Gazeta Si- Një ditë pas arrestimit të mjekut kirurg Dervish Hasi, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni ndaj një të miture, asnjë nga 3 gratë e tij nuk ka pranuar të flasë para hetuesve.
Edhe vetë 42-vjeçari ka refuzuar të japë shpjegime konkrete në lidhje me ngjarjen e rëndë, duke u shprehur me një “po” ose “jo”.
Megjithatë para hetuesve ai është shprehur se “vajzën nuk e ka detyruar njeri” të kryejë marrëdhënie seksuale, edhe pse ajo është vetëm 16 vjeçe!
Sa i përket akuzave për shfrytëzim prostitucioni deri në këtë fazë, hetuesit nuk e kane të qartë këtë pistë pasi edhe vetë e mitura e ka mohuar.
LEXO EDHE:
– Arrestohet mjeku besimtar, shfrytëzoi për 2 vite 16-vjeçaren për prostitucion. E prezantonte si gruan e tij të katërt! Përgjimet zbulojnë video pornografike në grup chat-i
– Mjeku Dervish Hasi i hetuar nga SPAK si i përfshirë në trafik armësh. Në 2019 i hodhën makinën në erë
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, e mitura, e cila dyshohet se është shfrytëzuar seksualisht nga kirurgu i zemrës dhe që e prezantonte si gruan e tij të katërt, ka deklaruar se nuk ka shkuar me dhunë.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, për shkak të hezitimit për situatën delikate, nuk është vijuar më tej nga hetuesit për detaje të tjera dhe pritet që vajza të merret edhe një herë tjetër në pyetje në prani të një psikologu.
Nga ana tjetër, familjarët e vajzës janë shprehur se në fillim kanë qenë pjesërisht dakord dhe nuk kishin zgjidhje tjetër për shkak se vajza ishte e bindur nga Hasi dhe, siç thanë ata, “kishim frikën e ndonjë veprimi nga ana e saj”.
Deri më tani, vepra penale për të cilën i është referuar Dervish Hasit nga Prokuroria është vetëm ajo e marrëdhënieve seksuale me të mitur.
Pas arrestimit të mjekut 42-vjeçar, policia i ka sekuestruar edhe celularin, ku në të janë gjetur filmime me përmbajtje erotike të 3 bashkëjetueseve të Dervish Hasit, por edhe të vajzës 16-vjeçare.
Dyshohet se ai e merrte 16-vjeçaren tre deri katër herë në javë në banesën e tij dhe në momentin që kryenin marrëdhënie një nga gratë i filmonte dhe më pas i shpërndanin në chatin e përbashkët që kishin.
Dyshohet se e mitura shkonte me dëshirën e saj në mënyrë të vazhdueshme te banesa e mjekut, por ka dyshimet që ai ta ketë manipuluar vajzën duke i premtuar se do martohej me të në të ardhmen.
Dervish Hasi nuk është një person i panjohur për policinë. Në vitin 2019, makinës së tij iu vu një sasi eksplozivi, ndërsa vetëm dy vite më vonë emri i tij doli në një hetim të SPAK lidhur me një grup që trafikonte armë dhe municione luftarake.
Emri i mjekut doli nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Enver Jamaku, i cili e përfshiu Hasin si një nga personat që kishte kthyer banesën e tij në vend për mbajtjen e armëve dhe municioneve. Por këto akuza nuk u provuan nga prokuroria.
Mjeku punonte në Sanatorium në shërbimin e kardiokirurgjisë prej vitit 2021 dhe mësohet se për të është marrë vendim për pezullim të menjëhershëm nga puna pas arrestimit.
42-vjeçari, Dervish Hasi ushtronte profesionin e mjekut kardiokirurg në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” prej vitit 2021, kohë në të cilën u hap ky shërbim edhe në këtë spital.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.