Njerez

Higjiena menstruale, në Shqipëri shpenzimet për produktet janë ndër më të lartat në Ballkan

Në ditën ndërkombëtare të higjienës menstruale, kujtojmë se cikli menstrual i të gjitha grave është i ndryshëm, por të kesh menstruacione është një barrë financiare.

Në shkallë globale, taksa e tamponit ende ekziston dhe gratë ende po paguajnë tatimin për produktet që janë nevoja themelore. Në vende të tilla si Shqipëria, Islanda, Argjentina, Bullgaria ose Moldavia, kjo taksë e tamponit është 20% ose më e lartë. Gratë në Bosnje, Turqi, Zelandën e Re, Afrikën e Jugut dhe Kili paguajnë nga 15 deri në 19% TVSH për të blerë produktet sanitare që u nevojiten.

Sipas një raporti nga Australian development Agency, kostoja mesatare për peceta higjenike ose tamponët për person në muaj në vendin tonë është 5.3 euro. Kjo më pak se në Maqedoni që është 3.5 euro apo dhe në Kosovë që është 4.6 euro. Vetëm në Serbi shpenzimet mujore janë 6 Euro.

Që nga viti 2007, Bashkimi Europian ka lejuar shtetet anëtare të reduktojnë të ashtuquajturën taksë të tamponit në nivelin minimal të parashikuar për nevojat bazë (deri në 5%, jo anulim total).

Shumica e vendeve europiane në vitet e fundit kanë vendosur të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të ulin TVSH-në për këto produkte.

- Spanja, Greqia dhe Austria e kanë ulur atë në 10%.

- Franca e ka ulur në 5.5%.

- Irlanda zgjodhi 0%: ky është një rast i jashtëzakonshëm, pasi ky vendim është marrë përpara se të hynte në fuqi direktiva europiane për uljen dhe përjashtimin e TVSH-së për tamponët, ndaj Irlandës nuk i kërkohet të aplikojë normën minimale prej 5%.

- Belgjika e ka ulur në 6%.

Gjermania nga viti 2020 shkoi nga 19 në 7%, kryesisht falë një nisme të nisur nga start-up-i gjerman “The Female Company”, i cili shkroi “The tampon book”, një libër proteste kundër taksave gjermane, me synimi për të thyer tabutë dhe për t'u siguruar që çdo grua të ketë tampona kudo, në çdo kohë. Ky libër përmban disa histori për menstruacionet, por më e rëndësishmja, brenda tij përmban edhe 15 tampona dhe shitej për 3.10 euro. Sapo doli, u shitën mbi 10,000 kopje, duke u shitur në vetëm një ditë. Një nismë që duket se ka funksionuar, duke qenë se nga viti 2020 në Gjermani TVSH-ja për tamponët është ulur nga 19 në 7%.

Anglia, e cila ka qenë gjithmonë në ballë të kësaj beteje, që në vitin 2000 kishte ulur në minimum normën e taksës për pecetat higjienike (të parashikuar nga BE). Tashmë, me daljen përfundimtare nga BE-ja, ajo ka vendosur të heqë njëherë e mirë "taksën e tamponit".

Në pjesën tjetër të botës, vetëm një pjesë e vogël e vendeve nuk vendosin taksa shtesë për produktet shëndetësore të grave, veçanërisht:

- Kanadaja zgjodhi të heqë totalisht taksën në vitin 2015.

- E njëjta gjë ndodhi në shtetin e Nju Jorkut.

- Australia, që nga janari 2019, kaloi nga një normë 10% në heqjen totale të taksës.

- Në SHBA, ku taksat për produktet menstruale ndryshojnë nga shteti në shtet, vitet e fundit Connecticut, Florida, Illinois, Maryland, Massachusetts, Minesota, New Jersey, New York dhe Pennsylvania hoqën taksën e tamponit.

- Kenia, në vitin 2004 ishte vendi i parë që uli taksimin e produkteve të higjienës femërore dhe që nga viti 2011 ka zbatuar një projekt për shpërndarjen e tamponëve falas nëpër shkolla.

- India, në vitin 2018 hoqi plotësisht taksën e tamponit, vendim i marrë pas protestave dhe demonstratave.

- Malajzia, Uganda, Tanzania, Nikaragua dhe Trinidad e Tobago e kanë eliminuar plotësisht këtë taksë.

Në nëntor 2020, Skocia u bë vendi i parë që ofroi tampona dhe produkte higjienike për këdo që ka nevojë për to.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë