Politike

Hapat e PD për mosnjohjen e 25 prillit, nga denoncimi i fakteve, rinumërim e përsëritje votimesh

Në më shumë se një javë pas përfundimit të zgjedhjeve, Partia Demokratike ka filluar që të përcaktojë përparësitë e saj në raport me rezultatin e 25 Prillit.

Një takim i Lulzim Bashës me 71 drejtuesit  e degëve shërbeu si indicie për vendimet e mëvonshme që pikësëpari synojnë mos njohjen e zgjedhjeve.

Për këtë arritur tek ky konkluzion, Basha ka kërkuar mbledhjen e fakteve jo vetëm ne qendër, por edhe nga degët tek të cilat ai vete do të fillojë një tur javës që vjen.

 Mbledhja e fakteve është hapi i parë për të kaluar më pas tek denoncimet jo vetëm në gjykatë, por edhe depozitim kërkesash zyrtare në KQZ (pas shpalljes së rezultatit përfundimtar); konkretisht për rinumërimin e fletëve të pavlefshme, duke pretenduar me gjasë përsëritje zgjedhjesh në disa zona të caktuara.

Grida Duma, e ftuar në emisionin “Open”, nuk përjashtoi denoncimin e rezultatit zgjedhor jo vetëm në gjykatat në vend por edhe ato ndërkombëtare.

Sa i përket qëndrimit për mandatet, ky do të jetë një vendim që do të diskutohet më vonë edhe pse Basha në një dalje për mediat e la të kuptohet paraprakisht se opozita do të jetë në Kuvend në fillim të muajit Shtator.

Asaj që po i mëshojnë sot deputetët e zgjedhur nga 25 Prilli janë pikërisht denoncimi zgjedhjeve për të kaluar më pas tek vendimet politike vetëm pas shpalljes së raportit zyrtar të OSBE-ODIHR.

“Unë personalisht e kam deklaruar më shumë se njëherë se nuk njihen këto zgjedhje. Nuk diskutohet se PD nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit pasi nuk ishin të tilla. Qëndrimet kanë qenë të qarta dhe nuk besoj se ka dilema për qëndrimin e PD-së dhe kryetarit , ndaj s’duhet të ketë dilema askund.

Basha dhe PD janë në një proces dhe kemi ngritur një grup me specialistë dhe juristë që po merren me problematikën e zgjedhjeve dhe me sistemimin e problemeve që ne i kemi nisur gjatë të gjithë fushatës zgjedhore, që janë denoncime e grupuara në lidhje me çdo parregullsi që është bërë gjatë këtij procesi”, tha Edi Paloka në një intervistë për mediat.

Por çdo të thotë mos njohje e zgjedhjeve për PD-në?

“Mosnjohja e zgjedhjeve është që vendimet do i marrim hap pas hapi, si fillim do të sistemojmë provat që kemi, do të presim raportin e OSBE-ODIHR dhe pas kësaj ne do të mbajmë dhe qëndrime tona politike”

Ndryshe nga Paloka, një tjetër deputet i cili  drejtoi zgjedhjet në Lezhë, Mark Marku shfaqet shumë më i ashpër.

Ai i përket asaj kategorie që kjo qeveri duhet rrëzuar me protesta.

 “Askush nuk do t’i lejojë më këta të vjedhin. Këta do të nxirren me forcë jashtë nga zyrat. Çfarë ndodh kur nuk u lejon njerëzve të votojnë? Ka revoltë dhe revoltë do të ketë. Kur? Shumë shpejt”, tha Marku.

Për PD-në janë të hapura të gjitha opsionet. Deri më tani, ata kanë të qartë  vetëm një rrugë; të denoncojnë këto zgjedhje në të gjitha hallkat ligjore  

Vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha vijon t’i mëshojë të vetmes deklaratë që po përcjell qysh prej mbrëmjes së 27 Prillit se zgjedhjet ishin masakër elektorale.

“25 prilli është një masakër elektorale viktima e të cilës nuk është Partia Demokratike dhe deputetët tanë se rezultati ynë flet qartë, besimi, shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të pa precedentë të krimit të organizuar parave të pista të krimit dhe siç tha edhe raporti paraprak i OSBE-ODHIR-it, shkrirjes së vijave ndarëse midis partisë dhe shtetit nuk ja doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të jashtëzakonshëm të shqiptarëve ndaj dhe detyrimi ynë i parë është para të gjithë shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm para kandidatëve për deputetë apo para militantëve, mbështetësve të Partisë Demokratike që kanë bërë një betejë historike duke pasur gjithçka kundër dhe ja kanë dalë në këtë betejë bashkë me të gjithë shqiptarët të rikthejnë shpresën dhe besimin se ky vend mund dhe do ndryshojë. Thënë kjo një gjë është e sigurt ne vazhdojmë mbledhjen dhe faktimin e manipulimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit’, tha Basha duke nënvizuar se betejat janë të hapura në të gjitha drejtimet.

“Kjo betejë do të bëhet në të gjitha frontet mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë, shqiptarëve”.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë