Ne rrjet

Arratiset Gruevksi, kërkon azil politik në Hungari

Ndërkohë që e gjithë policia maqedonase është vënë në kërkim të tij, ish-kryeministri Nikolla Gruevski duket se është arratisur drejt Hungarisë, për të kërkuar azil politik.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka njoftuar se po qëndron në Budapest pasi ndihet i kërcënuar. “Përgjatë ditëve të fundit kam marrë kërcënime të panumërta me jetë. Tani jam në Budapest dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do t’i qëndroj besnik kauzës së Maqedonisë”, shkruan ish-kryeministri, duke i dhënë kështu fund “agonisë” së autoriteteve maqedonase.

Urdhri për arrestimin e tij është lëshuar pasi Gjykata e Apelit të premten e kaluar pasi kundërshtoi ankesën e ish-kryeministrit për shtyrjen e dënimit 2-vjeçar. Gruevski, i cili u zhduk për më shumë se tre dite rresht, duhet të kishte firmosur urdhrin e korrierit të gjykatës dhe duhet të paraqitej menjëherë në burgun e Shuto Orizarit pranë Shkupit.

Ish-kryeministri u shpall fajtor për dosjen gjyqësore të koduar “Tanku”, por ka insistuar se ky dhe raste të tjera gjyqësore kundër tij janë një sulme politike, të ndërmara nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev. Vendimi për burgosjen e Gruevskit ishte i pari në pesë rastet gjyqësore të ngritura kundër tij nga Prokuroria Speciale, e njohur për hetimin e krimeve të nivelit të lartë. Sipas raporteve, Gruevski i kishte kërkuar ish-ministres Jankulloska t’i blinte një Mercedez që kushtonte më shumë se 580,000 eurosh dhe kjo e fundit nisur procedurën e tenderimit, duke favorizuar kompaninë “Mak Auto Star”.

Nikola Gruevski

Si u zhduk Gruevski?

Sipas të dhënave të policisë maqedonas, Gruevski nuk gjendej as në selinë e partisë opozitare dhe as në asnjë nga banesat e tij. Sipas burimeve të Gazetës Si, në Shkup kanë qarkulluar një sërë spekulimesh se ai mund ishte larguar drejt Beogradit ose Budapestit. Burimet thonë se ai mund të jetë ndihmuar nga presidenti Ivanov.

“Ne e kemi kërkuar Gruevskin në shtëpinë e tij, po kontrollojmë automjetet. Do të hyjmë në çdo ambient ku na lejonin gjykata", tha të martën ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, pak përpara se ish-kryeminitri të njoftonte se ndodhej në Hungari. Ai këmbënguli se policia ka vepruar në mënyrë rigoroze dhe nëse ka institucion që duhet fajësuar për arratisjen e Gruevskit, duhet të jenë gjykatat, të cilat, siç tha ai, nuk i mbajnë nën arrest njerëzit që mund të largohen.
Ish-drejtori i policisë sekrete Sasho Mijallkov, po ashtu edhe kushëri i Nikolla Gruesvkit, ishte i fundit që pranoi publikisht se nuk e dinte ku ndodhet ish-kryeministri. Mijallkovi u paraqit në seancën gjyqësore për rastin “Titanik 2” . I pyetur gjatë hyrjes në Gjykatë se ku ndodhet Gruesvki, ai u përgjigj shkurt duke thënë se “nuk e di”.

Me shpresën se mund të binte në gjurmët e ish-kryeministrit, policia maqedonase ka kontrolluar një sërë zyrash dhe makinash të deputetëve të VMRO-DPMNe-së.  Ndërkohë, kryetari i opozitës Hristijan Mickoski ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke thënë se qeveria maqedonase po bënte teatër dhe sqaroi se partia e tij nuk ishte në dijeni të vendndodhjes së Gruevksit. Lideri opozitar akuzoi qeverinë për përndjekje politike ndaj VMRO-DPMNE-së. 
“Zotërinj nga qeveria kë po mashtroni dhe ndaj kujt po bëni teatër, ndërkohë që drejtoni gishtin nga VMRO-së duke thënë se jemi duke fshehur dikë, me gënjeshtra dhe pa argumente? Ky nuk është sulm vetëm ndaj VMRO-DPMNE-së, ky është një sulm ndaj lirisë, fuqisë kryesore opozitare, mendimi kritik, siç nuk njeh Europa moderne dhe bota më gjerë?”, ka shkruar mes tjerash Hristijan Mickoski.

I pyetur për vendndodhjen e Gruesvkit ai përgjigj se ish-kryeministri nuk fshihej në selinë e partisë. “Në rast se policia ka urdhër për bastisje, le të hyjnë brenda dhe do t’i shëtisim nëpër seli që të binden se Gruevski nuk ndodhet aty”, shtoi ai.

Hristijan Mickoski

VMRO-DPMNE-ja i ka parë bastisjet si presion politik. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Igor Janushev deklaroi se opozita është nën shtetrrethim të policisë. “Anëtarët e partisë po bastisen dhe po shqetësohen nga ana e zyrtarëve policorë. Asnjëherë në historinë e Maqedonisë së pavarur nuk mbahet mend një presion i tillë ndaj një partie në opozitë. Ky është përdorim i policisë, për qëllime partiake. Ky është një sulm ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, dhe që kundërshtojnë politikën kapitulluese dhe anti-maqedonase të Zoran Zaev”, thotë Janushev.
Ndërkohë, kryeministri Zaev deklaroi se nuk besonte se Gruevski të ishte arratisur jashtë vendit. “Nuk besoj se zot Gruevski do të arratiset jashtë Maqedonisë, të paktën sipas asaj që ka thënë deri më tani”, tha ai.

Për çfarë akuzohet Gruevski?

Ish-kryeministri po hetohet për një sërë akuzash që dolën fillimisht në dritë për shkak të disa përgjimeve të paligjshme që Social Demokratët i bënë publike gjatë vitit 2015. Publikimi i këtyre përgjimeve, të cilat përmbajnë kaseta të regjistruara fshehurazi të bisedave zyrtare, zbuluan se Gruevski kishte orkestruar mbikëqyrjen ilegale të rreth 20.000 personave. Përveç skandalit të mercedesit, Gruevski akuzohet edhe për pesë çështjet të koduara me emrin “TNT”, “Titanik”, “Traktorija” dhe “Shamari”.

Në çështjen e parë, “TNT”, SJO e akuzon Gruevskin për “shpërdorimi detyre”, për të cilin dënimi maksimal është tre vjet burg. Ai dyshohet se ka urdhëruar prishjen e një ndërtese, që po ndërtohej nga ish-aleati i tij politik, Fijat Canovski, si një akt hakmarrjeje politike pasi partia e Canovskit u largua nga koalicioni i udhëhequr nga Gruevski.

Nikola Gruevski

Dosja e dytë, e koduar me emrin “Titanik”, është “arma më e rëndë” që autoritetet kanë patur në dorë kundër ish-kryeministrit. Ajo akuzon Gruevskin dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë në VMRO DPMNE për mashtrim gjatë zgjedhjeve në vitin 2013. Në këtë rast, ai akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ku përballet me një dënim nga një deri në pesë vjet burg; shpërdorimin e aseteve gjatë një fushate zgjedhore, për të cilën dënimi më i ulët është pesë vjet dhe shkeljen e lirisë së zgjedhësve, me një dënimi minimal prej tre vitesh burg.

Në çështjen e tretë, “Traektorija”, SJO ka paditur Gruevskin dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët besohet se kanë shkelur Ligjin e Prokurimit Publik duke dhënë një kontratë prej 570 milionë eurosh për të ndërtuar dy segmente autostradash të një kompani ndërtimi kineze. Për këtë çështje, Gruevski mund të dënohet nga një deri në tre vjet burg.

Për më tepër, Gruevski është përfshirë edhe në një çështje të pestë të quajtur “Shamari”, ku akuzohet se ka urdhëruar një sulm ndaj një kryebashkiaku të opozitës dhe selisë së tij


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë