Lajme

Integrimi në BE, Greqia i tërheq vëmendjen Shqipërisë për Fredi Belerin

Pasi ka marrë rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave, Greqia vijon t’i kujtojë Shqipërisë kushtet për të mbështetur procesin e anëtarësimit për në BE.

Ministria e Jashtme greke, përmes një deklarate të publikuar së fundmi thekson se është “duke punuar për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë”, por i kujton vendit tonë disa kushte që duhen përmbushur. E në këtë rast, Greqia ndalet tek shqetësimi i saj i përhershëm, pakicat kombëtare dhe zbatimi i të gjithë legjislacionit për të drejtat e njeriut sa i takon minoritetit.

Fredi Beleri

“Siç është bërë e qartë në raportin e Komisionit Evropian, respektimi i të drejtave të minoritetit grek është i lidhur drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe është pjesë integrale e pesë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të vendit për anëtarësim në BE, përmbushja e të cilave do të trajtohet nga Këshilli i Evropës. Në këtë kontekst, ne presim garanci për të drejtat e minoritetit në të gjithë Shqipërinë, një masë që Shqipëria kishte ndërmarrë për ta miratuar deri në maj 2018, dhe zbatimin e ligjit të pronësisë për anëtarët e minoritetit”, thuhet në deklaratë.

Por, duket se në listën e fqinjit jugor është shtuar edhe një “kusht” i ri, Fredi Beleri. Greqia e shikon si pengesë vendimin e KQZ për të mos  lejuar kandidimin e Belerit për të garuar si i pavarur për Bashkinë e Himarës.

“Këto veprime shkelin të drejtën e patjetërsueshme të përfaqësimit politik të Pakicës Kombëtare Greke në zgjedhjet komunale në Himarë”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fakt, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Belerit, që do të thotë se ai nuk do të lejohet që të kandidojë për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. 

Deklarata e Ministrisë së Jashtme greke

KQZ ka parashtruar argumentet sipas së cilëve, pavarësisht se kanë kaluar mbi 10 vite nga dënimi i tij dhe ndonëse mund të quhet sipas ligjit "i rehabilituar", dekriminalizimi nuk e njeh si masë lehtësuese.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme greke e mbyll deklaratën me një thirrje për Shqipërinë. “Ne i bëjmë thirrje Shqipërisë që të kthehet në drejtim të përparimit dhe jo të bëjë hapa pas, në mënyrë që procesi i saj i pranimit të vazhdojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë