Ne rrjet

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç përplasen ashpër në Bratislavë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç janë përballur ashpër në Bratislavë, për herë të parë pas samitit të Tiranës në një forum sigurie.

Të dy liderët ishin pjesëmarrës në një panel diskutimi në Sllovaki, që përbëhej nga ekspertë dhe diplomatë të ndryshëm. Presidenti Thaçi ishte i pari që përmendi dialogun Kosovë-Serbi duke deklaruar se për aq kohë sa Beogradi do të vazhdojë të vendosë kushte, bisedimet nuk do të rinisin.

“Nuk do të ketë vazhdim të dialogut nëse Serbia vazhdon të kushtëzoj Kosovën në këtë proces”, tha Thaçi.

Si kundërpërgjigje, Presidenti Aleksandër Vuçiç ka fajësuar Kosovën për mos përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, duke e vënë theksin në veçanti tek Asosacioni i Komunave Serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç

“Janë bërë 6 vite prej kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit, por ndërkohë që Serbia i ka përmbushur me përpikmëri kriteret e kësaj marrëveshje, Kosova nuk e ka krijuar ende Asosacionin e Komunave Serbe dhe kanë kaluar 6 vite tashmë”, deklaroi Vuçiç.

Mirëpo i menjëhershëm ishte reagimi i presidentit Thaçi i cili filloi të numërojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, të cilat nuk janë implementuar nga ana e Serbisë.

Presidenti i Kosovës u ndal tek dialogu, duke deklaruar se ka ende gjasa që marrëveshja të arrihet këtë vit, por vetëm nëse Serbia tërhiqet nga pengesat dhe lobimi kundër Kosovës.
“Nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim e Kosovës në UNESCO e Interpol. Por, unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të jetë një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkretë për vazhdim të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes”, tha Thaçi, sipas të cilit, marrëveshje duhet t’i sigurojë Kosovës edhe njohjen nga Serbia. Sipas tij, ky diskutim në Bratislavë ofronte edhe mundësi për vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi.

“Jemi në frymën e një diskutimi të kërkimit të mundësive për vazhdimin e dialogut, i cili duht të mos kushtëzohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare që do të përmbyllet me njohje reciproke. Dialogu nuk ka alternativë”, deklaroi presidenti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç

“Është një mundësi e jashtëzakonshme ta prezantojmë suksesin e vendit tonë, në një shtet ku ende nuk njihet pavarësia e Kosovës. Kemi mundësi të mira të takojmë liderë të BE-së, të cilët konfirmuan mbështetjen e fuqishme për Kosovën”, theksoi ai. Por edhe pse Thaci ishte optimist për arritjen e një marrëveshjeje, presidenti serb ishte i një tjëtër mendimi.
“Për zotin Thaçin e gjithë Kosova u përket shqiptarëve të Kosovës apo se është një shtet i pavarur. Por, sipas kushtetutës së Serbisë e gjithë Kosova i përket Serbisë, edhe bota është e ndarë, absolutisht e ndarë”, tha Vuçiç, duke shtuar se gjysma e botës e njeh, por gjysma tjetër nuk e njeh Kosovën e pavarur. Ai tha se angazhohet për një zgjidhje kompromisi, por jo për çfarëdo zgjidhjeje që ofron Prishtina.

Presidentët Thaçi dhe Vuçiç pritet të kryesojnë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në samitin e Parisit, që është thirrur për të shtyrë përpara dialogun ndërmjet dy vendeve nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel.
Ndërkohe debati mes tyre ne Bratisllavë nisi kur Thaçi filloi të fliste gjuhën shqipe, gjë që duket se acaroi tej mase presidentin serb, i cili i kërkoi disa herë homologut që të fliste anglisht. Mirëpo Thaci innjoroi këtë kërkesë duke vazhduar të fliste në gjuhën shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë