Politike

A do të futet PD në Kuvend? Basha: Betejë në të gjitha frontet për rrëzimin e treshes Rama-Doshi-Rakipi

Në një deklaratë të shkurtër për mediat në oborrin e selisë së partisë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha se beteja e opozitës për zgjedhjet 25 Prillit do të jetë në të gjitha frontet përfshi këtu edhe betejën për në Kuvend në muajin Shtator.

Edhe kësaj here, Basha nuk iu përgjigj pyetjes direkte të medias nëse PD-ja do të shkojë apo ajo në Kuvend, duke u fokusuar më së shumti tek një deklaratë e tij e përgatitur me nënkuptime

   “Detyra jonë është të qëndrojmë fort dhe të luftojmë fort për rikthimin e  demokracisë në vend i cili është një nga kushtet kryesore që bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është një kusht i patejkalueshëm për të avancuar drejt asaj që kemi premtuar dhe do të bëjmë realitet me gjithë shqiptarët anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo betejë do të bëhet në të gjitha frontet mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë, shqiptarëve”, tha ai.

Basha ngriti disa pyetje mbi mënyrën se si u zgjodhën deputetët e rinj të PS e PSD? 

“Të gjithë kamerat dhe mikrofonët e medias së lirë do të drejtojnë pyetjet legjitime tek autori i kësaj masakre, te dyshja apo më mirë të themi treshja Rama-Doshi-Rakipi.

Si i morën votat tre deputetët e Tom Doshit të listës së zezë të Departamentit të Shtetit?

Si i mori votat Vangjush Dako i listës së zezë të Departamentit të Shtetit bashkë me tre përfaqësuesit e krimit në Durrës Jurgis Çyrben e kokainës dhe Plarent Dervishit, me Rrahman Rrajën e kokainës dhe familjes së tij dhe klanit të tij kriminal dhe Ilir Ndraxhi i Avdylajve.

Si i morën votat djali i Aqif Rakipit dhe dhëndri i Aqif Rakipit, një nga familjet e njohura kriminale të Peqinit? Si i mori votat Aurora Mara e Gent Marës person në kërkim ndërkombëtar për trafik droge? A mund të pranojë Shqipëria që nga njëra anë sot mban me krenari trashëgiminë e anëtarësimit në NATO gjatë kohës që qeveriste Partia Demokratike në  këtë ushtrim të pa precedentë ushtarak, mban, pra, me krenari këtë peshë, këtë përgjegjësi që nga ana tjetër shkatërron themelet e demokracisë, viktimat e masakrës elektorale janë qytetarët shqiptarë”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë