Futboll

Kërcënime nga Beogradi, serbët e Malit të Zi s’dalin në fushë ndaj Kosovës

Mali i Zi pret Kosovën në Podgoricë, në një ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2020, por situata ka marrë një rrjedhë të frikshme pak orë para nisjes së saj, duke u tensionuar maksimalisht. Serbët e Malit të Zi kanë deklaruar se nuk do të zbresin në fushë për ndeshjen me Kosovën. Gjithçka ka ndodhur për shkak të presionit të madh të krijuar nga serbët mbi trajnerin Ljubisha Tumbakoviç dhe dy futbollistë të Malit të Zi, të cilët luajnë me Crvena Zvezdën. Trajneri Tumbakoviç është serb, po ashtu edhe lojtarët Mirko Ivaniç dhe Filip Stojkoviç janë me origjinë serbe, por që luajnë për Malin e Zi.

Lajmi është bërë i ditur nga portali “Vijesti” në Mal të Zi. Një ngjarje e rëndë kjo, që e ka futur skuadrën malazeze në kaos pak orë para fillimit të ndeshjes. Trajneri dhe dy lojtarët, sipas këtij portali, kanë marrë kërcënime nga Serbia dhe e kanë të pamundur të luajë sot ndaj Kosovës. Më e vështirë është situata për lojtarët Ivaniç dhe Stojkoviç, të dy pjesë e klubit të madh serb të Cervena Zvezdës.

Tumbakoviç, trajneri i Malit të Zi

Për trajnerin Tumbakoviç thuhet se pritet të japë dorëheqjen, i detyruar nga kjo situatë, pasi ka edhe një ndeshje kthimi në Prishtinë dhe ai nuk mund të shkojë atje. Situata politike ka pasur ndikim të fortë në këtë rast dhe duket se e ka mundur futbollin. Mali i Zi pritet që në ndeshjen me Kosovën të drejtohet nga Sasha Jankoviç, ndihmësi i Tumbakoviç. Kosova dhe Mali i Zi bëjnë pjesë në Grupin A të eliminatoreve të "Euro 2020".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë