Ne rrjet

Haradinaj shuplakë BE-së: Kush flet për kufijtë është armiku ynë!

Krijimi i ushtrisë, bllokimi i liberalizmit të vizave, vendosja e tarifave ndaj mallrave serbe, por edhe diskutimet për ndryshime kufijsh kanë bërë që Kosova dhe delegacioni përfaqësues i Bashkimit Europian të zhvillojnë një takim mjaft të tensionuar në Bruksel.

Delegacioni qeveritar i Kosovës i kryesuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj është takuar Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionarin për Zgjerim, Johannes Hahn. Por të dyja palët duket se e kanë pasur të vështirë të gjejnë pika të përbashkëta.

Pas takimit, kryeministri i Kosovës Ramush Hardanaj ka quajtur armik këdo që flet për ndryshimin e kufijve. Ai gjhithashtu tha se Kosova ka disa kërkesa legjitime ndaj Bashkimit Evropian, sidomos ato që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave në mënyrë që shqiptarët e Kosovës të mos mbeten më të izoluar. Ai rikujtoi edhe faktin që Prishtina i ka përmbushur të gjitha kriteret që i kishte kërkuar Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka kërkuar Prishtinës zyrtare të shfuqizojë vendimin për tarifën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Haradinaj nga ana tjetër ka kërkuar që dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një rol më të madh në këtë proces.

Përmes dialogut, Haradinaj tha se mund të zgjidhet edhe çështja e tarifës për produktet serbe. “Ne jemi të interesuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria ka përgatitur një draft për këtë marrëveshje dhe parlamenti ka votuar një delegacion”, tha Haradinaj duke theksuar se këto çështje duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohjen e Kosovës, anëtarësimin në OKB dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Përplasja u reflektua edhe nga anulimi i konferencës së përbashkët për shtyp mes kreut të qeverise se Kosovës dhe Mogerinit.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka konfirmuar tensionet me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian, duke thënë se BE po neglizhon perspektivën evropiane për Kosovën edhe pse ky është një nga pritoritetet më të larta që ka shteti.

Kryeministri Ramush Haradinaj, Komisioneri Hahn dhe Federica Mogherini

Në fjalimin e tij para përfaqësuesve të BE-së, Ramush Haradinaj ka folur edhe për idenë për shkëmbim të territoreve, i cili sipas tij ka dëmtuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar. “Edhe pse kanë kaluar njëzet vjet nga lufta, dhjetë vjet nga pavarësia dhe pesë vjet nga Marrëveshja e Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal. Dhe në fakt, tani ka dalë krejtësisht nga binarët, veçanërisht me idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territoreve;”, deklaroi Haradinaj. “Kjo ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet. Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si kryeministër dhe qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendin tim, është armiku ynë”, ka shtuar ai.

“Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini edhe më dinamike. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të jenë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë në komunitetin e kombeve të lira. Pavarësiht këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të nivelit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion. Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigja që marrim nga BE, është gjysmake dhe e pashpresë”, është shprehur Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë