq, sepse nuk i ndajmë dot. Kështu që, shpesh në punën tonë ne jemi mësuar të shohim prindër që kanë hipervigjilencë, pastaj ka edhe që janë për herë të parë prindër, ata e kanë edhe më të shtuar vigjilencën sepse i ndjekin frikëra më të mëdha. Kjo ka të bëjë me moshën e prindërve, pra kur ata bëhen prindër për herë të parë. Kur ti bëhesh prind në moshën 22 vjeç për shembull, sigurisht që ti nuk je dot e aftë për të përballuar prindërimin, dhe kështu vështirësitë rriten”.

“Unë problemet që lidhen me ç’rregullimet zhvillimore të fëmijës i shoh tek prindërit. Kur bëjmë vlerësime psikologjike për të parë deri ku është situata zhvillimore e tyre, se në çfarë fushash ata kanë probleme, unë shikoj që prindërit i lënë gjithë ditën me telefon, para ekranit të televizorit dhe nuk iu flasin fare. Kur mbaroj këtë pjesën e vlerësimit unë iu them gjithmonë që duhet ta konsideroni veten si aktorë me fëmijët, duhet vetëm të flisni, edhe kur ato nuk e kanë vëmendjen tek ju, sepse diçka tek veshi i tyre do ngelet. Çdo veprim që bëni lidheni me fjalën, për shembull, jam duke gatuar ose jam duke hekurosur dhe hekuri është i nxehtë. Prindërit më thotë shpesh: “Po ja nuk i flasim se nuk na dëgjojnë, merren veç me telefonin”. Prindërit kështu janë rehat dhe nuk po lodhen”.

 “Edhe tek filmi “Beni ecën vetë” ka një pjesë ku thuhet se: “Sa herë të kam thënë të mos rrish në dysheme”. Pra, një fëmijë e ka të nevojshme që t’i thuhet disa herë e njëjta gjë, sidomos një fëmijë me aftësi të kufizuar si autizmi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë