Interviste

Hahn: Ballkani duhet të punojë si një “komb” i vetëm

Pak para së të dilte në skenë për të mbajtur një fjalim kyç në samitin e Ballkanit Perëndimor, në Londër, Johannes Hahn, ka theksuar edhe njëherë se e vetmja e ardhme e rajonit ishte dhe do të jetë gjithmonë Bashkimi Europian. Në një intervistë me “EWB” Komisioneri europiann për Negociatat e Zgjerimit deklaroi me zë të lartë se dyert e BE-së do të hapen vetëm kur në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë vendosur nën sundimin e plotë të ligjit, një mesazh jo pak i rëndësishëm për liderët e rajonit, të cilët janë nisur sot plot shpresë drejt Londrës.

Hahn foli ndër të tjera edhe për të ardhmen e Procesit të Berlinit, duke u shprehur se iniciativa diplomatike e Kancelares Angela Merkel ia ka dalë të bashkojë Ballkanin dhe ta mbajë në një kurs të përbashket drejt së ardhmes europiane. Sipas tij rajoni do të ecë përpara për aq kohë sa gjashtë kombet ballkanike do të punojnë së bashku  dhe se BE-ja e sheh Ballkanit si një "komb" të vetëm.

Si ka shkuar Procesi i Berlinit deri tani?

Kur Kancelarja Merkel mblodhi udhëheqësit e Ballkanit në Berlin, në gusht 2014 për të diskutuar bashkëpunimin rajonal, ideja e të gjithëve ishte rindërtimi i lidhjeve midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dhe shteteve anëtare të BE-së. Pjesa më e madhe e këtij procesi është arritur, duke përfshirë zhvillimin e një agjende gjithëpërfshirëse të BE-së në Ballkanin Perëndimor, e cila mbulon transportin, energjinë, ekonominë dhe teknologjitë digjitale. Në përgjithësi, besoj se Procesi i Berlinit jo vetëm që krijoi një kornizë shumë të dobishme për të bërë përparim në të gjitha këto fusha por gjithashtu ka kontribuar në krijimin e një vizioni të ri për rajonin, bazuar në perspektivën europiane dhe në bashkëpunimin rajonal.

A besoni se Procesi i Berlinit mbetet të jetë i rëndësishëm pas strategjisë së KE-së për Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e të gjithë BE-së në rajon?

Hahn dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Siç thashë, Procesi i Berlinit përcaktoi një vizion konkret për marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke vënë në qendër të tij bashkëpunimin rajonal. Ideja është e thjeshtë: për aq kohë sa ne punojmë së bashku, do të fitojmë së bashku. Nëse partnerët tanë nuk bashkëpunojnë në nivel rajonal dhe nuk arrijnë të ndërtojnë marrëdhënie të mira me fqinjët, Ballkani Perëndimor nuk mund të arrijë në shtigjet europiane. Kjo ide thelbësore duhet të jetë prioriteti i rajonit për vitet në vijim.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për të ardhmen e procesit të Berlinit pas samitit të Londrës? Si mendoni se mund të përmirësohet dhe përshtatet Procesi i Berlinit me nevojat e rajonit dhe BE-së?

Unë mendoj se procesi i Berlinit në radhë të parë duhet të vazhdojë të inkurajojë dhe mobilizojë udhëheqësit e rajonit për ta marrë më seriozisht bashkëpunimin rajonal. Rajoni duhet të tregojë se është gati të marrë në dorë fatin e tij, për të kapërcyer një të kaluar të vështirë dhe për të qenë pjesë e një të ardhmeje të përbashkët me BE-në. Procesi i Berlinit duhet të sigurohet se ky bashkëpunim do të vazhdojë.

Edhe pse kishte shumë sinjale pozitive nga BE-ja lidhur me zgjerimin në Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar, zhvillimet e fundit na kanë treguar se disa shtete anëtare nuk janë entuziaste për zgjerimin e BE-së, sidomos Presidenti Macron. A besoni se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet e qartë?

Mohgerini, Hahn dhe Kryeministri Rama

Po. Dhe BE-ja ka qenë e qartë për këtë. Deklaratat e Presidentit Macron nuk ishin kundër zgjerimit në vetvete, por kishin të bënim më shumë me kohën e duhur për anëtarësimin e vendeve të reja. A kemi nevojë të reformojmë BE përpara se të mirëpresimn anëtarët e rinj? Po, sepse strategjia e Komisionit për Ballkanin Perëndimor nënvizon se vetë BE-ja duhet të jetë gati për të mirëpritur anëtarët e rinj.

Duket se ekziston një konsensus se sundimi i ligjit është problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor. Çfarë mendoni se duhet të bëjë BE-ja për të ushtruar presion apo për të inkurajuar qeveritë që t'i nënshtrohen reformave të tilla?

Quajeni si të doni, inkurajim apo presion, por BE-ja ka qenë e qartë: sundimi i ligjit është parësor. Negociatat për anëtarësim do të fillojnë nën sundimin e ligjit dhe ai do të jetë kapitulli i fundit i negociatave, të cilat do të hapen vetëm kur ta dimë se është arritur një nivel i kënaqshëm i sundimit të ligjit, me rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme. Me fjalë të tjera, përparimi në sundimin e ligjit është ai që do të përcaktojë ritmin e të gjithë procesit të negociatave. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë udhëzime dhe ndihmë, sigurisht, por pesha kryesore do të bjerë në shpatullat e gjykatave të vendeve që dëshirojnë të bashkohen me BE-në. Ato duhet të sigurojnë sundimin e ligjit jo vetëm për "Brukselin", por edhe për qytetarët e tyre, të cilët dëshirojnë të jetojnë në vende me sisteme dhe institucione të forta dhe demokratike, ku respektohen të drejtat e pakicave, ku individët dhe bizneset mund të mbështeten te gjyqësori i pavarur, dhe ku korrupsioni parandalohet dhe hetohet në mënyrë efektive. Kjo është ajo që qytetarët e Ballkanit meritojnë dhe presin nga qeveritë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë