Prezantimi i raportit për punën vjetore të 2018 nga ana e Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit nuk kaloi pa debate në Kuvend. Kreu i këtij instituti, Agron Tufa, pasi foli për punën e realizuar në 2018 dhe objektivat e vendosura për 2019 pati disa rekomandime për Kuvendin.
Mes rekomandimeve ishin masat urgjente për menjanimin e ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit në institucionet publike. Sipas Agron Tufës, prania e tyre është rritur tek institucionet në varësi të Kuvendit dhe të Kryeministrit. Si zgjidhje ai propozon modelin gjerman.
“Prania e ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit në institucionet e shtetit ka arritur në nivel të lartë. Gjermania nuk ua ndaloi me ligj hyrjen në administratë, por nuk u njohu diplomat e marra para shembjes së komunizmit. Pra, e bëri fakt të kryer përjashtimin e tyre nga administrrata”, tha Tufa.
Mes rekomandimeve ishte edhe ndalimi i filmave dhe këngët që glorifikojnë figurën e Enver Hoxhës si dhe rishikimi i teksteve shkollore, sidomos të alterteksteve për historinë në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj.
Nga mazhoranca nuk u fsheh pakënaqësia ndaj punës së Institutit. I pari që e sinjalizoi ishte deputeti Besnik Baraj. Ai tha se nuk mund t’i lihej në dorë një instituti të njëanshëm studimi i periudhës së luftës. “Nuk mund të lihet në dorë të ish të përndjekurve, të ish të burgosureve apo të atyre që përfituan nga sistemi socialist studimi i viteve të luftës”, deklaroi Baraj.
Në krah të Institutit u rreshtua Adriatik Alimadhi, kreu i Ballit Kombëtar i hyrë në Kuvend rishtazi nga listat e Partisë Demokratike, ndërsa deputeti Myslim Murrizi kërkoi më shumë nga instituti. Ai cilësoi hipokrit ligjin mbi të cilin funksionon ky institucion.
“Ligj hipokrit që e nis punën e institucionit tuaj nga dita 29 nëntor 1944. Do të doja nga instituti të studiojë edhe më parë, që nga 1939”, deklaroi ai. Murrizi akuzoi politikën se përdor krimet e komunizmit për kapital zgjedhor. “Është një lojë e pistë dhe ndyrë për kapital zgjedhor që zgjat prej 30 vitesh, që sa herë që afrojnë zgjedhjet, ai që është më komunisti hiqet si më antikomunisti”, deklaroi ai.
Gjatë prezantimit të raportit, Agron Tufa foli për pengesa antiligjore që i janë shfaqur institutit në studimin e dosjeve të sigurimit të shtetit nga institucione të tjera, mes të cilave përmendi Ministrinë e Brendshme, apo Shërbimin Informativ Shtetëror.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj rrëzoi akuzën e Tufës. “Të gjitha informacionet që lidhen me dosjet e komunizmit janë tashmë publike. Kush do dhe kush di të kërkojë, ka të gjithë informacionin në dispozicion dhe mund të njihet me to. Nuk ka asnjë pengesë, as për institucionin dhe as për qytetarët për t’u njohur me dosjet”, tha Lleshaj.
Ligji për hapjen e dosjeve, sipas ministrit të Brendshëm e mundëson këtë dhe kushdo mund të marrë dosjen që kërkon sipas këtij ligji. Por, Spartak Braho tha se ligji nuk e jep këtë të drejtë për çdo dosje.
“Zoti ministër, zoti Lleshaj, bëni mirë që jeni i hapur për të studiuar kushdo që ka nevojë apo interes, por kini parasysh se ka një ligj që duhet ta njihni mirë, që informacioni është i klasifikuar dhe studiohen vetëm dokumentet e deklasifikuara. Ndaj, mos e bëni Ministrinë han që të kërcejë tërë mileti të studiojë atë që ruani ju atje”, tha ai, duke shtuar se në Ministrinë e Brendshme ka patur dy persona që kanë abuzuar me detyrën duke ushqyer mediat me dosjet sekrete.
Duke iu rikthyer Institutit, Braho, që në ditët e para të muajit prill u përplas ashpër në distancë me Agron Tufën kërkoi që ai të studiojë krimet e komunizmit, por jo duke baltosur, sipas luftën çlirimtare.
“Neofashistët kërkonin të glorifikonin bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, të deheroinizonin heronjtë e epokës më të lavdishme të popullit shqiptar. Ju duhet të kontrolloheni nga drejtoria e monitorimit të Kuvendit dhe mendoj që edhe detyrën si Drejtor Ekzekutiv i institutit ta lini si papërshtatshëm dhe të jesh më i kursyer në fyerje dhe shpifje”, shtoi deputeti socialist.
Braho e konsideron Institutit “çerdhe të Ballit Kombëtar”, duke shkaktuar replikën e Adriatik Alimadhit, i cili iu përgjigj duke e quajtur “budalla”. I gjithë debati mbi punën e Institutit të Studimeve për Krimet e Pasojat e Komunizmit nisi për financimin e librit “Krimet e komunizmit përgjatë luftës” me autor Dr.Çelo Hoxhën, i botuar në 2014.
Libri në fjalë trajton krimet e kryera para çlirimit dhe socialistët mendojnë se Instituti ka shkelur ligjin në këtë pjesë. “Çfarë ndodhi dhe si ndodhi në pikëpamje të luftës për çlirim deri më 29 nëntor 1944 s’mund të jetë kurrë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas ka qenë objekt i atij instituti dhe i takon Kuvendit të bëjë të gjitha vlerësimet në raport me ligjin apo shkeljen e ligjit”, tha Kryeministri Edi Rama me 5 Maj.
Kuvendi e ka trajtuar këtë temë dhe në përfundim doli me një rezolutë që përcakton kufijtë e punës studimore të institutit. Së pari, rezoluta kërkon që të Instituti të mos përfshihet në studimin e viteve të luftës, por vetëm pas çlirimit dhe së dyti, që t’u qëndrojë strikt fakteve dhe provave duke mos i interpretuar ato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.