Politike

Aleatëve të Bashës “iu vodh” vota nga të vetët, si po e shikojnë humbjen në rezultat “të vegjlit” e PD

Qysh prej përfundimit të zgjedhjeve, ata që nuk folën se çfarë ndodhi ditën e zgjedhjeve apo para tyre ishin aleatët e PD-së. Dhe kjo për një arsye. Rezultati i tyre nuk ishte ai i pritshmi për Partinë Demokratike. Aleatët fitues të listës së PD-se vetëm prej pozicionit të favorshëm në renditje nuk ishin të ftuar as në takimin që Basha zhvilloi më gjithë kandidatët e PD-së për zgjedhjet e 25 Prillit. Pas takimit me kandidatët, i vetmi që hyri veças në selinë blu për një takim me Bashën ishte kryerepublikani Fatmir Mediu.

Vetëm të martën në mbrëmje të shpërndarë nëpër studio televizive ata dhanë versionin e tyre, që lidhet jo më shumë me vijën zyrtare të PD-së se vota u vodh, apo me faktin se sa përgjegjës janë për atë rezultat, por me luftën brenda vetes.

Me 4731 votat e fituara, i pari që foli ishte Agron Duka që surprizoi jo pak edhe deputetët demokratë fitues të qarkut Durrës kur tha se zgjedhjet i fitoi PS-ja dhe se beteja e opozitës duhet të vijojë në Kuvend. Edi Paloka tha publikisht se ishte habitur nga qëndrimi Dukës kur ishte ndër kandidatët që kishte denoncuar më shumë fenomenin e vjedhjes së votës në Durrës gjatë fushatës.

E pasoi Vangjel Dule ndaj të cilit janë shpërndarë edhe peticione brënda radhëve të PD-së se ai nuk duhet të pranojë mandatin e deputetit për shkak të rezultatit zhgënjyes që ai mori; vetëm 848 vota në Tiranë.

Dhe si reagon Dule? Në të njëjtën mënyrë. Ai gjuan “me gurë” në drejtim të PD-së për një video që sipas tij ka sponsorizuar kundër tij një tjetër kandidat jo fitues i PD-së, Gent Strazimiri.

“Këtë video e kanë bërë kandidatë të PD-së, unë e di shumë mirë. Kjo video më ka dalë sponsored në Instagram, është bërë nga një kandidat i PD-së me emër Gent Strazimiri.

Mua më ka kushtuar vota kjo, nuk e di se sa. Kjo nuk është në dëm të PBDNJ-së, kjo gjë është edhe në të keqen e PD-së,” tha Dule.

Strazimiri nuk u votua mjaftueshëm për vete nga demokratët duke mbetur jashtë dyerve të Kuvendit prej më shumë se një dekadë ndaj dhe alibia e Dules se votat “ia vodhi” një video e Strazimirit është më shumë se naive.

Kalojmë tek aleati tjetër, Fatmir Mediu.

Mediu ishte do kohë në një periudhë reflektimi për të dhënë më pas një qëndrim të matur, ndoshta edhe për faktin se është ndër të paktët politikanë që jep një qëndrim logjik kjo edhe për shkak të eksperiencës politike që ka.

Por edhe Mediu që mori vetëm 6565 vota në qarkun e Tiranës, duke i shkuar Bashës para zgjedhjeve me 52 mijë votat e republikanëve të vitit 2013, e ka drejtuar gishtin nga PD dhe strukturat e saj.   

“Koalicioni për mua ishte vlerë e shtuar, qoftë aritmetikisht dhe politikisht. Në fakt u shndërrua në një ide pazari, që ishte jo serioze nga ana jonë. Bëhen projeksione sipas peshës politike dhe më pas vendoseshin emrat. Partia Republikane ishte e hapur që të vendoseshin edhe emrat e PD-së nëse ishin më kualitativ dhe më pas për të shkuar në hapa të tjerë. S’ka kuptim që të jesh në koalicion dhe lidershipi të sillet sikur të jenë kandidatë të thjeshtë.

Në vitin 2013 kur PR ishte në një koalicion kur lideri lëvizi në të gjithë territorin, ne morën 4 deputetë. Ideja për të krijuar në një impakt kombëtar dhe për ta kthyer në vlerë rajonale, është shumë e rëndësishme. Ajo që është e papranueshme, është sjellja jashtë çdo lloj standardi e disa kandidatëve për deputetë, të cilët për qëllime personale, zhvillojnë një luftë të brendshme. Edhe ata që kam patur kolegë në qeveri dhe parlament kanë thënë mos votoni për partitë e tjera.

Janë disa njerëz të vegjël që mendojnë se pushteti i takon atyre dhe mendojnë si t’i ndajnë postet në qeveri. Këta duan vetëm të marrin dhe jo të japin. Unë nuk i kam lënë gjë mangët që të bëj fushatë për opozitën. Në çdo vend kam përmendur numrin 9”, tha Mediu.

Edhe Nard Ndoka i demokristianëve fajësoi PD dhe Bashën për mënyrën se si vepruan me aleatët.

Ndoka ishte rezultati më zhgënjyes këto zgjedhje për PD-në. I renditur i 8-i në listën e PD-së në qarkun Shkodër në një pozicion jo fitues, Ndoka nuk lëvizi as fare gishtin për të bërë fushatë se ndryshe nuk mund të kuptohet një rezultat i tille vetëm 228 vota, kur në zgjedhjet e 2013-ës, si PDK ai kishte marrë rreth 15 mijë vota.

Më luajal shfaqet Dashamir Shehi i cili ka marrë “mot a mo” votat e veta si në zgjedhjet e 2013-ës.  

“Po kërkojmë të hetohet, të dimë nga vijnë këto 80 mijë vota të pavlefshme, nga dalin këto deputetë që nuk ua di njeri emrin as te partia e vet me 15 mijë vota? Një lloj industrie që blen vota. Unë besoj se i blenë votat: nëpërmjet punësimit, të cilën do ta kapërdija në rrethanat shqiptare, një lloj klientelizmi. Dhe blerja klasike. Kjo e dyta është e rrezikshme, e para është e pamoralshme, e dyta e rrezikshme dhe kompromentuese e sistemit”

Ai që nuk ka folur ende është Shpëtim Idrizi i PDIU-së.

PDIU, zgjedhjet e kaluara garoi jashtë PD-së dhe mori 76.069 vota një rezultat shumë më i mire se në 2013-ën me 44.957.

Këto zgjedhje, vota për dy emrat nga PDIU vlen për diskutim. Shpëtim Idrizi mori  7449 vota ndërsa Mesila Doda edhe ajo në një pozicion të sigurt në listën e PD-së shumë më pak, 2357 vota. A do të fajësojnë edhe këta PD? Apo vota e tyre do thonë se u vodh?  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë