Futboll

Higuain debuton me gol, Lautaro Martinez çmend Interin

Reali i Madridit ka fituar trofeun “Barnabeu”, pasi ka mundur 3-1 Milanin, por mund të buzëqeshin edhe kuqezinjtë për dy arsye. Së pari, sulmuesi Gonzalo Higuain ka debutuar me gol në ndeshjen e luajtur në “Bernabeu” dhe së dyti skuadra e Gatuzos ka luajtur si e barabartë me kampionët e Europës. Milani duket në rrugë të mbarë, ndërkohë që te Reali është kthyer në fushë Luka Modriç, i cili është pritur me ovacione nga tifozët.

Sytë e tifozëve të Milanit ishin drejtuar tek argjentinasi Gonzalo Higuain, i ardhur nga Juventusi disa ditë më parë. Dhe ai nuk ka zhgënjyer. I kanë mjaftuar 4 minuta për të gjetur golin e parë me fanellën kuqezi. Higuain ka barazuar golin Benzema, që shënoi dy minuta pas vërshëllimës për startin e ndeshjes së vlefshme për trofeun “Barnabeu”, të zhvilluar në Madrid. Përveç golit, sulmuesi ka bërë edhe një ndeshje shumë të mirë, duke treguar një formë fizike optimale. Skuadra e Gatuzos në përgjithësi ka funksionuar mirë, duke e përballuar Realin, por është ndëshkuar në dy episode, në fundin e çdo pjese loje. Bejl kaloi madrilenët në avantazh në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, kurse Majoral trefishoi rezultatin në minutën e 91-të. Një provë pozitive kjo për Milanin një javë para nisjes së kampionatit, ndërkohë që te Reali, përveç trofeut, i janë gëzuar edhe qëndrimit të Modriçit, i shumë përfolur për një kalim të mundshëm tek Interi në merkaton e verës. Kroati u prit me ovacione në momentin që hyri në fushë në pjesën e dytë.

Higuain në dyluftim e Serxhio Ramos

Interi mposht Atletikon me një perlë të Lautaro Martinez

Kampionati nuk ka nisur ende, por interistët mund të besojnë verbërisht tek aftësitë e Lautaro Martinez. Në Madrid, në stadiumin “Wanda Metropolitano”, që do të presë finalen e ardhshme të  Championsit, argjentinasi i ka dhënë fitoren Interit me një veprim të bukur akrobatik. Kros i Asamoah nga e majta dhe Lautaro, në shtyllën e dytë, “shpik” një gjuajtje akrobatike me të djathtën dhe mposht një nga portierët më të mirë në botë, sllovenin Jan Oblak. Gol që vendosi ndeshjen e vlefshme për International Champions Cup.

Interi feston golin e Lautaro Martinez

Atletiko nuk ka bërë një ndeshje të mirë dhe trajneri Simeone duhet të jetë i shqetësuar para ndeshjes së Superkupës së Europës, pas humbjes 0-1 ndaj Interit. Spanjollët i janë afruar barazimit në dy-tre raste sporadike, por pa mundur të shënojnë, falë edhe pritjes së Handanoviç në gjuajtjen e Vitolos në fundin e ndeshjes. Trajneri Spaleti ka marrë sinjale mjaft të mira para kampionatit, por mbi të gjitha është Lautaro Martinez ai që po “çmend” interistët dhe i bën të ndërrojnë për fitimin e titullit kampion. Interi ka provuar edhe skemën me tre mbrojtës dhe D’Ambrozio-De Vrij-Skriniar janë paraqitur mirë. Borja dhe Lautaro Martinez kanë luajtur pas Ikardit dhe gjithçka ka shkuar mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë