Sport

Hemilton dhe Osaka, mes 100 personave me më shumë ndikim në botë

Nga Ljuis Hemilton te Naomi Osaka, nga Janis Antentokoumpo te Megan Rapinoe: janë 8 sportistët që figurojnë në listën e 100 personazheve me më shumë influencë në botë sipas “Time”, që ka publikuar së fundi renditjen e vitit 2020.

Për 6 herë kampionin e botës në Formula 1, Ljuis Hemilton, është vlerësuar jo vetëm rendimenti i tij në pistë, por edhe impenjimi në luftën kundër racizmit. Hemilton konsiderohet si një frymëzim për të gjithë. E njëjta gjë vlen edhe për tenisten Naomi Osaka, e cila fitoi “Us Open”, duke mbajtur në çdo ndeshje një maskë me emrat e viktimave nga dhuna e policisë amerikane.

Ljuis Hemilton, kampion bote i Formula 1. Gazeta Si, 24 shtator 2020

Duajn Uejd, ish-yll i NBA-së, bëri bujë me mbështetjen ndaj vajzës së tij transgjinore Zaja, kurse Megan Rapinoe, lidere e kombëtares amerikane të futbollit të femrave, u shndërrua në një simbol të luftës për barazi gjinore. Në këtë “betejë” ka shpenzuar shumë energji edhe Alison Feliks, kampione olimpike e 200 metrave. Antentokoumpo është vlerësuar, pasi ka udhëhequr protestën e Milluoki Baks, që refuzuan të luanin pas vrasjes së Xhakob Blejk.

Mes 8 sportistëve në listën e “Time” janë edhe Patrik Mahomes i Kansas Siti, lojtari më i mirë i finales së fundit të futbollit amerikan, si dhe Maja Mur, kampionia që ndërpreu karrierën për t’iu dedikuar kauzës së Xhonatan Ajrons, i liruar nga burgu pas 23 vjetësh për një dënim të padrejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë