Politike

“Hesapet” e vjetra me drejtësinë shqiptare të Fredi Belerit

Vendimi i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për t’i ndaluar kandidimin për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 30 qershorit ka rikthyer emrin e Fredi Bejlerit edhe njëherë tjetër në marrëdhënet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Ministria e Jashtme greke ka reaguar shkurtimisht në lidhje me vendimin e marrë gjatë mbledhjes së ditës së premte nga ana e KQZ-së.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, të përbërë nga anëtarë të partive politike shqiptare, për të refuzuar kandidaturën e kryetarit të OMONIA-s, Fredi Bejleri për të kandiduar në Bashkinë e Himarës është shqetësues. Me aq sa jemi në dijeni deri më tani, vendimi nuk ka asnjë bazë ligjore. Ne po ndjekim zhvillimet në këtë drejtim dhe jemi të gatshëm për të ndihmuar përfaqësuesit e minoritetit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

Edhe OMONIA ka reaguar pas vendimit të KQZ-së. Në një deklaratë për mediat, kjo organizatë shprehet se ky është represion i ri i Ramës dhe mospranim joligjor i kandidaturës së Belerit në Himarë. Për refuzimin nga KQZ të kandidaturës së Belerit pati edhe një reagim nga Ministria e Jashtme greke.
Në deklaratën e OMONIA-s thuhet:
“Para pak orësh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë komunikoi se kandidatura e Dhionisis Fredi Belerit për Bashkinë e Himarës nuk u pranua me argumente fluide qe levizin në kufijtë e ligjshmërisë.
Vendimi i Komisionit i referohet një penaliteti qe lidhet me mbrojtjen e kutisë së votimit, një ngjarje e cila është e pasqyruar edhe në Raportin e atëhershëm të OSBE. Fredi Beleri, i ndodhur përballë orgjisë se frikësimit të heleneve të Himarës dhe të manipulimit të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve vendore të vitit 2003, të vetmin akt qe kreu se bashku me bashkëqytetaret e vet ishte mbrojtja e votës së bashkëqytetarëve dhe e parimeve të demokracisë.
Dhe faktikisht, për dy zgjedhje të njëpasnjëshme (2003 dhe 2007), u përligjen, pasi Kryetar i Bashkisë së Himarës u zgjodh kandidati me origjinë greke Vasilis Bollanos. Në kuadër të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe para sigurisë se do të zgjidhet përsëri kryetar bashkie me origjinë greke në Himarë, regjimi Rama ndërmerr metoda imorale dhe joligjore, në mënyrë qe të ruajë kontrollin e një krahine të pasur dhe me rendësi strategjike
Tashmë janë të njohura metodat e qeverisë Rama dhe të veglës së tij të bindur, të kryetarit aktual të Bashkisë Goro për grabitjen e pronave dhe për vënien në dyshim të origjinës greke të banorëve vendalinj. Vendimi i tij është edhe një hallkë tjetër e shtuar në zinxhirin e veprimeve të tij në shërbim të dy synimeve të lartpërmendura.
Është e padiskutueshme se argumentimi i vendimit të Komisionit do të bjerë poshtë para çdo gjykate shqiptare, por rreziku i humbjes së kohës së çmuar deri më atëherë është evident dhe i madh”, deklaron OMONIA.

Athina zyrtare thotë se nuk ka asnjë bazë ligjore, por KQZ mendon të kundërtën. Vendimin e tij, ky institucion e bazon tek ligji i dekriminalizimit, përkatësisht tek neni 2 i këtij ligji, që ndër të tjera thotë u ndalon të drejtën për t’u zgjedhur personave të dënuar me më shumë se 2 vite burg për një afat kohor prej 10 vitesh.

Ndaj Fredi Belerit ka një vendim të Gjykatës së Vlorës, e cila e ka dënuar me 3 vite burg për akuzën e nxitjes së urrejtjes ndëretnike. Dënimi është dhënë pas ngjarjeve të vitit 2003 në një qendër votimi në Himarë, ku Beleri ishte protagonist në përplasjet e dhunshme dhe thirrjet antishqiptare që pasuan. Ai, së bashku me katër persona të tjerë u dënua në mungesë me 3 vite burg.

Dënimin nuk e kreu asnjë herë pasi u arratis në Greqi. Ai e ankimoi në të gjitha shkallët e gjykimit ne vendin tonë vendimi u la në fuqi në 2009, ç’ka është brenda afateve të parashikuara nga ligji i dekriminalizimit për ndalimin e kandidimit. Beleri iu drejtua edhe Strasburgut për të kërkuar nga shteti shqiptar jo vetëm anulim të vendimit, por edhe dëmshpërblim për proces të parregullt dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Strasburgu e mbylli shqyrtimin e kërkesës së tij në qershor të 2016 dhe në përfundim tha se nuk kishte gjetur asnjë shkelje në procesin gjyqësor ndaj Belerit.

Paralelisht me ankimimin në Strasburg, që e dorëzoi në 2010, Beleri u përpoq që të “pastronte” emrin edhe duke shfrytëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë në 2012, duke iu drejtuar Presidentit të asaj kohe me një letër për t’i dhënë amnistinë.

Në zgjedhjet vendore të 2015, kur ligji i dekriminalizimit nuk ishte miratuar ende, Fredi Beleri kandidoi nën siglën e PBDNj-së për Bashkinë e Sarandës. Ai pati mbështetjen edhe të opozitës shqiptare, por humbi përballë kandidatit të PS-së, Jorgo Goro.

Por jo vetëm ngjarjet e 2003. “Hesapet” e Belerit me drejtësinë shqiptar fillojnë që në mes të viteve ’90 në masakrën e Peshkëpisë. Ai është njëri prej komandove ekstremistë grekë që atë vit kaluan kufirin dhe sulmuan një repart rekrutësh të ushtrisë shqiptare në fshatin Peshkëpi. Nga sulmi mbetën të vrarë ushtarët Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini, ndërkohë që disa të tjerë u plagosën.

Kjo ngjarje nuk është hetuar asnjëherë në themel nga drejtësia shqiptare, megjithëse emrat e autorëve të dyshuar janë bërë publike në Shqipëri dhe Greqi prej kohësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë