Politike

Nishani: Kuvendi i PD, teatër absurd. U mblodh për hallin politik të Bashës, duhet të shpëtojmë PD

Kuvendi i fundit Kombëtar i PD, ai i 17 korrikut, sipas ish-Presidentit, Bujar Nishani, do të duhet të harrohet sa më shpejt.

“Kuvendi Kombëtar i PDSH u mblodh jo për të adresuar hallin politik të PD e demokratëve, të opozitës shqiptare e vuajtjeve të shqiptarëve, por u thirr për të mbuluar hallin politik të L. Bashës.  Situata e rëndë për PD dhe opozitën si institucion kërkonte krejt tjetër gjë. Dramatikisht tjetër! PD vinte në këtë Kuvend me humbjen e 4 (katërt) radhazi përballë kundërshtarëve të vet! PD për herë të parë në historinë e saj mbetet 3 (tre) mandate rresht në opozitë, (12 vjet) dhe me risk shumë të lartë për ti humbur përsëri zgjedhjet e radhës. PD vinte në këtë Kuvend më e përçarë se kurrë dhe me një strukturë në kaos, të lënë në mëshirën e fatit për vite me radhë.

PD vinte në këtë Kuvend pa asnjë kolonë identiteti si parti konservatore, pa ideologji, pa ekip përfaqësues, me humbje të madhe besimi pas dështimit të rëndë elektoral.

PD vinte në këtë kuvend me rezultate fataliste, duke marrë në zgjedhjet e 25 prillit 60 mijë vota më pak se sa në vitin 2013 kur doli humbëse pas 8 vitesh në qeverisje dhe me 120 mijë vota më pak se sa në 2009 kur ishte fitorja e fundit për PD!”, shkruan në Facebook, Bujar Nishani.

Kuvendi, sipas tij, duhej të ishte vendi dhe koha e analizës përfundimtare, e reformimit tërësor të statutit të partisë, e marrjes së përgjegjësive politike, e ideimit dhe qartësimit të parimeve ideologjike dhe kolonave themelore të partisë, të miratimit të tezave të betejës politike, e vijave të kuqe ndaj palës kundërshtare, e ndryshimit radikal të modelit për krijimin dhe funksionimin e instrumenteve dhe institucioneve brenda partiake.

“Duhet të ishte Kuvendi i “Pikave mbi Δ! Duhet të ishte momenti i fillimit të rikthimit të shpresës! Të gjitha këto, u refuzuan e u zëvendësuan me një Teatër Absurd!

Të vetmet ndryshime statutore ishin kundër vetë partisë, kundër vetë anëtarëve të partisë.

Shndërrimi i Këshillit Kombëtar nga një institucion i lartë vendimmarrës në copëzim departamentesh këshillimore e dëmton rëndë vetë partinë

Këshilli Kombëtar duhet të përfaqësonte në mënyrë proporcionale shtrirjen territorjale të PD.

Kukësi, Gjirokastra, Peshkopia, Korça, Tirana, Elbasani, Durrësi, Mirdita, Devolli, Malësia, e kështu me radhë të gjitha rrethet, duhet të kenë përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejtë në Këshill.

Heqja e të drejtës së propozimit edhe formal të anëtarësisë për kandidatët në zgjedhjet lokale, tregon se përçmimi ndaj anëtarësisë është karakteristika e lidershipit aktual në detyrë”, vëren Nishani.

Ky Kuvend, sipas tij, kishte shumë punë për të bërë por nuk bëri asnjë

“E vetmja retorikë dhe akt statutor i këtij Kuvendi ishte garantimi i ‘represionit’ të L. Bashës mbi Partinë Demokratike”, shkruan Nishani duke renditur një sere argumentesh se pse sipas tij  Lulzim Basha  është “jo vetëm borxhliu më i madh ndaj PD  por dëmtuesi dhe autori i shkatërrimit më të dhimbshëm të saj”. Ndaj dhe, për Bujar Nishanin, beteja për të shpëtuar PD-në mbetet mision.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë