Dosje

Mjeku Dervish Hasi i hetuar nga SPAK si i përfshirë në trafik armësh. Në 2019 i hodhën makinën në erë

Emri i mjekut Dervish Hasi nuk është i ri për policinë dhe organet hetimore. Kardiokirurgu ka dalë në skenë gjatë hetimeve që SPAK ka kryer për bandën e snajperëve që porosiste dhe kryente atentate me armë e tritol në Tiranë.

Mediat kanë raportuar se ai ishte përmendur gjatë dëshmive të të penduarit të kësaj çështjeje, Enver Jamaku, i cili është shprehur që përpara të paktën dy vjetësh se Dervish Hasit dhe djalit të tij u ka dorëzuar armë e municione disa herë. Por deri tani si mjeku Hasi, ashtu edhe i biri, i kanë shpëtuar arrestimit, pasi me sa duket SPAK ka kryqëzuar informacione të tjera me dëshmitë e të penduarit Jamaku duke mos konkluduar ndoshta në prova të pakundërshtueshme.

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Enver Jamaku ka treguar se në një rast ka qenë ai vetë që i ka çuar armët në shtëpinë e kirurgut.

Përfshirja apo jo e mjekut në trafik armësh u nxit edhe nga një ngjarje tjetër. Më 23 janar 2019 në rreth orës 20:40, në rrugën “Belul Hatibi”, që ndodhet pranë Xhamisë Xhura, në afërsi të zonës së “Oxhakut” në Tiranë, automjeti i mjekut Dervish Hasi është shkatërruar me lëndë eksplozive. Për këtë ngjarje, policia ka kryer të gjitha hetimet e nevojshme, por pa dalë në një shkak. Kjo edhe për faktin se në kohën kur ka ndodhur shpërthimi, Dervish Hasi ka pohuar se nuk kishte konflikte. Por nga dëshmitë e Enver Jamakut, është zbuluar se sulmi me tritol ka ndodhur pikërisht për shkak të tregtisë së armëve dhe municioneve.

Vetë mjeku Dervish Hasi, gjatë deklarimeve që ka dhënë për oficerët e Policisë, pati mohuar asokohe të ketë probleme apo konflikte, qoftë personale apo për shkak të profesionit. Ai ka shpjeguar se makinën e kishte blerë rreth një vit më parë dhe, sipas tij, mund të kishte qenë edhe ndonjë ngatërresë nga ana e autorëve.

Në 17 prill 2021 Gjykata e Posaçme pati lënë në burg nëntë të akuzuarit e grupit të snajperave: Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jupi, Festim Mustafa dhe Arben Sufa. Ndërsa për Klodian Kullën, nip i Nehat Kullës ishte vendosur masa arrest me afat 45 ditë. Në kërkim për këtë çështje kanë qenë edhe biznesmeni Sokol Xhura, i cili është larguar në SHBA në 4 mars 2021 dhe nipi tjetër i Nehat Kullës, Akil Kulla.

Hetimet për të gjithë këtë grup nisën pas vendosjes së tritolit në makinën e Gjon Menës, kur policia arrestoi fillimisht Enver Jamakun, kushëririn e tij, Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukalin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë