Politike

Haradinaj akuzon Mogherinin: Fajtore për dështimin e dialogut

Një pjesë të mirë të fajit për dështimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Ramush Haradinaj ja faturon Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Në rolin e ndërmjetësueses në këtë dialog, Kryeministri i Kosovës thotë se dialogu i doli nga binarët me bekimin e Mogherinit.

“Ua kujtoj të gjithë vendimmarrësve se dialogu ka dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej taksa dhe kjo ka ndodhur kur Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme ka lejuar që në këtë dialog jotransparent të diskutohet për ndërrim territoresh dhe me tolerimin e moszbatimit të marrëveshjeve të arritura. Këto janë arsyet se pse dialogu është ndalur”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale.

Reagimi i Kryeministrit të Kosovës mbërriti pas deklaratës së Mogherinit ditën e martë në nga Selia e Kombeve të Bashkuara, ku kushtëzoi rinisjen e dialogut me heqjen e taksës “Haradinaj” për mallrat serbe.

“Për rifillimin e plotë të bisedimeve, tarifat e vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe duhet hequr. Ditën kur kjo do të ndodhë, do të thërras menjëherë një takim të ri për dialogun, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, e cila do të adresojë të gjitha çështjet e jashtëzakonshme dhe do të sjellin normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi Mogherini.

Ajo kujtoi se më shumë se Bashkimit Europian, dialogu vlen për Kosovën e Serbinë.

“Ndaj, është në dorën e tyre gjetja e një marrëveshjeje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët”, u shpreh Mogherini.

Por, për Ramush Haradinajn, dialogu po bllokohet në Beograd. Ai shpreh edhe njëherë gatishmërinë e Kosovës për t’u ulur në tryezë, por duke u zotuar se taksa 100 për qind për importet serbe nuk preket.

Në një deklaratë të mëhershme, Ramush Haradinaj kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të ndalin presionin ndaj Prishtinës për çështjen e dialogut dhe taksës së vendosur. “Në vend që të dënohet agresori, po ushtrohet presion ndaj viktimës”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë